E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Fundi i turpshëm i Berishës

Intervista/ Avokati Spartak Ngjela vlerëson se presidenti Topi nuk do të lejojë akumulimin e pushtetit nga Berisha

 Ngjela: Kushtetuta për Berishën, si qarkore ushtarake

PD nuk mund të heqë dorë nga deviza e saj për një president të zgjedhur nga populli, nëse nuk do të ketë mposhtur më parë presidentin Topi

Deputeti demokrat, Spartak Ngjela, në rolin edhe të një prej njohësve më të mirë të çështjeve ligjore ne vend, e konsideron aspak serioze ndërhyrjen që mazhoranca po kërkon t'i bëjë Kushtetutës. Duke komentuar propozimet konkrete, ai vlerëson se kryeministri Berisha, nëpërmjet këtyre ndërhyrjeve kërkon të akumulojë pushtet për të mbyllur çështjen e Gërdecit.

Z.Ngjela, PD ka paraqitur në tryezën e Komisionit të Ligjeve një paketë propozimesh për ndryshimin e Kushtetutës. Fillimisht, desha t'ju pyes nëse është i nevojshëm amendimi i Kushtetutës në këtë moment apo jo?

Nuk është aspak serioze, sepse për Kushtetutën nuk mund të veprohet vjedhurazi. Shiheni me vëmendje: një natë, papritur, në Komisionin e Ligjeve, me një copë letër, paraqiten disa amendamente kushtetuese, të cilat prekin thelbin e Kushtetutës. A nuk e kuptoni që ky akt është një metodë prej kubi, njëlloj si kontrata e Gërdecit? Kushtetuta është normë kolektive e një kontrate shoqërore, kurse në këtë rast ajo konsiderohet sikur të jetë një diçka pa asnjë vlerë, që mund të ndryshojë, sa herë që Kryeministri është në hall. Por megjithatë, le ta shohim konkretisht: amendamentet për presidentin, që e lënë pa një dekret substancial, ku ai të shprehë vullnetin e tij, janë hapi i parë që ky kryeministër kërkon të ndërmarrë për të hequr qafe pikën juridike stabël të shtetit. Dhe nuk duket se është vetëm, se do ta shihni që dalëngadalë me të do të bashkohet edhe PS, të paktën pjesa e bindur e lidershipit të saj. Por është e pamundur të realizohet, sepse janë marrë masat, që, nëse do të amendohen këta nene, ligji kushtetues do të shkojë në referendum, i cili do të sjellë, padyshim, fundin edhe më të shpejtë të autokracisë shqiptare. Duhet të sqarohemi: Sali Berisha nuk është vetëm në hall për punën e Gërdecit, por më shumë në hall është për punën e NATO-s. Hyrja e Shqipërisë në NATO, i heq atij çdo lloj shprese për të akumuluar pushtet. NATO, do të thotë Perëndim, do të thotë demokraci; kurse demokraci do të thotë ligj dhe pushtet gjyqësor i pavarur që jep drejtësi. Dhe NATO të monitoron për këto. Prandaj ai kërkon të akumulojë pushtet, që të bllokojë hetimin e Gërdecit, dhe të bllokojë gjithashtu procesin e nisur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por nuk do ta realizojë dot, sepse nuk do të mundë të akumulojë pushtetin që kërkon. Është e pamundur, sepse nuk e lejon as Presidenti i Republikës, dhe as referendumi i mundshëm. Prandaj, do të shihni vetëm rropatjen e Saliut, në ditët e tij të fundit. Por për të analizuar logjikisht dhe me argumente ditët e fundit të Saliut, do të na duhej një artikull i posaçëm, të cilin edhe mund ta ndërmarr me gazetën tuaj.

Për të hyrë më në detaje, PD, me anë të këtyre ndryshimeve heq dorë nga qëndrimi për ta zgjedhur presidentin nga populli dhe kërkon të rivendosë një mënyrë tjetër të zgjedhjes së presidentit, pra, në votimin e pestë me shumicë të thjeshtë. Si do ta gjykonit këtë propozim dhe a përbën ky një shmangie nga nevoja për të zgjedhur një president konsensual, pra me shumicë të cilësuar votash?

Berisha, ndërkohë, po i trembet dy gjërave: humbjes absolute të personalitetit të tij dhe riorganizimit të së djathtës. Gërdeci e nxori jashtë politikës, mjekun që nuk mundi ta kuptojë se që të eliminohej nga skena politike, duhej të bëhej kryeministër. Dhe kjo ka ndodhur tani. Të gjitha veprimet që shohim me rastin e Kushtetutës, janë ndërmarrje të dëshpëruara të një njeriu që nuk di të arsyetojë. Pse, a nuk e patë se sa qesharak doli në BBC? Ja, ai është Sali Berisha dhe ai është edhe niveli i tij intelektiv! Dhe tani po kërkon që, megjithëkëtë, të akumulojë pushtet absolut. Por a do të lejohet? Nuk ka mundësi. Kot i ka varur shpresat te opozita dhe pazaret me të. Berisha është i pashpresë. Referendumi për ligjin kushtetues, firmat e të cilit janë gati në Parlament, do të ishte një fitore për demokracinë shqiptare.

Përsa i përket presidentit të zgjedhur nga populli, unë mendoj se kjo është tamam koha që ne të nxjerrim në pah kushtetues një president të zgjedhur nga populli, sepse asnjë punist nuk ka më besim për të marrë vota nga shqiptarët, dhe demokracia do të fitonte shumë. Por le të presim. PD nuk mund të heqë dorë nga deviza e saj për një president të zgjedhur nga populli, nëse nuk do të ketë mposhtur më parë presidentin Topi.

Një tjetër propozim është edhe ai që ka të bëjë me çështjen e mocionit të besimit të Kryeministrit, çka i jep të drejtë këtij të fundit që në rast rrëzimi t'i kërkojë presidentit të shpërndajë në mënyrë të detyruar Parlamentin. Vlerësimi juaj për këtë propozim dhe a përbën ai një rrezik për të krijuar një kryeministër tepër të fuqishëm, i cili kërcënon deputetët dhe aleatët e vet me shpërndarje të parlamentit?

Neni i amendamenteve për mocionin e besimit dhe të mosbesimit, është thembra e Akilit. Kjo në fakt, duhet të jetë marrëveshja e fshehtë midis lidershipit të PS-së dhe Berishës, që të shpëtohet Berisha. Amendamentet ia heqin të drejtën një grupi deputetësh brenda maxhorancës, që të rrëzojnë Berishën. Ja, kjo është e gjitha, sepse Berisha kërcënon me këtë rast me zgjedhje të parakohshme. Kjo është për mocionin e besimit. Kurse për mocionin e mosbesimit, duhet që paraprakisht, bashkë me mocionin të japësh edhe emrin e ri të kryeministrit zëvendësues. Domethënë, që të mos e ketë më në dorë Parlamenti, sikundër që e ka deri tani, sipas Kushtetutës aktuale. Kjo do të thotë që të mos ketë as mocion mosbesimi. Kuptohet që është një lojë e përbashkët mes Saliut dhe lidershipit të PS-së, sepse Gërdeci i implikon të dyja palët. Domethënë vjedhja. Po gjërat do të precipitojnë. Shpërthimi i Gërdecit, ka lënë gjurmë që nuk mund t'i mbyllë dot as një kushtetutë, të cilën Saliu kërkon ta kthejë në një "qarkore ushtarake". Por e kërkon këtë gjë, madje vjedhurazi, sikur nuk ka dorë, sepse ka frikë nga brenda, madje edhe nga kukullat. Por, a e dini ju se kur mbaron vaji i kandilit të një diktatori, një tirani, apo një autokrati? Atëherë kur kukullat e tij nisin të rebelohen e të flasin me gjuhën e tyre. Dhe në rastin konkret, pse janë revoltuar këto kukulla? Sepse e dinë që Saliu nuk fiton më. Sepse e dinë gjithashtu që "New York Times" nuk është një letër higjienike, sikurse thotë Kryeministri, por një kolonë e pathyeshme e demokracisë liberale që ka rrëzuar vijimisht diktatorë dhe kryeministra të korruptuar në të gjithë botën, ashtu sikundër që ka rrëzuar edhe disa presidentë amerikanë. E pra, ata kanë shërbyer deri tani, por nuk janë aq pa mend që të humbasin perspektivën e tyre, për të rënë në humnerë me Berishën. Jo. Por Saliu kërkon t'i bllokojë, që t'i marrë me vete në humnerën ku është nisur të shkojë. Unë nuk besoj se i merr dot. E bukur do të ishte sikur të merrte dhe vetë lidershipin e PS-së në këtë humnerë. Sepse me të lehtë e ka me ta, sesa me të vetët.

Gjithashtu një tjetër propozim që ka ngjallur një reagim të madh, është edhe ai për t'i dhënë Kryeministrit të drejtën e kundrafirmës në të gjitha dekretet presidenciale. Cenon ky amendament kompetencat e Presidentit të Republikës dhe a ka një rast të tillë edhe në shtetet e tjera?

Me këtë Saliu kërkon të trembë Presidentin aktual që të mos influencojë në hetimet e Gërdecit. Por Bamir Topi tani është përpara kësaj pyetje: me shtetin, domethënë me popullin, apo me bandat e Saliut që vranë njerëz të pafajshëm? Ai e ka në dorë për të zgjedhur. Unë e uroj që të jetë me popullin, sepse ashtu i takon të jetë. Tani që gjithkush ka parë apo ka dëgjuar intervistën e Saliut në BBC, ai që ka lexuar me vëmendje artikullin investigues të "New York Times", e kupton shumë mirë fundin e turpshëm të Sali Berishës.

Ndërkohë që dy partitë e mëdha kanë rënë dakord, për të ndryshuar Kushtetutën përsa i përket sistemit zgjedhor. Një koment edhe për këtë çështje.

Sistemi zgjedhor mund të ndryshojë me lehtësi; mjafton që të zgjidhet një sistem i drejtë. Sistemi aktual ka dështuar; sepse me anë të tij, nuk është bërë asnjë zgjedhje e lirë në Shqipëri. Ai duhet ndërruar. Përsa i përket këtij të propozuarit, unë mendoj se është më i qartë, dhe forcat politike kot i shqetëson. Procedura është një çështje e komplikuar, prandaj, për ata që nuk janë mësuar me procedurat, do të binden pasi të jetë bërë eksperimenti i parë. E reja, si rregull, të tremb, sepse ajo prish gjendjen e qetësisë, por kur të krijohet gjendja e re e qetësisë, do ta shihni se gjërat do të jenë po njëlloj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›