Gërdeci, hetohet edhe akti i qëllimshëm
Prokuroria Shqiptare ka konfirmuar dje dyshimet e ngritura nga shkrimet e gazetës "New York Times", e cila ngrinte disa dyshime se ngjarja është vështirë të quhet një aksident. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë për gazetën "Shqip" se po verifikohen të gjitha pistat për shpërthimin e fuqishëm të datës 15 mars të këtij viti, i cili i mori jetën të paktën 26 personave. Krahas verifikimit të vendit të ngjarjes dhe trafikut të armëve, prokuroria po verifikon edhe pistat e shpërthimit të municioneve në mënyrë të qëllimshme. Madje dyshimet duket se do të vërtetohen edhe nga raportet e Shërbimit Informativ Shqiptar, ku disa kopje të raporteve i janë dhënë organit të akuzës. Nga ana tjetër, hetuesit e çështjes kanë vijuar edhe dje marrjen në pyetje të protagonistëve që kanë firmosur Gërdecin. Radha i takoi sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka sqaruar organin e akuzës për të gjitha kontratat e dikasterit që përfaqëson me Shtabin e Përgjithshëm. Nga ana e ushtarakëve në prokurori është paraqitur shefi i një reparti ushtarak në Poliçan, i cili është marrë në pyetje në lidhje me sasinë e municioneve që janë marrë nga Skrapari dhe janë depozituar në Gërdec. Megjithëse ka kaluar mbi një muaj nga ngjarja e rëndë, grupi hetimor ende nuk ka përjashtuar asnjë nga pistat hetimore që deklaroi Kryeprokurorja. Në lidhje me trafikun e dyshuar të municioneve nëpërmjet Gërdecit, hetuesit deklarojnë nën zë se po hetohet në tri pista. Sipas të dhënave të para, hetuesit e çështjes kanë mbledhur informacione se në Gërdec mblidheshin municione të rënda, ripaketoheshin dhe më tej niseshin pa inventar për t‘u shitur, kryesisht në vatrat e luftës në të gjithë botën. Hetuesit që verifikojnë trafikun e armëve po përqendrohen në pistën e parë në evidencat e daljeve të municioneve nga pikat doganore, kryesisht nëpërmjet Aeroportit të Rinasit dhe Portit të Durrësit. Por nuk përjashtohen as aeroportet ushtarake si në Kuçovë dhe Gjadër, ku dyshohet se kanë lëvizur disa aeroplanë për transportimin e municioneve. Ndërkohë janë sekuestruar evidencat e municioneve të ardhura në fabrikën e Gërdecit dhe sa fishekë kanë dalë prej saj. Gjatë ditëve të fundit, objekt hetimi janë bërë dokumentet dhe evidencat e transportimit të fishekëve, me kërkesë të MEICO-s dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dërguar firmës "Albademil" për çmontime në Gërdec, pasi dyshohet se firma i ka trafikuar një pjesë të tyre në vende të Lindjes. Sipas burimeve nga akuza, për këtë dyshim po kryhet verifikimi dhe ballafaqimi i dokumenteve të sekuestruara në Shtabin e Përgjithshëm, pranë zyrave të MEICO-s, doganave dhe firmës "Albademil".