E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci i Maskave të Rëna

Elisa Spiropali 

Ky pushteti ynë, i korruptuar, i shëmtuar, i egër, nuk e tregon kurrë fytyrën e vërtetë. Megjithëse të gjithë ia shohin, ai prapë e fsheh. Megjithëse të gjithë ia njohin, ai përsëri e mbulon. Megjithëse të gjithë ia vuajnë ai prapëseprapë nuk e tregon. E bën këtë duke përdorur mjetin e tij të preferuar, maskën. Por jo një maskë të vetme! Sepse një maskë e vetme nuk do mjaftonte. Pushteti ynë fshihet nën shumë maska. Në çdo kohë. Nën sa maska fshihet pushteti ynë djallëzor?! Vështirë ta thuash. Sigurisht jo nën aq maska sa, ta zëmë, ministra zullumqarë ka, pa harruar kryeministrin zhurmëmadhin, pra plus atë. Kaq, që nuk janë pak, do ishin megjithatë shumë-shumë pak dhe sigurisht nuk do mjaftonin për të maskuar orekset e dukshme dhe të padukshme të çetës sonë qeverisëse.
Numri i maskave që pushteti ynë përdor është praktikisht i pakalkulueshëm.
Dikush, me naivitet, qorrllëk, apo budallallëk, mund të thotë se u mjafton vetëm një maskë fytyre. Sipas naivit, sherr-budallenjtë tanë porosisin një maskë të vetme tek ndonjë atelie teatri, brenda ose jashtë Shqipërisë, e bëjnë si në tablotë soc-realiste, të bukur, të rrumbullakosur, të qeshur, faqekuqe, me sy të pafajshëm mendimtarë të mëshirshëm që vështrimin e ka hedhur diku në horizontin e së ardhmes fatlume, me veshë të ulur, dhëmbë të bardhë si gëlqere që duken fare pak, buzë të trasha fisnike, ballë mendimtar, flokë të krehura sipas modës së viteve ’50 etj.
S’është as kaq e kollajtë, as kaq e thjeshtë sa duket.
Së pari sepse, meqenëse dreqnia-dreqnisë nuk i ngjan, dhe dreqnitë e këtyre fund nuk kanë, sigurisht që as maska-maskës nuk mund t’i ngjajë. Me fjalë të tjera, një maskë të vetme e kanë krejtësisht të pamundur të përdorin. Nga ana tjetër, po të kesh parasysh se përveç maskimit apo modifikimit të cilësive të holla aq të vyera, pafundësisht të premtuara dhe përsosmërisht të munguara, si dashuria, përkujdesja, mëshira etj., me anën e maskave u duhet të paraqesin tjetër për tjetër një mijë e një punë të zeza që bëjnë, duke nisur nga dallaveret e pista nëpër provinca me mëkatarë lokalë, e deri tek afera korruptive në të katër anët e botës. Pra, numri i maskave që u janë të domosdoshme maskarenjve, prej nga siç shihet qartë rrjedh edhe vet’ fjala maska-ra, rritet në mënyrë eksponenciale, kërkon një llogaritje të cilës ende kurrkush nuk i është futur.
Sipas një përfytyrimi goxha të përhapur në popull, maska-renjtë apo maska-rënët tanë, maskat i ndërrojnë me mënyrën klasike hiq njërën vër tjetrën. Në të vërtetë, po ta vëresh mirë, tanët nuk e bëjnë ashtu. Do ishte rrënuese për ta’ po ta bënin ashtu. Sepse gjatë ndërrimit të maskave, qoftë edhe vetëm gjatë një çasti të ndërrimit, çast që mund të zgjaste për shembull disa minisekonda, do dukej fytyra e vërtetë, çka ata i tmerron. Mund të insistohej në favor të tyre duke thënë se pasi të flakej maska e parë, e dyta dhe të tjerat mund të vendosen pa problem sa kohë që fytyrës origjinale prej kohësh i kanë humbur gjurmët. As kjo nuk vlen. Sepse maskat e maskarenjve tanë degjenerohen shumë shpejt, duke u bërë edhe më të urryera se fytyra origjinale. Kjo është arsyeja që tanët maskat i vendosin me mënyrë tjetër, një mbi një. Mirëpo një fjalë goje ta thuash edhe këtë. Sepse, pa llogaritur se për maskë nuk ka nevojë vetëm koka, por edhe trupi, barku i stërmadh për shembull, ku barkorja stërmadhe zor se mund të maskohet përmes gjigantizmit ngaqë do sillte probleme të panumërta të ruajtjes së proporcionalitetit, pra, për ta lidhur ku e lamë, maskat e bukura të panumërta një mbi një mbi fytyrën e shëmtuar shkaktojnë pashmangësisht trashjen e kokës. Kjo trashje, nga ana e vet, është në përpjesëtim të drejtë me numrin e maskave. Pamja e pushtetit tonë të sotëm, maskë e maskës të maskës së maskës të maskës së, me stërfryrje apo zmadhim kryesisht të kokës, paraqitet pafundësisht i tjetërsuar. Dhe efektet janë lehtësisht të imagjinueshme. Por ç’është më e keqja, ato efekte të paimagjinueshme, për ta’ jo për ne, do ishin edhe të pariparueshme, të pandreqshme, të pakthyeshme. Kjo pakthyeshmëri fatkeqe shkatërruese në dukje fatale a ka zgjidhje? Ka zgjidhje sepse, në të njëjtën kohë fatmirësisht dhe fatkeqësisht, më thellë s’po futemi, se edhe maskara-në aq mirë s’e njohim, për shërimin e sëmundjes së trashjes së kokës përmes numrit të pafundmë të maskave, vërtet s’ka ilaç por ka Gërdec, Gërdec që i asgjësoi të gjitha maskat, Gërdeci çori maskën e demek shtetit madhështor të shtyllave të forta dhe tregoi fytyrën e vërtetë, atë të barakës që mezi mbahet në këmbë, kur tamam si bagëtitë, 11 institucione ndjekin urdhrat e një grushti burrash më të paktë në numër se gishtat e dorës. U pika që s’u bie!
Gërdeci grisi maskën e gjoja luftës së paepur dhe pakompromis kundër korrupsionit, e administratës së vdekur të pakallur të kushërinjve dhe kushërirave, të fisit dhe tarafit dhe tregoi se ku të çojnë një tufë të marrësh, të paaftësh dhe hajdutësh kur pushteti është i përqendruar pothuajse i tëri në duart e një njeriu.Gërdeci pështyu maskën e atyre që flasin për biznese të pavarura dhe moderne, biznese që në 18 vjet vetë i privatizojnë, vetë i ligjërojnë, vetë i mbajnë, biznese që për fitime nuk stepen as përpara një tabloje fëmijësh që demontojnë predha. Gërdeci dogji maskën e atyre që hiqen si burra-shteti, por në fakt nuk janë veç karagjozë të destinuar për në koshin e plehrave të historisë. Gërdeci i maskave të rëna ka hyrë tashmë në histori dhe as nuk duhet, as nuk mund të harrohet nga kurrkush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›