E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtohet përmes vargjesh poeti Havzi Nela

 

“Me durim përgjoj kur t’ma hapin derën/ Po e pres lirinë si zogu pranverën”. Kështu shkruante poeti Havzi Nela në qelitë e burgut. Priste t’i hapej dera. Një derë, që e dinte edhe vetë se nuk do t’i hapej kurrë për të qenë i lirë. Dje, familjarë, miq dhe kolegë të poetit, përkujtuan përmes kujtimeve dhe vargjeve Havzi Nelën, në 75-vjetorin e lindjes së tij. U rikthyen pas në ato vite, kur poeti dilte kundër politikave absurde, më tej në vitet e burgosjeve, internimeve, deri në 10 gushtin fatal, që shënoi vdekjen e tij. Por u fol shumë edhe për poezi. U lexuan vargje që tregojnë më mirë figurën e Havzi Nelës. Fatmirësisht na kanë mbetur rreth 5500 vargje prej tij, të cilat dolën nga qelitë e burgjeve. Në shkurt të vitit 1983, i vëllai nxjerr nga kampburgu i Qafë Barit 6 fletore me poezi të Havzi Nelës. Fletoren e fundit e nxori në fillimvitin e ekzekutimit të tij, në 1 janar 1988. Poezi të cilat vijnë tashmë të botuara. Me këtë rast u prezantua edhe më i plotësuar libri i Petrit Palushit “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, që sjell kujtime, dokumente e vetë fjalët e poetit. Libri zë fill në atë ditë të nxehtë gushti, kur trupi i pajetë i poetit lëkundej në litar, në sheshin e agjencisë së autobusëve në mes të Kukësit, për t’u futur thellë në kohë, duke na treguar hap pas hapi fatin tragjik të tij. Ai sjell rebelimin e tij, trishtimin, humbjen e shpresës, apelin për drejtësi dhe fjalët e tij të fundit para litarit. Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Për herë të parë fillon punën si mësues në Plan të Bardhë të Matit, ku dhe aty përjashtohet nga mësuesia për krijime letrare “të dënueshme” në atë kohë. Më 20 prill 1967, në prani të mijëra vetëve në Shishtavec, kundërshtoi hapur tre tezat e dala nga pushteti i atëhershëm për kolektivizimin, prishjen e xhamive dhe ndërrimin e veshjeve, duke thënë se “populli është i sëmurë, tre gjilpëra menjëherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë”. Në 26 prill të vitit 1967 u arratis, por pak ditë më vonë pala jugosllave e dorëzon në postën kufitare në Morinë. Në 9 maj nis procesi hetimor. Që nga ajo kohë, Havzi Nela është ndjekur dhe persekutuar nga Sigurimi i Shtetit, pushteti popullor i asaj kohe që shoqërohet me një serial dosjesh voluminoze për vite me radhë, duke vuajtur pothuajse të gjitha burgjet e vendit, si Elbasan, Vlorë, Spaç, Rrëshen, Burrel, Ballsh, Qafë-Bari. Në një gjendje të rënduar psikike dhe i vendosur për të vrarë veten largohet nga internimi, por arrestohet vetëm dy ditë më pas, pas një përpjekje me forcat e ndjekjes. Në 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit dhe u varros në një gropë shtylle, gati në këmbë, duke e mbuluar me dhe e gurë e sipër i vunë ferra e shkurre, si për të shuar tërësisht ekzistencën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›