“Kështjella”, kandidat si libri më i mirë i huaj në Britani
ALMA MILE
Romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, renditet në listën e veprave kandidate për çmimin e romanit më të mirë të huaj, i cili jepet nga “The Indipendent”. I përkthyer nga frëngjishtja nga David Bellos, i cili nga ana e tij ka kthyer në gjuhën angleze përkthimin e mjeshtrit Jusuf Vrioni, libri i Kadaresë, duket se është pritur mjaft mirë nga lexuesi anglez. Prezantimi i këtij romani, një ndër më të hershmit në krijimtarinë e autorit, që daton në vitin 1970, u zhvillua një vit më parë në Londër e prej aso kohe kritika angleze ka shkruar shpesh për librin e Kadaresë, si një nga librat më interesantë historikë, ku në një sfond mesjetar lëvizin personazhe, të cilët mund t’i gjesh në kohën moderne. Në romanin “Kështjella” (“The Siege”) Ismail Kadareja kthen sytë nga mesjeta shqiptare dhe ndalet tek rrethimi i një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej 70 mijë vetësh. Tanimë lista për Çmimin e “The Indipendent” për romanin më të mirë të huaj, për vitin 2009 është hartuar. Gjen në të tituj e autorë, që vijnë nga kënde të ndryshme të globit, që Japonia, Kina, Izraeli, Spanja, Islanda, Portugalia, etj., e sigurisht edhe Shqipëria. I krijuar në vitin 2001 në partneritet me “Arts Council England”, me një fond prej 10 mijë sterlinash, i ndarë në pjesë të barabarta, mes autorit fitues dhe përkthyesit të tij, çmimi i “The Indipendent” është vlerësimi më i mirë në vend për letërsinë bashkëkohore të përkthyer, një dritare e çmuar në botën e fiksionit dhe një nxitje për një art jo fort të vlerësuar.
I hapur për të gjithë autorët dhe çdo vepër narrative të përkthyer dhe publikuar për herë të parë në Britaninë e Madhe në harkun kohor 2008, këtë vit konkursi ka thithur një numër rekord rekomandimesh, plot 126. Këtë vit juria, e përbërë nga shkrimtarja dhe gazetarja Linda Grant, poetesha, botuesja dhe përkthyesja Fiona Sampson, themelues dhe botues i sitit ReadySteadyBook, Marco Thwaite, Kate Griffin nga ACE dhe Boyd Tonkin, gazetar, ka kaluar nëpër duar vepra të përkthyera në 25 gjuhë. Në fund u është dashur ta reduktojë këtë numër të madh zërash në një kor prej 16 titujsh. Në fillim të prillit, kjo listë do të reduktohet në 6 dhe në mes të muajit maj, do të shpallet fituesi. Sipas jurisë së “The Indipendent”, për momentin të gjitha këto vepra dhe autorët e tyre janë për t’u vlerësuar, pasi çdonjëri prej tyre është pasuruar shpirtërisht, duke lexuar këta libra.
Lista e pretendentëve 2009
“Si e rregulloi gramafonin ushtari”- Sasa Stanisic
“Drejtori”- Alexander Ahndoril
“Voiceover”- Celine Curiol
“Mbreti i bardhë”- Gyorgy Dragoman
“Natë pune”- Thomas Glaviniæ
“Një fëmijë i bekuar”- Linn Ullmann
“Kështjella”- Ismail Kadaré
“Koma Pekin”- Ma Jian
“I përmalluari”- Eshkol Nevo
“Pishina e zhytjeve”- Yoko Ogawa
“Armata”- Evelio Rosero
“Blu Fox”- Sjon
“Romani 11- Libri 18”- Dag Solstad
“Informatori”- Juan Gabriel Vasquez
“Friendly Fire’ - AB Yehoshua
“Gratë e babait”- José Eduardo Agualusa