Pakica e Gjykatës: Pse ligji nuk shkel Kushtetutën
Aristir Lumezi
Ligji i Legalizimeve nuk shkel Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore. Ky është mendimi i katër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë votuar pro ligjit të Legalizimeve dhe kompetencave të ALUIZNI-t dhe kundër kërkesës së një grupi deputetësh për t’i shpallur dispozitat e tij antikushtetuese. Kryetari i kësaj gjykate, Vladimir Kristo, dhe tre anëtarët e tjerë Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori, Vitore Tusha kanë argumentuar qëndrimin e tyre kundër kërkesës së deputetëve të kuvendit. Kujtojmë se votimi i kësaj kërkese rezultoi me 5 vota pro kërkesës dhe katër vota kundër saj nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në argumentimin e tyre, të botuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, katër anëtarët e saj mbështeten në përcaktimin juridik që bën Karta Evropiane e Autonomisë Vendore. “Ne mendojmë se argumenti i shumicës, sipas të cilit ALUIZNI u ka marrë organeve të qeverisjes vendore funksionin e planifikimit dhe menaxhimit të tokës, duke cenuar parimin e autonomisë vendore, nuk është i bazuar. Është e vërtetë, se me ndryshimet ligjore të kundërshtuara, janë marrë disa nga funksionet e mësipërme të qeverisjes vendore, por në rastin në shqyrtim një gjë e tillë nuk vjen në kundërshtim me kuadrin juridik në këtë drejtim. Pjesë e këtij kuadri juridik është edhe Karta Evropiane e Autonomisë Vendore e ratifikuar më ligjin nr.8548, datë 11.11.1999. Sipas nenit 4 pika 3 të kësaj Karte, “Ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve. Dhënia e një përgjegjësie një autoriteti tjetër duhet të bëhet duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e detyrës, si dhe kërkesat e aftësisë dhe ekonomisë”, shprehen katër anëtarët e gjykatës në argumentimin e tyre. Ata këmbëngulin se “dispozita e sipërcituar e Kartës lejon dhënien e një përgjegjësie një autoriteti tjetër me kusht, që të mbahen parasysh disa kritere si rëndësia, natyra e detyrës, si dhe kërkesat e aftësisë e të ekonomisë”. Mendimi i pakicës, mbështetet dhe në qëllimin që ka pasur ky rregullim i ligjit për të thjeshtuar procedurat e zbatimit të legalizimeve në të gjithë vendin. “Ne mendojmë, se në rastin në shqyrtim janë plotësuar kërkesat e mësipërme të Kartës për marrjen e një kompetence/funksioni të qeverisjes vendore. Subjektet e interesuara, argumentuan përpara Gjykatës Kushtetuese se ndryshimi ligjor i kundërshtuar ka pasur si qëllim, mes të tjerash, edhe thjeshtimin e procedurave ligjore të legalizimit dhe ka mbajtur parasysh pamundësinë e organeve të qeverisjes vendore për të administruar procesin e legalizimit, përmasat e informalitetit si dhe rëndësinë kombëtare të zgjidhjes së këtij problemi. Ne mendojmë se ligjvënësi ka diskrecion të bëjë vlerësime të kësaj natyre dhe në rastin konkret, ky vlerësim është i balancuar. Nga ana tjetër, ndërtimet pa leje janë një fenomen i jashtëzakonshëm, që nga pikëpamja territoriale prekin pjesë të kufizuara të njësive të qeverisjes vendore”, thuhet në argumentimin e gjyqtarëve. Pakica në këtë vendimmarrje e mbështet kushtetutshmërinë e ligjit edhe në marrjen e përkohshme të kompetencave të pushtetit vendor nga ana e ALUIZNI-t. “Marrja e kufizuar e kompetencave, duke ia ngarkuar ALUIZNI-t përmbushjen e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, është e përkohshme. Për pasojë, me përfundimin e procesit të legalizimit, ALUIZNI nuk do të ketë asnjë kompetencë që lidhet me menaxhimin e tokës, në kuptim të nenit 10/3/I/g të Ligjit ‘Për Qeverisjen Vendore’”, shprehet mendimi i pakicës. Pas këtij argumentimi të gjatë, katër anëtarët e gjykatës Kushtetuese mendojnë se argumentet për antikushtetutshmëri të ligjit të “Legalizimeve” nuk janë aq të forta sa ta rrëzojnë atë. “Për sa më sipër, ne mendojmë, se duke prezumuar kushtetutshmërinë e ligjit të kundërshtuar, si parim i vetëpërmbajtjes gjyqësore dhe në mungesë të argumenteve të forta për jokushtetutshmërinë e ligjit, Gjykata Kushtetuese duhet të kishte rrëzuar kërkesën e paraqitur”, shprehen në argumentimin e tyre katër anëtarët e kësaj gjykate.
Gjykata: ALUIZNI do legalizojë shtesat pa leje
Gjykata Kushtetuese megjithatë i ka lënë në fuqi ALUIZNI-t disa kompetenca jo parëndësi. Ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” nuk rrëzoi si antikushtetuese disa nene, të cilat socialistët në kërkesën e tyre i cilësonin në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit. Ligji i lë kompetencë agjencisë shtetërore legalizimin e shtesave në ndërtimet me leje. “Ky ligj i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga KRRT-të apo KRRTRSH-ja, tek të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, si dhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993. Këtu përfshihet edhe legalizimi i objekteve të miratuara me vendim të KRRT-së së njësisë së qeverisjes vendore ose të KRRTRSH-së, të cilat kanë ndryshime në funksionin e hapësirave”, shprehet ligji në nenin 23 të tij. Gjykata në argumentimin e saj edhe pse sheh cenim të së drejtës për vetëqeverisje të pushtetit vendor, e sheh të lejueshëm në disa nene rolin e ALUIZNI-t, pasi sipas saj legalizimi i ndërtimeve pa leje hyn në ato çështje me rëndësi kombëtare e strategjike për interesat e vendit, të cilat duhet të ushtrohen nën autoritetin e pushtetit qendror. Gjykata nuk rrëzoi gjithashtu, edhe nenin 4 të ligjit, i cili i jep Agjencisë të drejtën e dhënies së lejes së Legalizimit.