E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lider”, fillon sfida e politikanëve të ardhshëm

 

Të rinjtë e të rejat më të mirë mes qindra konkurrentëve do të paraqesin idetë e tyre përpara një paneli ekspertësh në 8 puntata deri në fillimin e programit “Lider”, reality shou origjinal i televizionit kombëtar “Klan”. Si do të trajtonin problemet politike të rinjtë e të rejat, studentë apo pedagogë që nuk janë të përfshirë në parti politike? Një parathënie të vogël na e japin audicionet e programit “Lider”, i cili pas konkurrimit të qindra të rinjve e të rejave nga 17 deri në 35 vjeç, ka përzgjedhur 64 prej tyre. Përpara një jurie të përbërë nga akademikë, studiues, gazetarë apo politikanë, secili prej tyre mban një fjalim për një temë që e ka zgjedhur vetë, jep gjykimet për krerët e politikës Berisha, Rama, apo të tjerë dhe u përgjigjet pyetjeve ngacmuese të jurisë, që nisin nga shteti dhe mbarojnë tek jeta e tyre private. Dje u shfaqën 7 konkurrentët e parë që vinin nga vise të ndryshme të hapësirave ku jetojnë shqiptarët, të rinj me orientime të ndryshme politike dhe me interesa të ndryshme për jetën. Fationa Rrahmani vjen nga Maqedonia dhe studion ne Universitetin “Marin Barleti” për Shkenca Politike. Erogen Lluka ka mbaruar studimet për drejtësi në Angli dhe kërkon të ndryshojë vendin me qasje krejtësisht kritike për klasën politike të vendit të vet; Dorina Ndreaj vazhdon studimet për drejtësi dhe propozon një model të ri të drejtimit mbështetur në punën në skuadër. Vjen nga Burreli, por nuk i pëlqen mbreti Zog. Janë këto disa prej portreteve politike të audicionit të parë, shfaqur të shtunën. Dje u shfaqen 8 të tjerë, mjaft interesantë. Audicionët do të transmetohen çdo fundjavave në orën 20.05 dhe do të ritransmetohen të nesërmen në orën 12.15 në “Tv Klan”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›