E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, 150 mijë tapi deri në zgjedhjet e qershorit

 

ADI SHKEMBI

Deri në zgjedhjet e 28 qershorit qeveria do të legalizojë edhe 150 mijë objekte informale. Këtë e konfirmoi dje kreu i ALUIZNI-it, Shaban Memia, gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”. Sipas tij deri në këto momente kjo agjenci ka bërë gati dosjet për të gjitha këto objekte dhe gjithçka është vendosur në pritje për t’u kaluar njëra pas tjetrës në mbledhjet e qeverisë. “Deri tani kemi përpunuar dosjet për 150 mijë objekte, që ndryshe do të thotë 60% e të gjitha objektive informale në të gjithë vendin dhe që presin të kalojnë me vendim të Këshillit të Ministrave. ALUIZNI ka bërë gjithçka ka për detyrë për përgatitjen e këtyre dosjeve, tani i ngelet mbledhjes së qeverisë për t’i dhënë miratimin”, deklaroi Memia. Këta persona, sipas kreut të ALUIZNI-t do të duhet të paguajnë detyrimet ndaj shtetit dhe që kanë të bëjnë me pagesës e taksës së infrastrukturës, rreth 150 mijë lekë të reja, përpara se të marrin dokumentin e pronësisë. Deri tani me vendim të Këshillit të Ministrave u janë dhënë tapitë rreth 25 mijë personave që kanë aplikuar për procesin e legalizimeve. Ndërkohë, sipas kreut të këtij institucioni, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndikuar aspak në punën e përditshme për kompletimin e dosjeve për objektet e palegalizuara. Sipas një vendimi të kësaj gjykate, u rrëzuan disa nene të ligjit të Legalizimeve, të cilat i marrin kompetencat pushtetit vendor dhe ia japin ALUIZNI-t për të vazhduar procesin.
Gjobat
Bashkia e Tiranës ka përfituar nga procesi i legalizimit 2.5 milionë dollarë që nga 1 tetori i vitit 2007. Kreu i agjencisë së legalizimeve, Shaban Memia theksoi se nga kjo datë janë dhënë 11 mijë tapi për shtesat pa leje të pallateve, dyqanet dhe garazhet. “Nga 1 tetori i vitit 2007 dhe deri në këto momente që flasim janë legalizuar dhe kanë marrë aktin e pronësisë 11 mijë objekte dhe që janë shtesa apartamentesh, dyqane, garazhe. Për të gjithë këtë proces, poseduesit e këtyre pronave kanë paguar edhe gjobat sipas ligjit në fuqi. Nga llogaritjet e bëra, rezulton se vetëm Bashkia e Tiranës ka përfituar rreth 250 milionë lekë të reja nga mbledhja e këtyre detyrimeve”, theksoi Memia. Procesi i legalizimit ka hasur vështirësi që nga nisja e tij, kur pas miratimit të ligjit nga PD-ja në vitin 2006, atë e ktheu për rishqyrtim Presidenti Moisiu. Në të njëjtën mënyrë edhe kreu aktual i shtetit kthehu për rishqyrtim rreth 1 vit më parë disa ndryshime në këtë ligj, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar së fundi disa nene të ligjit.

Amendimi, PD i përgjigjet vendimit të Kushtetueses
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa neneve, maxhoranca ndërmerr nismën për ndryshimin e ligjit të Legalizimeve, duke iu shmangur vendimit të kësaj gjykate. Gjashtë deputetë të PD-së, Ardian Kollozi, Parid Teferiçi, Arenca Trashani, Gjovalin Prenga, Flori Bajramaj dhe Ramiz Çobaj kanë depozituar në Kuvend amendamentin për t’iu përgjigjur kërkesës së Kushtetueses, pas rrëzimit të nenit 7, të ligjit. Duke parë se vendimi i Kushtetueses i dhënë më 2 shkurt sillte bllokimin e procesit të mëtejshëm të legalizimit të zonave informale, deputetët kanë paraqitur ndryshimin, duke synuar zhbllokimin e situatës. Amendamenti i paraqitur sërish nuk e shmang konfliktin ndërmjet organeve të qeverisë dhe atyre të pushtetit vendor. Propozimi synon që nëse shkelen afatet nga bashkitë dhe komunat, ALUIZNI ia merr kompetencat sërish, por kësaj here me anë të afateve që do t’i vendosë Këshillit të Ministrave. “Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës apo këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në amendimin e 6 deputetëve. Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar pikërisht nenin 10 të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Në të theksohej se, “në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI, në përputhje me pikën 4, të nenit 4 të këtij ligji, merr përsipër të ushtrimin e këtyre përgjegjësive”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›