Projekti, familjet në nevojë do të përfitojnë punë nga bashkia
Emanuela Sako
Familjarët që trajtohen me ndihmë ekonomike, nuk do të marrin më para në dorë, por do të punësohen në një nga projektet e Bashkisë së Tiranës për të përfituar shumën e parave. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin për financimin e pjesshëm të projektit “Kushtëzimi i ndihmës ekonomike me punë e shërbime në komunitet”. Ky projekt do të shtrihet në të gjitha njësitë bashkiake në kryeqytet dhe nuk do të përfshijë të gjitha kategoritë e qytetarëve. Të gjithë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe janë të regjistruara në një nga 11 njësitë bashkiake, do t’iu jepet mundësia të punojnë në një nga projektet që do të paraqesin njësitë bashkiake për punën në komunitet. Puna që do të bëjnë qytetarët që do të përzgjidhen mund të jetë shtrim rrugësh, hidraulik, kaldajist, shofer etj. Kjo varet nga mungesat që do të kenë në staf për punën që mund të kryhet. Nëse qytetarët nuk pranojnë që të punësohen në këto punë, atëherë ata automatikisht përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike. Në këtë projekt përfshihen edhe të moshuarit e vetmuar, të cilët nuk kanë mundësi jetese apo janë të kushtëzuar nga probleme të tjera sociale. Për këtë kategori, Bashkia e Tiranës, do të vërë në ndihmë të tyre disa punonjës, ku do t’iu garantohet një vakt ushqimi falas. Në këtë mënyrë ata do të kenë mundësi të kalojnë dhe disa momente nën shoqërinë e punonjësve që do t’iu ofrohen për ndihmë. Në këtë kategori përfshihen të gjithë ata të moshuar që jetojnë vetëm në shtëpitë e tyre për arsye se nuk kanë fëmijë, fëmijët i kanë lënë vetëm, apo fëmijët e tyre jetojnë jashtë vendit.
Kushtëzimi
Strategjia e Ministrisë së Punës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës vendosën që ndihma ekonomike të kushtëzohet me punë në komunitet. Në këtë mënyrë, shpenzimet për shpërndarjen e ndihmës ekonomike nuk do të jepen për aq kohë sa qytetarët do të shpërblehen në bazë të punës që do të kryejnë. Kompensimi i dhënies së parave me punën në komunitet mundëson dhe punësimin e atyre qytetarëve që nuk kanë mundësi të gjejnë punë. Njëkohësisht, shmangen dhe abuzimet që mund të bëhen nga qytetarët për përfitimin e padrejtë të ndihmës ekonomike. Projektet për kushtëzimin e kësaj ndihme me punë apo shërbime në komunitet mund të jetë me kohë të plotë pune ose me kohë të pjesshme pune, për disa ditë në muaj. Bashkitë apo komunat përcaktojnë fushat dhe përparësitë, ku do të zbatohen projektet për punë komunitare apo për shërbime shoqërore. Këshilli Bashkiak ose i komunës miraton një herë në katër muaj projektet e punëve komunitare apo të shërbimeve shoqërore me kohë të plotë pune,
si dhe listën e personave që do të marrin pjesë në zbatimin e projekteve me kohë të plotë pune etj. Në punët komunitare nuk do të përfshihen personat me aftësi të kufizuar të përhershme apo dhe të përkohshme, si dhe ato mbi moshë pune, të cilët nuk kanë mundësi për të kontribuar në këto punë e shërbime në komunitet. Në këtë rast familjet e tyre vazhdojnë të përfitojnë ndihmë ekonomike.
Pagesa
Masa e pagesës së personave, pjesëmarës në projektet e punëve e të shërbimeve në komunitet, me kohë të plotë pune, nuk duhet të jetë më e vogël se paga minimale në shkallë vendi. Ndërsa fondet e nevojshme për pagesën në këto projekte sigurohen nga fondi i ndihmës ekonomike që llogaritet sipas strukturës së familjeve që marrin pjesë në këto projekte. Por, ata nuk do të përfitojnë më shumë se 7.000 lekë në muaj. Njësitë e qeverisjes vendore, që kushtëzojnë shpërndarjen e ndihmës ekonomike me punë e shërbime në komunitet, raportojnë, përpara nisjes së projektit në zyrën rajonale të shërbimit social shtetëror për gjendjen e ekonomike dhe sociale të familjeve.
1 Tetor 2008