E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, “i vdekuri” flet nga spitali

• Lajmi se ai kishte humbur jetën në tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec ka marrë dhenë, por në fakt ai është gjallë.

Trazhgim Sokolaj

Sadik Sulaj, 50 vjeç, i cili punonte në fabrikën e demontimit të predhave, ndodhet ende në repartin e mjekimit të djegieve në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë. Gjendja e tij është përmirësuar edhe pse në duar dhe në kokë mban ende fashat mbi plagët e shkaktuara prej ngjarjes. Më datë 16 mars 2008, një ditë pas tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec të Vorës, mediat transmetuan lajmin se viktimat e ngjarjes kishin arritur në tetë persona, duke renditur në këtë listë edhe emrin e tij. Ky informacion i referohej deklaratës së dhënë nga zyra e shtypit në Këshillin e Ministrave, pas një vizite të Kryeministrit të zhvilluar në Spitalin Ushtarak tek personat e plagosur që mjekoheshin aty. Duke iu referuar këtij informacioni të cituar nga një njoftim i Kryeministrisë i datës 16 mars 2008, edhe gazeta “Panorama” ka publikuar dje një lajm sipas të cilit, Sadik Sulaj ndodhej në listën e personave që kishin humbur jetën si pasojë e shpërthimeve në Gërdec. Në fakt personi në fjalë ndodhet në repartin e djegieve në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke marrë mjekime për dëmtimet që i janë shkaktuar nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. E gjithë ngatërresa ka ndodhur në morgun e Tiranës, më 15 dhe 16 mars pas ngjarjes së rëndë. Kjo ngatërresë nuk ka kaluar lehtë për ushtarakun që është përballur me dhjetëra telefonata së bashku me të afërmit e tij. Të afërm e të njohur kanë telefonuar dhe atij i është dashur që veç ndjekjes së mjekimeve nga mjekët të sqarojë se informacioni i përhapur në media nuk ishte aspak i vërtetë. Vetë 50-vjeçari Sadik Sulaj, tregoi dje si ka ndodhur që ai është renditur gabimisht nga mediat dhe informacionet zyrtare në listën e viktimave të ngjarjes.
Ngatërresa në morg
“Shpërthimi që ndodhi në Gërdec më hodhi disa metra tutje pasi isha duke punuar në fabrikë. Vala goditëse e shpërthimit më hoqi edhe disa rroba nga trupi bashkë me celularin. Në këtë moment kishte rënë diku në tokë telefoni celular, të cilin siç duket e ka marrë dikush tjetër që ndodhej aty pranë në vendin e ngjarjes dhe që mund të ketë parë telefonin në tokë. Ky person që mbante me vete telefonin tim, siç duket është dëmtuar nga shpërthimet që ndodhën më vonë dhe si pasojë e dëmtimeve që ka marrë është dërguar pa jetë në morg. Ndërkohë telefoni im ishte i ndezur. Më 16 mars të afërmit dhe persona të njohur që më kërkonin, kanë bërë thirrje në telefonin tim celular që kishte mbetur në rrobat e këtij personi të vdekur nga ngjarja, i cili kishte mbërritur pa jetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë”, tregon 50-vjeçari ngatërresën që gabimisht e renditi në listën e viktimave. Duke dëgjuar thirrjet telefonike që mbërrinin në celularin e tij, i cili ndodhej në rrobat e një të vdekuri që mbahej në morg, të gjithë kanë menduar se viktima ishte përdoruesi telefonit. Askush nuk ka pasur dijeni se celulari ishte marrë në vendin e ngjarjes nga një person i ndryshëm nga zotëruesi i tij i vërtetë. Siç duket dikush nga Mjekësia Ligjore i është përgjigjur telefonatave që shkonin në celularin e Sadik Sulës. Pasi është përgjigjur duket se punonjësi i morgut ka pyetur kë po kërkonin telefonuesit dhe ata i kanë thënë se po interesoheshin për Sadik Sulën, pasi ai numër telefoni i përkiste atij. Punonjësi i morgut fillimisht ka komunikuar me disa gazetarë që ndodheshin tek porta hyrëse e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Më pas punonjësi i morgut duket se ka përcjellë informacionin në Ministrinë e Shëndetësisë prej nga ka mbërritur në Kryeministri. Në këtë kohë në fakt, në morgun e Tiranës kishin mbërritur dy të vdekur, ndërsa veç ngatërresës me personin që kishte celularin e 50-vjeçarit në rroba, zyrtarisht u tha se viktima tjetër nuk ishte identifikuar. Ky ka qenë keqkuptimi i pazakontë, një ngatërresë që përveç njerëzve të tij të afërm askush tjetër nuk mori mundimin ta korrektonte për të thënë të vërtetën. Pavarësisht ngatërresës në morg askush nuk është kujtuar të verifikojë se emri i tij ndodhej në listën  e të plagosurve që kishin mbërritur gjallë e po mjekoheshin në spital.
“Gabim njerëzor”
Sadik Sulaj nuk dëshiron të japë intervista lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gërdec. Ai është marrë në pyetje nga oficerët e grupit hetimor, të cilët kanë shkuar në spital dhe kanë marrë sqarime prej tij lidhur me mënyrën si ka ndodhur ngjarja. Pa dashur të japë sqarime më tej, 50-vjeçari Sadik Sulaj thotë se, ka qenë një gabim njerëzor. “Këtë gjë u kam thënë edhe hetuesve që më kanë pyetur këtu në spital, që ka qenë një gabim njerëzor”, pohon 50-vjeçari. Ai tregon se ditën kur ndodhi tragjedia kishte shkuar në punë tek fabrika e demontimit në Gërdec me makinën e tij, një “Mercedes Benz 250” që i kishte kushtuar 8 mijë euro. “Makina është shkatërruar tërësisht nga shpërthimi ndërsa unë jam i plagosur në spital, deri më tani nuk më ka kontaktuar askush për dëmshpërblimin”, thotë 50-vjeçari duke shtuar se, ka pasur dokumentacion të rregullt për makinën dhe lejen e drejtimit, por të gjitha kanë mbetur brenda automjetit që është shkatërruar. “Nuk e di ku të drejtohem, në këtë gjendje që jam nuk kam mundësi të lëviz, por ai është një dëm që më është shkaktuar pasi makina u shkatërrua krejtësisht. Ishte fati im që nuk ndodhesha në makinë kur u godita nga vala e shpërthimit, se rrezik nuk do të kisha shpëtuar pasi makina u dëmtua krejtësisht”, thotë 50-vjeçari Sadik Sulaj, nga reparti i mjekimit të djegieve në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.    

Njoftimi i gabuar, më 16 mars 2008

“Ka arritur në tetë numri i viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri Berisha gjatë një vizite tek të plagosurit në Spitalin Ushtarak. Berisha tha se, në morgun e Tiranës kane mbërritur edhe trupat e pajetë të dy personave. Njëri prej tyre është Sadik Sulaj, kurse personi tjetër nuk është identifikuar ende”.
Ky ka qenë lajmi i bërë publik, më 16 mars 2008 nga mediat televizive referuar të dhënave të marra nga qendra e informacionit në Këshillin e Ministrave, siç duket pas ngatërresës së ndodhur në morgun e Tiranës me telefonin e Sadik Sulajt.

Sulaj: Më nxorën nga zona e shpërthimit rreth orës 17:00
TIRANE – Sadik Sulaj, i cili kishte mbetur i plagosur dhe me djegie të shumta në zonën ku ndodhën shpërthimet në Gërdec është nxjerrë nga vatra e rrezikut nga forcat e shpëtimit rreth orës 17:00 të 15 marsit 2008. Pasi forcat e shpëtimit e kanë nxjerrë nga zona ku kishte mbetur prej goditjes së shpërthimit, Sadik Sulaj është transportuar në drejtim të spitalit për mjekim pasi veç tronditjes kishte marrë djegie si pasojë e flakëve. Siç citohet edhe në dosjen e Prokurorisë, ai ka dhënë deklarime më pas lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gërdec. Pa dashur të komentojë, Sadik Sulaj tha dje gjatë komunikimit me gazetën se, ngjarja ka qenë një gabim njerëzor dhe se këtë pohim kishte bërë edhe kur ishte marrë në pyetje nga oficerët dhe hetuesit e policisë në spitalin ku po mjekohet. “Dëshminë e kam dhënë në spital dhe jo në Vorë, pasi atë ditë në ato momente kam qenë në gjendje të rëndë si pasojë e goditjes nga shpërthimi”, tha Sulaj. Prokuroria ka marrë në pyetje edhe pesë persona të tjerë, të cilët kanë treguar për hetuesit rrethana që kanë interes për hetimin e çështjes dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›