Rreziku nga municionet, kur Moisiu i shkruante Berishës
E dinte apo nuk e dinte Kryeministri se çfarë ndodhte në Gërdec? Na u përgjigj në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, më 19 mars 2008, se absolutisht për herë të parë e dëgjoi Gërdecin kur ndodhi tragjedia, më 15 mars pas shpërthimit. Pasi u betua se kjo ishte hera e parë që dëgjonte për Gërdecin na tregoi për historinë e kasetës me bisedën e regjistruar mes Kosta Trebickës dhe Devirolit, ku përmendej emri i djalit të tij, pra se si kishte folur një muaj më parë për Gërdecin, madje tregoi edhe historinë e gazetarit të "New York Times". Por "Fiks Fare" tregoi dje edhe një dokument zyrtar, që dëshmon se që para një viti, Kryeministri është vënë në dijeni për trafikun e municioneve.
Ish-presidenti i Republikës, zoti Alfred Moisiu, në një letër përcjellëse drejtuar ish-ministrit të Mbrojtjes, zotit Fatmir Mediu dhe për dijeni Kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha, kërkon informacion zyrtar për gjendjen e sigurisë së municioneve në Forcat e Armatosura Shqiptare. Letra zyrtare mban datën 27 mars 2007.
Shqetësimi i ish-presidentit erdhi pas operacioneve të policisë me emrin e koduar "Cikloni", gjatë të cilit u arrestuan (20 mars 2007) katër shtetas me akuzën e trafikut të armëve dhe municioneve, si dhe u sekuestruan 57 mijë fishekë luftarakë. Katër personat u kapën në flagrancë në afërsi të fshatit Karbunarë të Lushnjës, duke transportuar me kamion, "Benz Mercedes", me targë U 1166, një sasi prej 54000 fishekë luftarakë të modelit 56, të kalibrit 7.62 mm. Kjo sasi u gjet e fshehur poshtë një ngarkese me gurë dhe e vendosur në 90 arka metalike. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një sasi tjetër prej 3000 fishekësh të kalibrit 7.62 mm, në 60 pako, gjetur në një banesë.
Lajmi i publikuar një vit më parë për arrestimin e këtyre ushtarakëve bëri bujë. Ish-komandanti i Forcave të Armatosura, Moisiu, si kryetar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe zyrtari më i lartë përgjegjës për realizimin e misionit dhe objektivave në fushën e sigurisë së vendit, të mbrojtjes së interesave kombëtare, më 23 mars 2007, në orën 19.00 kërkoi takim me zv/ministrin e Mbrojtjes, zotin Petrit Karabina, për të marrë një informacion më të plotë për ngjarjen në fjalë, pasi ministri i Mbrojtjes në atë kohë ndodhej jashtë vendit.
Në letrën zyrtare që ish-presidenti i ka dërguar ish-ministrit Mediu dhe Kryeministrit Berisha, vëren se me keqardhje ka konstatuar që takimi nuk u realizua për shkak të pengesave joserioze që ministri Mediu i nxori zëvendësit të tij. "Pengesat që ju i krijuat zotit Karabina për këtë takim jo vetëm që nuk janë serioze, por ato përbëjnë një ngjarje paprecedent në praktikën e deritanishme të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të larta të shtetit", shkruan Moisiu në letrën e tij përcjellëse.
Në fund të saj, ish-komandanti i FASH i kërkon ministrit të Mbrojtjes informacion me shkrim brenda datës 6 prill 2007 për gjendjen e sigurisë së municionit në Forcat e Armatosura dhe masat e marra për mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Por askush nuk u mor me këtë çështje. Kjo letër, veç të tjerash, dëshmon sesi komunikon Kryeministri me institucionet e tjera. Me Presidentin e vendit nuk komunikonte, me Prokurorin e përgjithshëm nuk fliste fare, shefin e SHISH, me të cilin ka dy vjet e ca pa u takuar, Gjykatën Kushtetuese etj.
Deklarata
BERISHA
Unë, Sali Berisha, deklaroj se për herë të parë në jetën time, kam dëgjuar fjalën Gërdec, më 15 mars të këtij viti
Buxhetorët
Urdhri i Stringës për 10 përqindëshin
Kryeministri Berisha gënjeu përsëri dje kur përgënjeshtroi zërat që ai kishte dëgjuar se buxhetorëve do t‘u mbahet 10% e pagës, si kontribut për të ndihmuar banorët e Gërdecit. Sipas zotit Kryeministër, nuk ka asnjë urdhër për të ndalur 10% të pagës së buxhetorëve për të shkuar në llogarinë e fondeve të solidaritetit për të ndihmuar të dëmtuarit e ngjarjes së Gërdecit. Sipas tij, çdo ndihmë është vullnetare dhe jo e detyrueshme. Por "Fiks Fare" publikoi dje një urdhër të dekanit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, zoti Omer Stringa. Ky urdhër mban numrin 02 dhe i përket datës 18 mars 2008.
Nën sloganin e grumbullimit vullnetar të fondeve me destinacion përdorimin e tyre për riparimin e pasojave të dëmeve në zonën e fatkeqësisë, dekani urdhëron që të organizohen procedurat për grumbullimin e fondeve nga pedagogët, punonjësit e administratës dhe studentët e këtij fakulteti. Për pedagogët, ky fond do të krijohet duke u mbajtur atyre nga paga mujore 10 për qind të saj. Për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi, dekani Stringa ka ngarkuar kancelarin dhe degën e Financës. Urdhri mban firmën e dekanit Stringa, stemën e Universitetit të Tiranës dhe atë të Fakultetit të Ekonomisë.
SSSASS