"Gërdeci, korrupsion qeveritar me 26 viktima"
AMNESTY INTERNATIONAL
Raporti rrëzon pretendimet e qeverisë për ulje të papunësisë, rritje të mirëqenies sociale, ulje të trafiqeve apo të dhunës ndaj grave
"Niveli i papunësisë në Shqipëri mbetet në nivele të larta, edhe pse ka progres ekonomik. Më shumë se 18 për qind e popullsisë jetojnë në një varfëri ekstreme me të ardhura më pak se dy dollarë në ditë. Dhuna në familjet shqiptare është shumë e përhapur dhe në rritje.
Trafikimi i dhunshëm i grave dhe fëmijëve për prostitucion dhe forma të tjera shfrytëzimi vazhdon ende. Janë shënuar incidente torture dhe raste të tjera dhune ndaj të arrestuarve në komisariate policie. Kushtet e të burgosurve janë çnjerëzore dhe trajtimi i tyre është në degradim. Jetimëve të rritur u është mohuar e drejta për të pasur shtëpi". Kjo është një përmbledhje e raportit të fundit të Amnesty International për vendin tonë.
Ndryshe nga të gjitha premtimet e qeverisë, Ai e cilëson Shqipërinë si një vend me probleme të mëdha sociale ku 18% e popullsisë nuk ka mundësi të shkojë në shkollë, në spitale ose të përfitojë kujdes social.
Sipas tij, Gërdeci ishte një rast i korrupsionit qeveritar. "Një hetim është kryer pas shpërthimit të depove në mars.
Ministri i Mbrojtjes ka dhënë dorëheqjen nga detyra dhe humbi imunitetin e tij ndërsa disa zyrtarë të ministrisë u arrestuan. Shpërthimi solli 26 viktima, më shumë se 300 të plagosur dhe shkatërrimin e qindra shtëpive. Kjo ngjarje nxori në pah akuzat për korrupsion shtetëror dhe tregtinë e paligjshme të armëve",- thuhet në raportin e AI.
Raporti citon ndryshimet kushtetuese, duke përfshirë edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. "Në nëntor 2008, u vu në zbatim një kod i ri elektoral.
U bënë ndryshime në ligjet kriminale për mbrojtjen e fëmijëve ndërsa është vënë në zbatim një ligj për barazinë gjinore që synon rritjen e përfaqësimit të femrave në jetën publike",- thotë raporti.
Një nga temat e prekura në raport është zhdukja e Remzi Hoxhës dhe implikimi në të i ish-punonjësve të Shërbimit Informativ.
Ai përmend faktin që ende nuk dihet asgjë për Remzi Hoxhën si dhe arrestimin e Ilir Kumbaros nga policia britanike.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave të reja është një nga problemet më shqetësuese të raportit të Amnesty International. Sipas tij, dhuna në familje është shumë e përhapur dhe mendohet që prek një në tre femra.
"Në nëntë muaj policia ka regjistruar 612 incidente të dhunës në familje, edhe pse shumë të tjerë mendohet që nuk janë raportuar. Autoritetet kanë marrë masa për të rritur mbrojtjen për viktimat e dhunës por shumë pak raste janë proceduar penalisht, vetëm ato kur ka pasur kërcënime për vdekje ose me dëmtime shumë të rënda.
Gjykatat raportojnë 235 raste kur gratë e dhunuara kërkojnë ndihmë por në pjesën më të madhe të rasteve ato janë tërhequr",- thuhet në raport.
"Gratë dhe vajzat shqiptare vazhdojnë që të shfrytëzohen për prostitucion ndërsa fëmijët për lypsari në Itali e Greqi. Mbrojtja e policisë për viktimat e trafikut mbetet e dobët dhe kryesisht pritet që vetë viktimat të denoncojnë tutorët",- citon raporti.
TORTURA
Raporti përmend raste të shuma të dhunës që ushtrohet mbi të dënuarit ose të arrestuarit kur merren në pyetje
Amnesty: Situata në burgje, çnjerëzore
Raporti i të Amnesty International është marrë gjerësisht edhe me situatën në burgje dhe kushtet e të dënuarve apo të arrestuarve. Sipas tij, ka shumë raste që të ndaluarit torturohen menjëherë pas arrestimit apo gjatë marrjes në pyetje. "Në tetor 2008, Ministria e Brendshme pohoi se gjatë tre viteve të fundit, 128 policë janë kallëzuar në polici për veprime arbitrare dhe përdorim dhune.
Por shumë pak prej këtyre rasteve shkuan në gjykatë. Në përgjithësi, procedimet penale nisin vetëm nëse viktima bën ankesë apo denoncim. Në një rast prokuroria dhe gjykata nuk nisën procedim penal kur një i arrestuar u paraqit përpara tyre me shenja shumë të dukshme dhune gjatë një seance në gjykatë",- thuhet në raport.
Ai analizon veprimet e prokurorisë duke i konsideruar të gabuara në pjesën më të madhe të rasteve. Kjo pasi prokuroria preferon që të ndjekë penalisht dhunuesit për veprime arbitrare dhe jo për rrahje ose torturë. Veprimet arbitrare zakonisht dënohen vetëm me gjobë.
Për sa i takon kushteve në burgje, raporti i cilëson si tepër të këqija, madje çnjerëzore. "Ndihma mjekësore është e papërshtatshme dhe të dënuarit me sëmundje mendore nuk ndahen nga të dënuarit e tjerë.
Ata pothuajse nuk marrin fare ndihmë speciale. Në shumë raste të dënuarit, edhe pse me vendim gjykate, mbahen në komisariate policie ku kushtet janë shumë të këqija. Gjatë kësaj kohe janë hapur tre burgje të reja dhe ky është një hap pozitiv",- thotë raporti i Amnesty International.
Jetimët
Shteti dështoi me jetimët
"Shteti shqiptar ka dështuar sërish për të implementuar ligjet që i japin mundësi jetimëve të marrin një arsim të dytë dhe strehim. Rreth 300 të rritur që janë rritur si jetimë vazhdojnë që të ndajnë dhomat me njëri-tjetrin në shtëpi aspak të përshtatshme dhe kjo përkeqëson përjashtimin e tyre social.
Duke pasur shumë pak kualifikime, ata shpesh gjenden të papunë ose duke kryer punë rastësore me rroga shumë të ulëta dhe duke mbijetuar me minimumin e asistencës që u jep shteti. Sipas ligjit shqiptar, jetimët deri në moshën 30 vjeç janë mes grupeve të dobëta që do të kenë prioritet kur të ndërtohen banesat sociale.
Por nuk mund të ndodhë pasi banesat sociale as që i afrohen qëllimit kryesor, strehimit të më shumë se 45 mijë familjeve shqiptare të pastreha".