Grevë te 313-a, kërkohet largimi i drejtorit të burgut
Të burgosurit që ndodhen të izoluar në këtë isntitucion riedukimi kërkojnë përmirësimin e kushteve të tyre
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mohon prej dy ditësh të ketë grevë ndërsa të burgosurit refuzojnë ushqimin nga e enjtja
TIRANË - Të paraburgosurit që ndodhen në qelitë e Burgut 313 në Tiranë kërkojnë largimin e drejtorit të burgut, Shkëlqim Kalemi. Shumica e personave që presin të gjykohen, që qëndrojnë në këtë burg që dje kanë shpallur greve duke refuzuar ushqimin dhe duke parashtruar disa kërkesa të tjera.
Më shumë se gjysma e të paraburgosurve kërkojnë gjithashtu që të largohet kreu aktual i burgut nga detyra, me pretendimin se ky i fundit ka shkelur të drejtat e të burgosurve.
Fillimisht është refuzuar ushqimi derisa kërkesat që kanë paraqitur të paraburgosurit të realizohen. Të paraburgosurit kërkojnë largimin e drejtorit të burgut, pasi sipas tyre ai ka një sjellje arrogante me ta si dhe ka punësuar në stafin e tij njerëz të korruptuar.
Arsyet për largimin e drejtorit të Burgut 313
1- Në marrëdhëniet e tij midis të burgosurve ka sjellje arrogante.
2- Ka marrë në stafin e tij njerëz të korruptuar dhe të pa aftë për të cilët vjelin taksën për drejtorin.
3- Ka bërë kufizimin e hyrjes së ushqimeve nga familjarët me qëllimin e vetëm që produktet ushqimore të paraburgosurve t'i marrin tek një shoqëri private, ku ai merr përqindje.
4- Takimet e dhomave dhe çdo privilegj tjetër i kryen kundrejt një pagese nga 200- 500 euro në muaj.
5- Shërbimi mjekësor dhe dentar brenda institucionit pas ardhjes së drejtorit ka degraduar dhe është kthyer në një mjet përfitimi si dhe në një element të përhapjes së infeksioneve.
Kërkesat e të paraburgosurve
1- Çdo i paraburgosur të ketë mundësi komunikimi me telefon 4 herë në javë
2- Të hiqet kufizimi i ushqimeve dhe familjarëve t'iu krijohen kushte gjatë pritjes për të hyrë në takim. Mungon komunikimi dhe ka vonesa në radhë.
Por nuk janë vetëm këto arsyet pse kërkohet largimi i drejtorit. Një pjesë e madhe të paraburgosurish pretendojnë se drejtuesit e burgut kufizojnë hyrjen e ushqimeve nga familjarë me qëllim që produktet ushqimore të merren tek një shoqëri private.
Në pretendimin e shumicës së personave që presin të gjykohen dhe që vuajnë dënimin në qelitë e 313-ës, thuhet se takimet në dhomat speciale si dhe çdo privilegj tjetër kryhet kundrejt pagesës 200- 500 euro në muaj. Për grevistët edhe shërbimi mjekësor është kthyer në gjendje të degraduar, duke qenë një element i përhapjes së infeksioneve.
Të paraburgosurit kanë përpiluar kërkesat ku më kryesoret janë se çdo personi në burg duhet t'i mundësohet komunikimi në telefon me familjarët katër herë në javë, të hiqet kufizimi i ushqimeve dhe familjarëve t'iu krijohen kushte gjatë pritjes për të hyrë në takim. Sipas të paraburgosurve mungon komunikimi korrekt nga drejtuesit e burgut me familjarët e tyre dhe shpesh krijohen vonesa për takimet.
Kërkesat që kanë personat që vuajnë dënimin në Burgun 313 në Tiranë do t'ia dërgojnë edhe Kryeministrit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut, si dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Vetëm dy javë më parë, institucioni i Avokatit të Popullit publikoi një raport të veçantë pas monitorimit që kishin bërë ekspertët e këtij institucioni në Burgun 313, ku në përmbajtje të tij jepej gjendja e rënduar e infrastrukturës në këtë burg dhe kushtet e këqija të jetesës.
Problem shqetësues për institucionin që mbron të drejtat e njeriut është ajrimi jo i mjaftueshëm për të paraburgosurit në Burgun 313 si dhe prezenca e mjaft insekteve që janë burim sëmundjesh. Drejtuesit e burgut janë shprehur se kjo gjendje vjen për faktin se godina është e amortizuar dhe me lagështire.