E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 45 studentë maqedonas helmohen nga ushqimi

Të rinjtë nga Kërçova kanë konsumuar pica dhe pije freskuese në një lokal në kryeqytet. Shtrohen në Spitalin Ushtarak


TIRANË- Një grup studentësh maqedonas, të cilët kishin ardhur si turistë në vendin tonë janë helmuar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.


Të dhënat e para të policisë dhe mjekëve bëjnë fjalë për 30 studentë që janë paraqitur në spital të helmuar. Shenjat e para të helmimit janë dhënë që në rrugë dhe menjëherë grupi i studentëve maqedonas është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës i shoqëruar nga policia.


Ata janë vendosur në urgjencë ku kanë marrë mjekimin e parë. "Një pjesë e tyre po marrin ndihmën në urgjencë ndërsa disa të tjerë janë shtruar në spital. Të shtruarit janë në gjendje të rëndë. Ata kanë intoksikacion ushqimor.


Ne nuk mund të japim shkakun e saktë të helmimit. Këtë mund ta bëjmë pasi të kemi marrë përgjigjen e analizave që kryhen nga Instituti i Shëndetit Publik. Në këtë fazë mund të themi saktësisht se cili produkt ushqimor i ka helmuar.


Për momentin mund të konfirmojmë vetëm faktin që janë helmuar nga ushqimet. Nga deklarimet që kanë dhënë vetë studentët e helmuar por edhe shoqëruesit e tyre kemi mësuar se ata janë ushqyer në një lokal në Tiranë, në zonën e stadiumit Qemal Stafa",- thanë dje burimet e Spitalit Ushtarak.


Për shkak të numrit të madh të studentëve, një pjesë e tyre janë transferuar për mjekime të mëtejshme në QSUT.


Burimet zyrtare pohuan se studentët e helmuar janë të shkollës "Mirko Milevski", e Kërçovës në Maqedoni. Janë nisur të dielën në orën 22.00 nga Maqedonia dhe të hënën në 05.00 të mëngjesit ndodheshin në Tiranë.


Qëllimi i vizitës ishte ekskursioni. Vetë nxënësit pohuan për "Shekullin" se kanë qëndruar në një hotel në Golem por gjatë këtyre ditëve kanë shëtitur në të gjithë Shqipërinë. Secili prej tyre ka paguar 120 euro për të gjithë udhëtimin, paketë e shkollës.


Dje ata do të niseshin për në Kërçovë. Pasdite qëndruan tek lokali në kryeqytet ku pohojnë se kanë konsumuar kryesisht pica dhe pije freskuese. E para që e ndjeu helmimin ishte një vajzë që quhet Luçie Hyseni. Drejtori i shkollës, Tahir Hasani, pohoi dje se menjëherë është njoftuar ambulanca por pak minuta më pas i gjithë grupi nisi të shfaqte probleme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›