E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shkëndijë elektrike shkrumbon fabrikën e mishit

SHKODËR - Një shkëndijë elektrike mendohet të jetë shkaku i zjarrit të fuqishëm që ka përfshirë në mesnatë disa nga ambientet e fabrikës së përpunimit të mishit "Meat Master" në zonën industriale 1 në lagjen "Skënderbeg" në Shkodër.

Ka qenë ora 00:40 e së enjtes, kur njëri prej rojeve të fabrikës ka vrapuar dhe ka lajmëruar zjarrfikëset, reparti i të cilave ndodhet rreth 150 m larg për zjarrin e rënë, por i ndikuar dhe nga era, si dhe nga materialet që ndodheshin në ambientet ku ndodhej vatra e tij, zjarri është përhapur shumë shpejt duke përfshirë gjithë ndërtesën në të djathtë të fabrikës.


Në ndihmë të zjarrfikësve të Shkodrës kanë ardhur dhe mjete nga Lezha e Malësia e Madhe dhe ndërhyrja e tyre është përqendruar në lokalizimin e zjarrit, në mënyrë që ai të mos përhapej në ambientet e tjera të fabrikës, mes të cilave dhe magazina e solarit, e cila ndodhet vetëm 10 m larg objektit të përfshirë nga flakët.


Zjarri është vënë nën kontroll vetëm në orët e para të mëngjesit, ndërsa deri në mesditë nuk qe i shuar plotësisht. Dëme në njerëz nuk ka pasur, pasi në atë orë në fabrikë kanë qenë vetëm rojet, ndërsa dëmi material, sipas pronarit të saj, i kalon 3 milionë dollarët.


Ambienti i shkrumbuar ka pasur repartin e paketimeve të nënprodukteve të mishit që prodhon kjo fabrikë, repartin e tharjes së mishit dhe një dyqan shitjeje me shumicë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë drejtuesit më të lartë të policisë dhe të pushtetit vendor në Shkodër, si dhe efektivë të FNSH-së.


Zjarrfikëset janë përqendruar në krijimin e një kordoni mbrojtës që pengonte përhapjen e zjarrit, pasi duke qenë se ishte në lartësi të madhe rrezikonte dhe bizneset e tjera, kryesisht biznese të mëdha që ndodhen fare pranë saj dhe janë të përqendruar në këtë zonë që njihet që para viteve '90 si zona industriale e Shkodrës.


Nga hetimet e bëra deri tani mendohet se shkaku ka qenë shkëndija elektrike e krijuar nga bashkimi i dy telave përcjellës, ndërsa mësohet se hetimet nuk janë mbyllur plotësisht, pasi duhet pritur shuarja e plotë e zjarrit dhe ftohja e ambientit të djegur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›