E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet gjykimi i shkurtuar, rrezikon burg për jetë

Nis procesi gjyqësor ndaj Afrim Hasanit, i akuzuar për vrasjen e dy policëve në Kukës,


TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, refuzoi kërkesën e të pandehurit Afrim Hasanaj dhe mbrojtësit të tij ligjor për shqyrtimin e dosjes në ngarkim të tij në aplikim të gjykimit të shkurtuar.


Mëngjesin e djeshëm, togat e zeza të kësaj gjykate, me hapjen e procesit gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Hasanaj mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes së dy efektivëve të policisë, është përballur me kërkesën për gjykim të shkurtuar. Këtë kërkesë e ka argumentuar më pas edhe avokati mbrojtës, duke e cilësuar kërkesën të ligjshme dhe të bazuar në ligj.


Por, ka qenë kundër kësaj kërkesë, prokurori i çështjes Ardian Nezha, i cili kërkoi nga togat e zeza të mos pranohet kjo kërkesë, pasi është e nevojshme që të pandehurit t'i bëhet një akt-ekspertim psikik.


Togat e zeza të kryesuar nga gjyqtari Dritan Hallunaj, njëkohësisht kryetar i kësaj gjykate, pas këshillimit me anëtarët e tjerë të togave të zeza, vendosi rrëzimin e kërkesës së avokatit dhe fillimin e procesit gjyqësor, duke i dhënë fjalën prokurorit Nezha të lexojë kërkesën për gjykim.


Pas leximit të kësaj kërkese, ishte prokurori i çështjes që kërkoi t'i bëhet të pandehurit një akt-ekspertim psikik, për të parë gjendjen e tij shëndetësore, pasi avokati ka pretenduar për paqëndrueshmëri të personalitetit të të pandehurit Hasanaj.


Sipas akuzës, ka qenë data 23 mars rreth orës 21:15 minuta, kur në një lokal të fshatit Shëmri të Kukësit i pandehuri Afrim Hasanaj, i ka qëlluar për vdekje dy efektivët e policisë Shkëlzen Dobrusha e Ramdan Hilaj.


Shkak për këtë ekzekutim, është bërë konflikti mes tyre pak ditë para ngjarjes dhe kallëzimi që dy efektivët i kanë bërë në polici për kundërshtim të forcave të rendit. Sipas prokurorisë, i pandehuri ka konsumuar veprat penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese",- ndaj punonjësve të policisë; "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"; "Kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë" dhe "Shkatërrimit të pronës".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›