E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërblimi për foshnjat, qeveria miraton fondin

Në shumë prej bashkive, shpërblimi prej 5 mijë lekësh nuk është dhënë që prej fillimit të vitit 2009


TIRANË - Qeveria ka miratuar dje fondin për shpërblimin prej 5 mijë lekësh që u jepet prindërve për lindjen e fëmijëve.


Bëhet fjalë për shpërblimin e vendosur dhe që ka nisur shpërndarjen që në korrik të vitit 2008, kur çdo prind që regjistronte fëmijën e vet 60 ditë brenda lindjes, shpërblehej në masën prej 5 mijë lekësh.


Miratimi i fondit ka ardhur në një kohë që në vend personat të cilët kanë shkuar për të regjistruar fëmijët e tyre në gjendjet civile, janë larguar prej aty të zhgënjyer, pasi e vetmja përgjigje që kanë marrë ka qenë se fondi nuk është lëvruar e si pasojë nuk mund të shpërbleheshin.


Ankesat


Që prej fillimit të vitit, nënat nuk janë paguar me shpërblimin që u takonte sipas ligjit. Kështu, në qytetin e Fierit, drejtoresha e Departamentit të Financave pranë bashkisë, Neta Dhima, tha se vetëm në muajin dhjetor të vitit të kaluar janë ndarë 500 mijë lekë në 100 raste.


Por që prej muajit janar, asnjë lek nuk është shpërndarë. "Edhe pse janë bërë disa shkresa zyrtare institucionit të Ministrisë së Brendshme, - thotë Dhima, - nuk kemi marrë asgjë".


Kështu, të gjithë prindrit që kanë regjistruar fëmijët në zyrat e gjendjes civile, lidhur me tërheqjen e kësaj shume, kanë marrë vetëm përgjigjen për t'u paraqitur ditë tjetër, pasi nga Ministria e Brendshme, nuk është dërguar fondi përkatës. Po kështu edhe në qytetin e Shkodrës nuk është dhënë asnjë pagesë që prej muajit janar.


Punonjës të zyrës së gjendjes civile shprehen se janë dërguar tri herë kërkesa vetëm në vitin 2009, por pagesa prej 5 000 lekësh për fëmijët që lindin, nuk është marrë në këtë qytet, pasi duhet të vijë fondi përkatës nga buxheti i shtetit.


Ndërkohë, edhe në Elbasan pati probleme, si në vitin 2008, ashtu edhe në 2009-n. Për të përfituar këtë shpërblim, çdo prind duhet të regjistrojë fëmijën brenda 60 ditëve nëse është në Shqipëri dhe 90 ditëve nëse është në emigracion.


Pika 6 e nenit 34/1 të ligjit 9929 parashikon që fondi për shpërblim të përballohet nga buxheti i shtetit dhe tërhiqet pranë njësive të qeverisjes vendore. Madje, ligji parashikon edhe masë ndëshkimore me gjobë prej 50 000 lekësh në raste moszbatimi. Megjithatë, deri më dje, zbatimi i këtij ligji ishte i pamundur.


Vendimi


Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua fondi i nevojshëm për përballimin e shpenzimeve për shpërblimin prej 5 mijë lekë për lindjen e fëmijëve. Ky fond i shkon si shtesë buxhetit të vitit 2009 për Ministrinë e Brendshme.


Domosdoshmëria e paraqitjes dhe e miratimit të këtij vendimi rrjedh nga detyrimi i zbatimit të dispozitave të ndryshuara ligjore, në bazë të të cilave parashikohet shpërblimi në masën 5 mijë lekë (pesë mijë), për lindjet brenda vendit, të deklaruara brenda 60 ditësh dhe për lindjet jashtë vendit, të deklaruara brenda 90 ditëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›