E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhelozia, qëllon me thikë ish-të fejuarën

SHKODËR/ Edmir Mehaj është grindur rrugës me vajzën me të cilën sapo ishte ndarë dhe e ka plagosur


Në polici 26-vjeçari fillimisht e ka pohuar krimin, por më pas ka mohuar gjithçka duke kërkuar avokat


SHKODËR - Xhelozia ka çuar në ndarje e më pas në goditjen me thikë të ish-të fejuarës. Edmir Mehaj, 26 vjeç, është arrestuar nga policia dje në mesditë pasi ka plagosur 22-vjeçaren Silvana Lami, pak kohë pasi ishte ndarë nga kjo e fundit.


Pas vënies në pranga, ndaj të riut është ngritur akuza e "vrasjes së mbetur në tentativë", si dhe e "armëmbajtjes pa leje". Ndërkohë 22-vjeçarja është shtruar në spital ku ka marrë ndihmën mjekësore.


Ngjarja


Ka qenë ora rreth 10:30, koha kur Silvana Lami, 22 vjeçe, me banim në Shkodër ka qenë duke ecur rrugës bashkë me motrën e saj. Dy vajzat ishin në afërsi të sheshit "Isa Boletini", në udhëkryqin që të çon drejt lagjes "Parrucë".


Edmir Mehaj, 26 vjeç, ish-i fejuari i saj, me të cilin kishte pak kohë që ishte ndarë është shfaqur para tyre me motoçikletë. Ai ka ndaluar dhe pasi ka parkuar mjetin i është drejtuar vajzës me fjalët:


"Pse s'më përgjigjesh në telefon?". Më tej ai ka nxjerrë një thikë dhe me të e ka goditur ish-të fejuarën një herë në shpatull nga pas e pastaj është larguar me vrap duke lënë në vendin e ngjarjes edhe motoçikletën e rrëzuar.


Ka qenë motra e së plagosurës ajo që ka dhënë alarmin, ndërsa persona të rastësishëm e kanë transportuar vajzën për në spitalin e Shkodrës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Arrestimi


Menjëherë pas mësimit të ngjarjes, policia ka marrë në pyetje persona që ishin të pranishëm, si dhe të afërm të së plagosurës. Nga dëshmitë e dhëna mësohet se çifti ishte ndarë pak kohë më parë. Shkak për këtë ka qenë fakti se i riu ishte shumë xheloz, çka ka bërë që 22-vjeçarja të mendonte se nuk ishte i përshtatshëm për të vijuar jetën me të.


Policia ka bërë shpalljen në kërkim të tij dhe ka kontrolluar në disa ambiente ku mendohej se ai ishte fshehur por vetëm rreth orës 15:30 ka bërë të mundur kapjen e tij në rrugë në fshatin Kuç të Komunës Gur i Zi në Shkodër.


Dëshmia


"Po, është e vërtetë. Unë e kam qëlluar"; "Jo, nuk kam pasur thikë me vete. Kërkoj avokat." Këto janë dy deklaratat kontradiktore që Mehaj mësohet të ketë dhënë në polici.


Megjithëse në momentin e arrestimit ai e ka pranuar krimin, më tej ka mohuar gjithçka duke u vetëdeklaruar i pafajshëm. ndërkohë, ndaj tij është ngritur akuza e "vrasjes së mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›