Shkurt nga vendi
Vrau bashkëshorten për
xhelozi, arrestohet në Greqi
Athinë Apostol Sotiri, i cili 13 vite më parë ka vrarë bashkëshorten e tij dhe ka plagosur një tjetër person, është arrestuar ditën e djeshme në Athinë, me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Policia e Shtetit, me anë të një njoftimi për shtyp bën të ditur se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, është bërë arrestimi i Apostol Sotirit, 43 vjeç, lindur në Gradisht, Lushnjë. “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendimin të datë 23.12.1998, e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes“ dhe “Armëmbajtjes pa leje“. Apostol Sotiri, më datë 10.10.1998 ka vrarë bashkëshorten e tij për motive xhelozie, duke e qëlluar me tetë plumba, si dhe ka tentuar të vrasë gjithashtu Ilir S..” – thuhet në njoftimin e Policisë. Ndërkohë, menjëherë pas arrestimit të tij, nisën proceduarat për ekstradimin e Sotirit drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm, të dhënë nga Gjykata e Lushnjës.
RENEA vijon kontrollet, pranga 31-vjeçarit
Forcat RENEA kanë vijuar edhe gjatë ditëve të fundit operacionet e tyre për evidentimin dhe arrestimin e elementëve të armatosur, që qarkullojnë në rrugët e vendit. Gjatë mbrëmjes së të enjtes, efektivët e RENEA-s kanë kryer kontrolle të shumta në zonën e “Selitës”, e cila konsiderohet edhe si një ndër zonat më problematike të Tiranës. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë zonë, është bërë i mundur arrestimi i një 31-vjeçari, të cilit i është bllokuar një pistoletë pa leje. “Gjatë këtij operacioni është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i Edvin Bodes, 31 vjeç, banues në Berat. Kapja dhe më pas arrestimi i tij u krye sepse në rrugën “Irfan Tomini”, tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re, gjatë kontrollit të ushtruar, është kapur në flagrancë, me një pistoletë tip “Zaztava”, e kalib. 9 mm, së bashku me 5 copë fishekë” - tha policia.