Gerdeci, mungojne avokatet, shtyhet seanca
TIRANE- Ka dështuar sot për mungesë të avokatëve seanca për çështjen "Gërdeci" që numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish- përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Në sallën e Gjykatës së Tiranës nuk ishin prezent disa nga përfaqësuesit e mbrojtjes ligjore të të pandehurve të procesit, ç'ka bëri që trupi gjykues të pezullojë seancën e sotme. Prej disa seancash, procesi për çështjen "Gërdeci" ka hyrë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa pati dëme të konsiderueshme materiale. 29 të pandehurit e këtij procesi akuzohen si përgjegjës për këtë ngjarje.(atsh/BalkanWeb)