Mbyten në kanalin e thellë vëlla e motër në Shijak
28/12/2009 U panë rastësisht nga një kalimtar. Mendohet se fëmijët po luanin në pellgun për vaditje
SHIJAK- Gjenden 2 fëmijë të mbytur në afërsi të banesës së tyre. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17.20 në vendin e quajtur Katër Rrugët e Shijakut. Fëmijët kanë qenë vëlla e motër, por policia e cila ka dërguar grupin e hetimit ende nuk ka një version apo konkluzion për këtë ngjarje të rëndë.
Mbytja
Bëhet fjalë për dy fëmijë të të njëjtës familje dhe sipas burimeve policore, por jo zyrtare janë vëlla e motër. A.A 6 vjeç si dhe vajza 4 vjeçe me inicialet F.A janë gjetur të vdekur. Fëmijët kanë qenë duke luajtur së bashku dhe janë gjetur nga kalimtarë të rastit në një rezervuar pranë shtëpisë së tyre. Pellgu me ujë shërbente për vaditjen e arave në sezonin e verës dhe tani në dimër pellgu i pambrojtur për kalimtarë e fëmijë kërcënon vazhdimisht banorët e lagjes. Vëlla e motër janë gjetur pa shenja jete nga persona pranë vendngjarjes, të cilët kanë vënë në dijeni policinë dhe banorët e tjerë. Fëmijët duket se kanë shkarë në skarpatin e kanalit të madh ujëmbledhës dhe që andej janë fundosur pa mundur të dalin në sipërfaqe. Në çastet e tragjedisë pranë tyre nuk ka pasur asnjë kalimtar apo banor të zonës së Katër Rrugëve, ndërsa janë parë në mënyrë rastësore nga një person që ka dhënë edhe alarmin. Në vendngjarje ka mbërritur dhe policia, e cila ka marrë trupat e pajetë të dy fëmijëve dhe i ka dërguar në morg për t’u bërë dhe autopsinë nga e cila do dalë dhe konkluzioni përfundimtar i vdekjes i dy fëmijëve motër e vëlla 4 dhe 6 vjeç.