E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gërdeci" na kushtoi mbi 20 milionë euro

Gërdeci i kushtoi qeverisë
shqiptare mbi 20
milionë euro. Që nga
dëmet, operacionet e
ndërmarra në këtë zonë, ndihmat
e dhëna për familjet e
prekura prej shpërthimit janë
vlerësuar nga ekspertët e qeverisë
në një shifër tejet të lartë.
Burime pranë qeverisë bëjnë të
ditur se kjo është kostoja financiare
e tragjedisë së Gërdecit,
duke mos llogaritur dëmet e
drejtpërdrejta, deri edhe te
njerëzit.
Burimet shpjegojnë se fillimisht
grupi i punës ka vlerësuar
të gjitha dëmet e shkaktuara nga
shpërthimi, ku u dëmtuan qindra
shtëpi, shumë prej tyre të shkatërruara
plotësisht. Gjithashtu,
dëmtime të shumta erdhën edhe
në biznese, në atë zonë dhe përreth
saj. Mbi këtë aspekt, qeveria
nxori vendimin se do të rimbursojë
kryefamiljarët e familjeve të
dëmtuara për të gjitha dëmet
ekonomike me fond të veçantë.
Madje, Ministria e Financave u
ngarkua për përgatitjen e vendimit
të skemës së disbursimit të
shumave për çdo familje, në përputhje
me dëmin që ka pësuar.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e
bizneseve do të kompensohet
nga shoqëritë e sigurimeve. Por,
veç dëmeve materiale, dëme të
shumta pati edhe në aspekte të
tjera. Duke u nisur nga kjo, qeveria
miratoi një fond për familjet me
shtëpi të pabanuara, për shkak të
tragjedisë së Gërdecit, duke u
dhënë nga 50 mijë lekë për frymë.
Këto ishin jo pak shpenzime nga
fondi i buxhetit të shtetit, por nuk
mbaron me kaq, megjithëse nuk
ishin pak. Sipas Kryeministrit Berisha,
janë evidentuar dëmet
ekonomike të shkaktuara në mbi
1700 shtëpi të fshatit Gërdec.
Madje, për evidentimin e dëmit
ekonomik, kanë punuar 40 grupe
të përbëra nga 5 ekspertë. Sipas
statistikave nga Bashkia e Vorës,
janë rreth 2383 banesa të dëmtuara,
ku 313 banesa janë shkatërruar
plotësisht, 181 banesa rezultojnë
me dëmtime të renda.
Por, para të qeverisë janë
shpenzuar edhe për operacionin
pas shpërthimit tragjik në këtë
vend. Me qindra forca policie,
ushtrie, apo të emergjencës civile
u vunë në lëvizje për ardhjen në
ndihmë të gjithë njerëzve në
nevojë në këtë zonë. Ushtria
mbajti nën mbikëqyrje gjithë
zonën për ditë të tëra, derisa u arrit
një konkluzion se nuk ka më
rrezik shpërthimi. Ndërsa policia
mbajti nën mbikëqyrje perimetrin
e jashtëm të zonës së
rrezikut, ndërkohë që puna u
drejtua nga emergjencat. Gjithë
këto forca patën një kosto jo të
vogël për punën që kryen gjatë
atyre ditëve të vështira në terren.
Por atyre iu shtua edhe kostoja e
mjeteve të vëna në dispozicion.
Sipas të dhënave të mbledhura,
që nga motorët, zjarrfikëset, e deri
te helikopterët kanë harxhuar me
mijëra euro për përballimin e situatës
së krijuar. E jo vetëm këto,
por edhe shumë struktura të tjera
u vunë në lëvizje gjatë asaj kohe,
duke arritur një kosto jo të vogël.
Sipas specialistëve, në përllogaritjet
e bëra ka rezultuar se kjo
kosto arrin në mbi 20 milionë
euro, ndërkohë që ende nuk
kanë mbaruar të gjitha verifikimet
e duhura. Por, për shkak
të punës ende në proces, burimet
nuk kanë detajuar shpërndarjen
e këtyre shpenzimeve kolosale.
Megjithatë, specialistët
tregojnë se tragjedi të tilla kanë
një kosto tejet të lartë, gjë e cila
përfundimisht bie mbi kurrizin e
taksapaguesve.

Dëmshpërblimet në Gërdec, 60% gabim

Banesat e prekura nga
tragjedia e 15 marsit
2008 në Gërdec janë
vlerësuar gabimisht,
duke krijuar një kaos të vërtetë.
Disa objekte që kishin dëme të
mëdha janë vlerësuar në mënyrë
qesharake, ndërsa banesa të
tjera, të cilat janë prekur në disa
pjesë të veçanta, janë vlerësuar
sikur të ishin shkatërruar plotësisht.
Një studim i hollësishëm i
organizatës "Mjaft!" ka evidentuar
58 objekte që janë vlerësuar gabimisht.
Numri i objekteve është i
njëjtë me ato që po heton Prokuroria
e Tiranës për abuzime me dëmshpërblimin
e banesave të prekura.
Në terren është konstatuar se
në momentin e investigimit, referuar
pretendimit të banorëve, rreth
65 për qind e banorëve nuk e kishin
marrë vlerën e vlerësuar nga komisionet
shtetërore. Në hartimin
e studimit janë marrë në konsideratë
pretendimet e banorëve në
terren. Gjithashtu, është punuar
në terren, duke filmuar dhe fotografuar
banesat e pretenduara.
Vlerësimi
Sipas studimit, nga qeveria
mungon një metodikë vlerësimi
unike dhe ligjore e rekomanduar,
apo e detyrueshme për konsiderim
nga grupet shtetërore të vlerësimit.
Studimi tregon shmangien e
vlerës së banesave të vlerësuara
nga komisionet shtetërore ndaj
vlerës korresponduese të së njëjtës
banesë, vlerë e ndërtuar duke iu
referuar një sistemi të unifikuar.
Konstatohet qartë, që edhe pse
flitet për banesa të rrënuara, pra të
shkatërruara komplet, dhe me
sipërfaqe të njëjta, përsëri ka diferenca
në vlerë banesash. Diferenca
është më e dukshme kur flitet për
subjektivitet në vlerësim. "Nga
grupet e vlerësimit nuk është marrë
fare në konsideratë gjendja e
tregut të ndërtimit", thuhet në studim,
sipas të cilit grupet e vlerësimit
nuk kanë marrë në konsideratë
varësinë ndërmjet përmasave
planimetrike të banesës dhe kostos
së ndërtimit të saj, si dhe faktit
që kostoja e ndërtimit të EKB-së
është më e vogël se ajo e banesës
njëkatëshe për efekt të kostos së
themeleve. "Nga grupet shtetërore
të vlerësimit nuk është konsideruar
fare baza unike e vlerësimit", tregon
studimi. Më pas thuhet se grupet
e vlerësimit kanë bërë një
shpërndarje jo të drejtë të vlerës
së disponuar për vlerësim. "Ndërsa
mendohet se lekët janë dhënë,
ato janë shpërndarë në mënyrë të
padrejtë, pse jo dhe të paragjykuar.
Ky fakt bëhet më evident,
kur dukshëm konstatohen objekte
konkrete, ku dallohet qartë
subjektivizmi në vlerësim", thuhet
në studimin e realizuar nga ekspertët
më të mirë.
Abuzimi
Ekspertët e pavarur kanë shkuar
në terren dhe kanë fotografuar
çdo element që dyshohet
se ishte dëmtuar. Të gjitha
pjesët që janë prekur nga shpërthimi
janë vlerësuar me çmimet e
Entit Kombëtar të Banesave të vitit
2006 dhe janë krahasuar me vlerësimin
e grupeve shtetërore të vlerësimit.
Në mënyrë kronologjike dhe
duke u bazuar te koeficientet, ekspertët
e pavarur kanë ndërtuar
grafikë, që tregojnë shpërndarjen
subjektive të vlerave monetare të
vëna në dispozicion për grupet
shtetërore të vlerësimit. Konstatohet
se për gjysmën e objekteve të
vlerësuara, vlerësimi është ndryshe.
Sipas të dhënave, disa banesa
janë vlerësuar më pak, me
vlerën 19 milionë lekë (të vjetra).
Ndërsa janë vlerësuar në mënyrë
të padrejtë disa banesa, me 26
milionë lekë. "Në terren është
konstatuar se në momentin e investigimit,
rreth 65 për qind e banorëve
nuk e kishin marrë vlerën e
vlerësuar nga komisionet shtetërore",
përfundon studimi.

Ekspertët vlerësuan më shumë banesën e Nazime Azizajt

Ekspertët e pavarur kanë shkuar
në terren dhe kanë
verifikuar nga afër 58 objektet.
Një ndër to ka qenë edhe
banesa e familjes së Nazime Azizajt.
Investigimi në terren u krye në
datën 21 maj 2008. Banesa ndodhej
në fshatin Gërdec. Në momentin
e investigimit u konstatua se
pas shpërthimit banesa kishte pësuar
dëmtime në konstruksion.
Ajo ishte e dëmtuar kryesisht
në sistemin dyer-dritare. Dëmtim
kishte edhe në një faqe muri.
Sheshi i vendndodhjes së banesave
ishte i paprekur nga banorët.
Nga vëzhgimi i objektit të mbetur
konkludohet se banesa para
shpërthimit përfaqësonte një
banesë në standarde të mira
ndërtimi. Banesa nga grupet e
vlerësimit ishte klasifikuar "jashtë
funksioni". Prej grupeve të
vlerësimit ishte vlerësuar 53 milionë
lekë (të vjetra). Ekspertët e
pavarur vërejtën se banesa nuk
kishte pësuar dëmtim konstruktiv.
Ajo ishte e dëmtuar vetëm në një
faqe muri, dëmtim që nuk e dëmtonte
qëndrueshmërinë e
banesës. Pas një investigimi të
hollësishme, duke marrë në konsideratë
gjendjen teknike të
banesës para shpërthimit, nivelin
e dëmtimit në banesë, sipërfaqen
e gjurmës së banesës, volumin
dhe standardin e punimeve të kryera
pas shpërthimit, u vlerësua me
rreth 8 milionë lekë të vjetra.
Ndërkohë, ekspertët kanë
bërë krahasimin e kësaj banese
me një tjetër të vlerësuar më 26
maj të vitit 2008. Banesa ndodhej
në fshatin Marqinet 1. Në momentin
e investigimit u konstatua se
në terren, para shpërthimit,
gjendej një banesë në pronësi të
Arben Selamit. Pas shpërthimit,
banesa ka pësuar dëmtime të
rënda në konstruksion, duke u
shkatërruar plotësisht në kuptimin
teknik. Edhe çdo element
tjetër ndërtimor ishte shkatërruar.
Kështu, banesa nga grupet e
vlerësimit ishte klasifikuar "Jashtë
funksioni". Prej grupeve të
vlerësimit banesa ishte vlerësuar
me vlerën 500.000,0 lekë. Ndërsa
për vlerësimin e dytë nuk ka informacion.
Pas investigimit në
"Banesën 31", u konkludua se për
këtë banesë duhet shpërblyer në
vlerën 2.746.190.3 lekë. Pra, me
krahasimin e këtyre dy banesave
është vënë re se grupet e vlerësimit
nuk kanë bërë një verifikim të
rregullt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›