E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJë DOKUMENT VENECIAN, Që ZBULON PAZARET Në KURRIZ Të SHQIPTARëVE

(Vijon nga numri i pardjeshëm)

Për të zbatuar në terren vendimet
e Traktatit të Paqes mes dy fu
qive, përfaqësuesit turq u takuan
me ata venecianë në terrenet në afërsi
të Argosit, në More (Peloponez). Njërën
palë e përfaqësonte Batolomeo Minio -
proveditor i Nafplios dhe palën turke
Sulejman Beu, komandant i trupave
turke për Peloponezin.
Mbasi palët biseduan nga afër problemet
e ndarjes të kufijve dhe territoret
që u kalonin nën zotërim pushtuesve osmanë,
në përfundim, venedikasit kanë
hartuar një relacion për gjithçka ishte
biseduar dhe vendosur mes tyre. Ky dokument
tepër interesant, që përshkruan
ngjarjen e asaj kohe, hedh dritë edhe për
një fakt të rëndësishëm e tepër
domethënës. Është fjala për shqiptarët
që aso kohe qenë kthyer në një faktor determinues
për fatet e atyre anëve dhe në
tërësi për zhvillimet politike dhe ushtarake
në rajon dhe veçmas për vetë fatet e
Greqisë.
Në këtë "dispatcio" - relacion të përpiluar
nga përfaqësuesi venecian, Batolomeo
Minio, njoftohet Senati venedikas
me hollësi rreth një bisede konfidencale
të zhvilluar mes komandantit turk të
trupave pushtuese të Peloponezit, Sulejman
Beut dhe Bartolomeo Minios.
Dialogun e zhvilluar mes tyre, ushtaraku
venecian ia ka përcjellë Senatit me
hollësi, për t‘u thënë atyre se shqetësimi
i vërtetë i pushtuesve osmanë nuk qenë
copat e territoreve që ata do të merrnin
nga venecianët, por luftëtarët shqiptarë,
të cilët prej vitesh qëndronin të
panënshtruar dhe përbënin pengesën
kryesore për ekspansionin e mëtejshëm
osman mbi territoret greke.
Këtë bisedë intime, përtej protokollit
formal, Minio e ka përcjellë në formën e
dialogut sikundër është zhvilluar. Në të
thuhet:
Sulejman Beu (Përf. Turk): -
Stratiotët tuaj shqiptarë (Albanezi) janë
njerëz të një brumi shumë të keq. Përse
nuk i përzini nga zotërimet tuaja?
Minio (Përf. Venedikas): - Është
e vërtetë që ka mes shumë shqiptarëve
edhe njers të këqinj, por të gjithë të tjerët
që qëndrojnë pranë nesh këtu janë
njerëz me vlera të vërteta.
Sulejman Beu (Përfaq. Turk): -
Nëse ju i zboni shqiptarët nga teritori
juaj, ne paskëtaj nuk do të kemi asnjë
mosmarrveshje (pakënaqësi) ndaj
jush... (8) (Index 35; Dispacci; f. 8v dhe
128.3-7, F. 107, Doc. Vent...)
* * *
Sulejman Beu: - Questi vostri stratioti
Albanesi sono zente de pessima
conditione. Perchè non li cazate via?"
Minio: - Esser vero che fra i Albanesi
ut plurimum ne son anche dei cativi:
ma tuti quelli che hera con nui hera
homeni da bene et de bona conditione."
Sulejman Beu: -Se vui cazerete i
Albanesi de questa terran non haveremo
mai differentia alcuna."
* * *
Nga tërësia e këtij dokumenti dhe
nga të tjera si këto, duket qartë se qëndrimi
i Bartolomeo Minio, përfaqësuesit
venedikas, ka qenë realist. Ishte i tillë
pasi ky komandant ushtarak i kish njohur
nga afër shqiptarët dhe vlerat e tyre
si njerëz dhe si luftëtarë, në fushëbeteja,
për vite me radhë. Ai kishte qenë
dëshmitar i shumë sakrificave dhe
gjakut të derdhur për të mbrojtur lirinë
e tyre, por edhe interesat e venecianëve.
Por, për nevojat e tyre politike, venecianët,
shumë shpejt do të ndryshonin
qëndrimet dhe "do të pajtoheshin edhe
me djallin", pavarësisht se kush do të qe
fati dhe pasojat e tmerrshme për shqiptarët,
që kishin sakrifikuar për ta!!!
BRAKTISJA E
SHQIPTARËVE PREJ
VENEDIKASVE
Dhe për të ruajtur raporte sa më të
kujdesshme me fuqinë osmane, me
qëllim që të shpëtonin gjithçka ishte e
mundur për interesat e tyre politike nga
batërdia turke, venecianët urdhëruan,
ato kohë, repartet e tyre në territoret
greke, që të ndërtonin raporte sa më të
mira me turqit. (9)
Nën këtë logjikë pragmatiste, të paprincip,
venecianët pranonin të sakrifikonin
edhe aleatët e tyre besnikë - shqiptarët,
të cilët kishin kontribuar aq
shumë për ta dhe qenë përgjakur për
vite me radhë në shërbim të tyre. (10)
Duke parë këtë qëndrim të pamoral
të venecianëve dhe pajtimin e tyre me
pushtuesit osmanë, luftëtarët shqiptarë,
kishin parë tanimë qartë, në
mes të ditës, braktisjen përçmuese si
dhe fatin e tyre të rrezikuar dhe të përdhosur.
Në këto rrethana, një përfaqësi e
krerëve kryengritës shqiptarë i është
drejtuar ato kohë komandantit të trupave
veneciane në Peloponez dhe pasi
janë pritur në audiencën prej tij, i kanë
parashtruar të indinjuar revoltën e tyre
për tradhtinë dhe braktisjen në
mëshirën e fatin dhe më keq akoma në
duart hakmarrëse të egërsisë osmane.
Në informacionin që ka hartuar mbas
këtij takimi plot emocion, përfaqësuesi
venecian, ndër të tjera, i shkruan Senatit:
"Erdhën komandantët e Stratiotëve
shqiptarë dhe u paraqitën tek unë në
emër të luftëtarëve të tyre. Ata më kujtuan
dhe parashtruan se i kanë shërbyer
Sinjorisë tonë për një kohë të gjatë në
frontet e luftrave me besnikeri të rallë,
në tokë dhe në det dhe se kanë derdhur
gjakun e tyre në shërbimet dhe për interesat
tona. Pikërisht, për shkak, të
këtyre luftrave dhe qëndrese për interesat
e Sinjorisë,(Venedikut) ata kanë
marrë mbi vehte urrejtjen për vdekje nga
ana e turqve....
Nësë ne nuk i marrim në mbrojtje, më
thanë ata, - shton Minio, - atëhere stratiotët
shqiptarë do të shkojnë kudo qoftë
mjafton që ata të garantojnë jetën e tyre
dhe të familjeve të tyre..." 12.(Arkivi Korrer-
Venedik,Index 35, F. 107)
Po cila ishte përgjigjja që Senati i ka
kthyer "proveditorit" të saj, Bartolomeo
Minio, për ankesën e bërë nga krerët shqiptarë?
VENECIANËT DHE TURQIT
NËNSHKRUAJNË
TRAKTATIN E MIQËSISË
DHE PAQES MES TYRE
"Duhet bërë cdo kujdes i mundshëm
që Paqja e jonë e arritur me Sulltanin të
jetë e qëndrueshme, të mos thyhet apo
cënohet nga lakmija pandershmëria e
kujtdo qoftë… Prandaj të konsiderohet
vendim dhe të njoftohen të gjithë "rettorët"
tanë që ndodhen në kufij me teritoret
e turqve, të ruajnë me cdo kusht
mardhënie miqsore dhe të qëndrueshme
me ta…
Urdhërojmë të gjithë ju dhe shtetasit
që ndodhen në teritoret tuaja (pra
nënkupto shqiptarët) të jetojnë në fqinjësi
të qetë, të butë dhe miqsore me turqit…
Te mos lejohet që hapur apo fshehur,
tu shkaktohet ndonjë fyerje, sharje
apo dëm turqve, njerëzve të
Sulltanit…ndryshe ju do të shkarkoheni
dhe përjashtoheni nga funksionet
qeverisëse duke shdëmtuar…
"(13).ASV, Senato Mar, x 20; 20 Prill 1479,
Vezia.
Kjo është përgjigjja, qarkorja që u ka
dërguar Senati venedikas ushtarakëve
të saj nëpër territoret që ata zotëronin,
në Greqi, Shqipëri e gjetkë.
Pra, e thënë me fjalë të tjera,
luftëtarët kryengritës shqiptarë që kishin
sakrifikuar aq shumë për të mbrojtur
lirinë e trojeve të tyre, por edhe qytetet
dhe kështjellat veneciane në Peloponez,
tani e tutje duhet të ulnin shpatat
dhe të pajtoheshin me pushtuesit osmanë!
Bile të ruanin marrëdhënie miqësore!,
të qeta!, të buta!!!...
Po a do të pajtoheshin arvanitët e
Peloponezit me këtë urdhër dhe
kërcënim të venecianëve?! - për t‘u nënshtruar,
me pak fjalë për të pranuar
robërimin!!??
FILLIMI I KRYENGRITJEVE
ARVANITE
Por, pa kaluar pak ditë, sinjalin e mospajtimit
dhe mosnënshtrimit e dhanë
arvanitët e Koronit.
I pari, Krokodil Kladha, me 160
kalorës, të gjithë shqiptarë (tutti albanezi)
dhe mandej Meksi Buziqi, Petro Bua,
Bohalët, Spatajt, Malakasët, etj., u ngritës
dhe filluan sulmet rrufe mbi garnizonet
turke të Manit dhe Bardhunës
dhe mandej në tërë territoret e pushtuara
nga turqit në Greqinë kontinentale.
Pra, përgjigjja ishte vazhdimi i luftës!
Kjo luftë, kjo qëndresë e shqiptarëve
të Greqisë mesjetare, prej asaj kohë
vazhdoi pa ndërprerje, duke u bërë një
nga faktorët dominues të rezistencës
antiosmane. Historia ka rezervuar për ta
- arvanitët - altarin e nderit në panteonin
e lavdishëm të lirisë. Finalizimi i këtyre
përpjekjeve, i këtij shpirti dhe këtij
gjaku të derdhur për shekuj me radhë,
është pavarësia e Greqisë. Prania e një
numri të madh të heronjve, në rreshtat
e të rënëve për pavarësinë e këtij vendi,
të tillë si Laskarina Bubulina, Teodor
Kolokotroni, Andruco, Farmaqi etj., janë
treguesit më të dalluar të kontributit të
madh që ata kanë dhënë për këtë mision
të madh - lirinë. Prandaj, historia me
të drejtë do të rezervonte faqet më të
dhimbshme, por dhe më të lavdishmet
njëkohësisht për këtë popullsi, e cila
prej mesjetës gjer në ditët tona vazhdon
të thirret me emrin e dalluar dhe krenar
- Arvanitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›