Qeveria, stërkëmbësha pa fund hetimit të dosjes “Gërdeci”
Habjon Hasani
Tiranë - Që pas shpërthimit vdekjeprurës më 15 mars në Gërdec, hetimi i kësaj çështjeje është shoqëruar vazhdimisht me dritëhijet e “luftës” së ftohtë për bllokimin e hetimeve. Pas dy muajsh hetimi paraprak dhe intensiv nga Prokuroria, më 3 qershor të këtij viti nga ambasadori amerikan do të vinte një deklaratë e fortë, e cila komprometoi publikisht rolin e qeverisë në raport me hetimet. Strumbullari ishte kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Pas mbërritjes së kësaj kërkese, kryeparlamentarja Topalli i dërgoi një përgjigje Prokurorisë, të cilën zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit e quajtën si një “letër-horror”. Dukej sikur kryeparlamentarja ishte kthyer në gjykatëse duke i sugjeruar madje Prokurorisë se si duhej hetuar zoti Mediu. Pas një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Uidhers ka shprehur zhgënjimin e tij dhe të qeverisë amerikane për përpjekjet që janë bërë për të bllokuar hetimet për çështjen e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çdo lloj përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme, dhe jo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - deklaroi asokohe Uidhers.
Sinjali
Më 7 prill 2008, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, i dha sinjal të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare duke kërkuar evitimin e çdo ndërhyrjeje politike ndaj hetimeve që po ushtronte Prokuroria e Përgjithshme për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. “Ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme, për të gjetur të dhënat për kundërvajtje, shpresoj se nuk do të hasë asnjë ndërhyrje politike të asnjë lloji. Më tej shpresoj që procedurat gjyqësore të jenë rigoroze dhe që çfarëdo vendimesh që mund të jepen nga gjykatat shqiptare të jenë në përputhje me krimet, pavarësisht statusit apo lidhjeve politike të kriminelëve", - ka deklaruar ambasadori Uidhers. Ai nuk do të ngurronte të shprehte mbështetjen absolute ndaj kryeprokurores Ina Rama për realizimin e plotë të hetimeve. “Unë dua të shpreh mbështetjen time të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm dhe të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit. Ky hetim duhet të arrijë kudo ku çojnë të dhënat, pavarësisht se në ç’drejtim apo se kush është i përfshirë. Vetëm kjo do të rivendosë besimin publik në institucionet shqiptare të drejtësisë", - ka thënë Uidhers.
Frontale
Megjithatë, qeveria shqiptare zgjodhi një mënyrë shumë efikase dhe të kundërshtuar nga të gjithë faktorët e tjerë për të vazhduar betejën e saj. Qeveria aktivizoi nismën për ligjin e pastërtisë së figurës, i cili aktualisht është në fuqi dhe është njëkohësisht për gjykim në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm në rastin e dosjes “Gërdeci” evidentohen lehtësisht të paktën dy prokurorë që kanë hetuar dhe para viteve ‘90. Janë pikërisht për dy prej hetuesve më kryesorë të kësaj dosjeje, të cilët janë thuajse dirigjuesit e hetimit që aktualisht është përqendruar në pistën e trafikimit të armëve. Njëri prej tyre, Zamir Shtylla, dha dorëheqjen dy ditë më parë. Sipas këtij drafti, cilido prokuror apo gjykatës përjashtohet automatikisht nga ky funksion, mjaft që të ketë punuar në të njëjtin pozicion para vitit 1990. Ky ligj tashmë ka hyrë në fuqi dhe pritet të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa është i paprecedent nëse krahasohet me praktikat e zbatuara në të gjitha vendet ish-komuniste, të cilat e kanë kryer këtë proces një dekadë më parë. “Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme”, - shkruhet ndër të tjera në këtë draft, i cili detajon të gjitha kategoritë e funksionarëve publikë që do t’i nënshtrohen kontrollit.
Mediu
Në frontin e sulmeve politike është rreshtuar dhe i hetuari Fatmir Mediu, i cili një javë më parë, në të njëjtën “simfoni” si ajo e kryeministrit, filloi të artikulohet mbi “Prokurorinë politike”. Mediu, i cili jo vetëm është nën hetim, por është kërkuar dhe të arrestohet nga opinioni publik, është “rizgjuar” duke folur për lojërat politike që sipas tij po bëhen në kurriz të tij. Ish-ministri i Mbrojtjes, kreu aktual i republikanëve, Fatmir Mediu, hoqi dje nga vetja çdo përgjegjësi ligjore për tragjedinë e Gërdecit. Ai, në mënyrë publike, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Republikane, akuzoi në mënyrë indirekte Prokurorinë për njëanshmëri dhe ndikim politik për këtë çështje. Kur vetëm për dy muaj mbushet plot një vit nga “hiroshima politike” që mori jetën e 26 qytetarëve pas një shpërthimi tragjik pranë Uzinës së Demontimit në pronësi të Delijorgjit, kreu republikan mohon çdo akuzë ngritur ndaj tij. “I bëj thirrje Prokurorisë së Tiranës që të qëndrojë larg ndikimeve politike dhe të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit”, - tha ish-ministri i Mbrojtjes në Asamblenë e Republikanëve një javë më parë. Mediu, i cili për një kohë të gjatë ka qëndruar i heshtur përballë medias, tha se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për shpërthimin e Gërdecit, më 15 mars të vitit të kaluar. “Dorëheqja ime nga detyra e ministrit të Mbrojtjes ishte një akt moral. Unë e mbajta përgjegjësinë politike, por nuk kam asnjë përgjegjësi ligjore për këtë çështje. Unë kërkoj që hetimet të përfundojnë sa më shpejt dhe përgjegjësit e saj të vihen para ligjit”, - tha Mediu.
Fatmir Mediu i bën këto deklarata në një kohë kur prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka udhëzuar grupin hetimor të Gërdecit që të mbyllë sa më shpejt hetimet për këtë çështje.
Dosja “AEY”, skandali me fishekët, që pasoi Gërdecin
Pas shpërthimit në Gërdec, Kosta Trebicka, një biznesmen shqiptar, doli publikisht dhe denoncoi gjobëvënien që një grup njerëzish që menaxhonin dhe Fabrikën e Gërdecit i kishin bërë kontraktorit amerikan të Ministrisë së Mbrojtjes, Efraim Diverolit. Trebicka humbi jetën në një aksident misterioz shtatë muaj më vonë. Megjithatë, historinë e tij e tregoi dhe e famshmja “Nju Jork Tajms”, e cila vuri në dukje abuzimet dhe linçimet kishin ndodhur me kontratën prej 300 milionë dollarësh mes Ministrisë së drejtuar nga Mediu dhe firmës amerikane “AEY”. Kontrata parashikonte shitjen e fishekëve nga pala shqiptare, e cila mendohet se futi një lojë një firmë qipriote me emrin “Evdin ltd”, e cila rriti marzhin e fitimit duke vepruar si ndërmjetëse mes kontraktorëve, fitime që dyshohet se kanë shkuar në xhepat e politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë. Të dhënat e siguruara nga prokurorët amerikanë lidhur me faturat e pagesave ndërmjet firmës “AEY” dhe “MEICO”-s kanë zbuluar rolin inekzistent të firmës seksere “Evdin ltd” në këtë marrëdhënie. Por këto të dhëna duket se kanë nxjerrë automatikisht në pah dhe fshehjen dhe grabitjen e më shumë se 8 milionë dollarëve nga kjo firmë. Që prej qershorit deri në dhjetor të vitit 2007 asnjë pagesë nuk është kryer nga firma “Evdin ltd” në drejtim të “MEICO”-s, por kjo firmë, sikurse ka rezultuar në hetimet e Prokurorisë, ka rritur çmimin nga 22 USD/1 mijë fishekë në 40 dollarë/1 mijë fishekë. Por faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë kanë zbuluar se pagesat janë bërë direkt nga llogaria e firmës “AEY” dhe firma “Evdin lid” nuk ka pasur kurrfarë aksesi në pagesat e bëra për çdo transportim dhe eksportim të municionit për në Afganistan. Janë pikërisht mandat-pagesat fakti dhe prova që nuk mund të hedhin dot poshtë autoritetet shqiptare të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi cilado të ketë qenë kontrata mes tyre dhe firmës ”Evdin ltd”, kompania “MEICO” nuk ka kryer asnjë transaksion me kompaninë ”Evdin ltd”, por direkt me Diverolin. Sipas kësaj Ministrie, kompania “AEY” dhe “Evdin ltd” kanë kërkuar nëpërmjet një shkrese drejtuar “MEICO”-s municione të kalibrave të vegjël me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi, shoqëruar me dokumentacionin ligjor përkatës. Pak ditë më parë zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes është shprehur se “kompania ‘Evdin ltd’ ka pasur autorizim nga kompania ‘AEY’, e cila nga ana e saj ishte e pajisur me certifikatën e përdoruesit të fundit (end-user certificate). Ndërmarrja ‘MEICO’ i ka ofruar kompanisë ‘Evdin ltd’ materialet e kërkuara duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007. Kontrata e lidhur midis ndërmarrjes ‘MEICO’ si shitës dhe kompanisë ‘Evdin ltd’ për ‘AEY inc’, më datë 18.05.2007 përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në lejen e eksportit të nxjerrë nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes më datë 20.4.2007, janë specifikuar destinacioni, blerësi, tipat e municioneve që do të eksportoheshin, sasitë e tyre dhe vitet e prodhimit korresponduese”, - shprehet kjo ministri. Në këtë deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes duket se flitet për të gjitha funksionet e firmës ”Evdin”, duke lënë mënjanë vetëm statusin e saj financiar në këtë histori!
16 Janar 2009