E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, ortaku amerikan i Delijorgjit, dëshmitar në gjyq

Seanca Gjykata do të nisë drejt SHBA-së letër-porosi për Patrik Henrin, pronar i SAC, për ta thirrur më 13 shtator

Patrik Henri, ortaku amerikan i Mihal Delijorgjit, të cilët ngritën punishten famëkeqe të Gërdecit, do të thirret dëshmitar në Gjykatën e Tiranës, për të dhënë shpjegime se e kujt ishte përgjegjësia e ruajtjes së fabrikës, si dhe shumë detajeve të tjera. Në seancën e djeshme gjyqësore ndaj 28 të pandehurve shqiptarë për këtë tragjedi që mori jetën e 26 personave Gjykata e Tiranës ka kërkuar dëshminë e shtetasit amerikan. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado tha se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, që me anë të një letër-porosie, të njoftojë autoritetet amerikane se shtetasi Patrik Henri, pronar i vetëm i kompanisë “Southern Ammounition Co” (SAC), duhet të paraqitet në Gjykatën e Tiranës më 13 shtator 2010. “I kemi bërë me dije Ministrisë së Drejtësisë se kërkojmë shtetasin amerikan, Patrik Henri, për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në Gërdec, zona e Vorës, Tiranë, ku si pasojë e shpërthimit në fabrikën e çmontimit të municioneve gjetën vdekjen 26 persona, u plagosën 300 persona dhe pësuan dëmtime 5 mijë banesa. Shtetasi amerikan, Patrik Henri, konsiderohet dëshmitar kyç”, tha gjykata. Sipas prokurorisë, Henri është personi i parë që u interesua pranë kompanisë shtetërore të armëve MEICO, për të lidhur kontratë me qëllim demontimin e municioneve. Henri ishte i interesuar për barutin e dalë nga demontimi të cilin e shiste në Belgjikë. Gjykata dhe prokuroria pritet të pyesin Henrin në lidhje me kërkesën e tij për të lidhur kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe si bashkëpunoi me shtetasin shqiptar, Mihal Delijorgji, për demontimin e municioneve. Ai do të japë shpjegime në lidhje me memot dhe kontratat me palën shqiptare për delegimin e të gjitha të drejtave dhe përgjegjësitë për fabrikën e demontimit.

“Sulmi” i Minxollit

Ndërkohë, shpeshherë në procesin gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, shtetasi amerikan, Patrik Herni, është sulmuar nga të pandehurit që ndodhen në burg. Ish-drejtori i punishtes së Gërdecit, Dritan Minxolli, ka bërë shpesh deklarata, duke pohuar se shtetasi amerikan kishte dijeni dhe e urdhëronte për çdo veprim që duhej të kryente në fabrikë. “Kam marrë urdhra të njëpasnjëshme nga Patrik Henri për kushtet e fabrikës. Në lidhje me dëshmitë e disa dëshmitarëve që janë ankuar për mungesën e pushimeve apo për normën e lartë, dua të sqaroj me ndërgjegje të plotë se këto kushte i vendoste Patrik Henri, duke më urdhëruar. Ai ishte kapitalist dhe fabrika punonte me tri turne, ndërsa punëtorët paguheshin vetëm me ditët e punës dhe jo në muaj”, ka deklaruar Minxolli, duke vazhduar të insistojë se administratori amerikan i “SAC-Albademil” është po aq i implikuar sa edhe ortaku i tij në Shqipëri. Minxolli ka vijuar me deklaratat e njëpasnjëshme se administratori amerikan i “SAC-Albademil” e ka urdhëruar, duke vendosur edhe rregulloren e brendshme. “Patrik Henri, njëri nga administratorët e kompanisë ku unë isha drejtor, ka vendosur rregulloren e brendshme, duke më urdhëruar për zbatimin e saj. Jam urdhëruar nga Henri, gjatë datës 26-29 nëntor 2007. Më ka lënë një dosje me shtesë në rregullore, duke më urdhëruar ta fus në dosjen e përgjithshme. Dosja bënte fjalë pikërisht për rregulloren e brendshme”, këmbëngulte Minxolli, duke pohuar se prokuroria ka vepruar me dy standarde në lidhje me administratorët e kompanisë që merrej me demontimin e municioneve në Gërdec. Ai tha se njëri trajtohet si i nënës dhe tjetri si i njerkës.

Dëshmitë në gjykatë

Krahas procedurave për pyetjen e dëshmitarëve që ndodhen jashtë Republikës së Shqipërisë, gjykata ka vijuar dje edhe me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë. Drejtori i drejtorisë se operacioneve dhe stërvitjes ne Shtabin e Përgjithshëm, Hysen Cekovina, ka deklaruar se ushtria nuk e kishte për detyrë të ruante me armë repartin e Gërdecit. Kjo, pasi sipas tij, ai nuk bënte pjesë në planin e përhapjes, të miratuar nga Presidenti i Republikës. Ndërsa një nga ekonomistet e Ministrisë se Mbrojtjes, tha se kishte dhënë miratim për lidhjen e kontratës mes komandës së forcës së bashkuar, kompanisë “Albademil” dhe kompanisë amerikane “SAC”. Por sipas tij, komanda nuk kishte të drejtë të jepte me qira më shumë se 200 metra katrorë truall.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›