Përnaska: Bashkia, 3 vjet pa kryetar
Deputetja e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Lajla Përnaska, deklaroi dje se kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, e ka braktisur prej kohësh punën e tij. “Praktikisht qyteti i Tiranës nuk ka kryetar bashkie. Në këto tre vite, qytetarët e Tiranës e kanë parë Ramën të merret me gjithçka tjetër, por jo me problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë ata”, deklaroi Përnaska, duke theksuar se Rama bën vetëm spektakël mediatik dhe jo punë në terren. Po kështu, Përnaska e akuzoi dje Edi Ramën se ka lobuar kundra liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. “Qytetarët e Tiranës e kanë parë Ramën të lobojë kundër liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë, por nuk e kanë parë atë t’u shërbejë atyre si kryetar bashkie. Ka tre vjet që z. Rama nuk bën detyrën për të cilën është zgjedhur”, theksoi Përnaska.
#