E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", padi në Strasburg

 

Trazhgim Sokolaj

Gjykatat shqiptare "u mbyllin derën" përfundimisht familjarëve të 26 personave, që humbën jetën nga tragjedia e Gërdecit. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzoi kërkesën e trashëgimtarëve ligjorë të 26 viktimave për të qenë palë në procesin penal, që po zhvillohet kundër 29 personave të akuzuar si shkaktarë të tragjedisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mësohet se është formuluar ndërsa nuk është shpallur ende zyrtarisht e madje nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, pasi Gjykata e Lartë nuk i legjitimoi 17 familjarët e 26 viktimave, duke i përjashtuar nga procesi që po zhvillohet ndaj Fatmir Mediut në Kolegjin Penal, si dhe nga gjyqi për 28 të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Tiranës. Familjarët e viktimave kërkuan të ishin pjesë e gjyqit me qëllim që veç dënimit penal ndaj të akuzuarve, me burgime ose me gjobë, të kërkonin dëmshpërblim prej tyre për viktimat e shkaktuara nga ngjarja e Gërdecit. Gjykata Kushtetuese ka argumentuar vendimin e saj, duke thënë se Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Tiranës ende nuk kanë përfunduar shqyrtimin e dosjes "Gërdeci". Si rrjedhim, sipas Gjykatës, padia e familjarëve të viktimave përbën një vendim të ndërmjetëm për të cilin Gjykata Kushtetuese nuk e shqyrton kërkesën. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e fundit mundësi që u kishte mbetur familjarëve të viktimave, pas qëndrimit që mbajti Gjykata e Lartë, avokatja e tyre Blerta Kraja thotë se do të ankimojë çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Një zhvillim i tillë i procesit duket se do t'u garantojë të drejtën familjarëve të viktimave të tragjedisë, por vetëm në letër. Kjo pasi në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën e Tiranës, procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit tashmë ka filluar. Ndërkohë, procedurat në Gjykatën e Strasburgut janë të tilla që ajo mund të shprehet pas dy vitesh për padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit, kohë kjo kur gjyqi ndaj të akuzuarve në Tiranë mund të ketë përfunduar. Juristët thonë se është vështirë të parashikohet çfarë mund të ndodhë në këtë rast, pra nëse procesi duhet të ripërsëritet me praninë e familjarëve të viktimave, duke qenë se vendimet e Strasburgut janë të detyrueshme për zbatim nga Shqipëria.

Prokuroria: Familjarët u legjitimuan

Prokuroria e Përgjithshme i ka legjitimuar familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, që në kohën kur dosja penale ishte në hetim. Sipas prokurorisë, ligji ia njeh të drejtën familjarëve të personave, që humbin jetën nga një krim, të përfaqësohen në procesin e hetimit dhe të gjykimit me avokat, si dhe të kërkojnë dëmshpërblim për pasojat e shkaktuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›