Alarm pas zjarrit, rrezikoi depozitat e naftës
GJIROKASTËR - Flakët e një zjarri të fuqishëm, i nisur mesditën e djeshme, në kodrat e zonës së Viroit kanë rrezikuar djegien e depozitave të naftës së kompanisë ARMO, rreth 3 km në veri të qytetit të Gjirokastrës. E keqja është ndalur falë ndërhyrjes në kohë të shërbimit zjarrfikës, duke evituar në këtë mënyrë një katastrofë ambientale. Pas sinjalizimit, së bashku me forcat e policisë, në vendngjarje afër fshatit Mashkullorë kanë shkuar punonjësit e zjarrfikëses, ku vetëm brenda 30 minutave falë impenjimit të dy autoboteve, arritën të shuanin flakët e zjarrit, të cilët po përparonin nxitimthi në drejtim të depozitave me karburant. "Rreziku për përfshirjen nga flakët e zjarrit ishte evident pasi nëse do të lihej çdo gjë në dorë të fatit, atëherë brenda një ore, flakët do të kishin mbërritur në agregatet me naftë që ishin 100 metra larg", u shprehën për gazetën punonjës të shërbimit zjarrfikës. Ata arritën të izolonin e më pas të shuanin plotësisht vatrën e zjarrit. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa u shoqëruan në polici dy barinj të zonës. p.n