E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perëndimi dhe perspektivat në Lindjen e Afërt e të Mesme

Arshela Arapi 

Shekulli i kaluar ka shënuar për Lindjen e Afërt e të Mesme një periudhë të zymtë, të ngarkuar me trazira, që me gjithë artikulimin e artit të negociatave të perfeksionuar ndër vite, perspektivat e një paqeje të vërtetë në këtë rajon mbetën të vakta. Moszgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez, në thelb një konflikt nacionalist, ku dimensioni fetar është po aq i rëndësishëm e që daton që prej 1920, lufta në Afganistan apo dhuna që ushtrohet në Pakistan,  vetëbesimi i tepruar i Iranit dhe ndikimet e tij në skenën rajonale e ndërkombëtare, pa lënë jashtë listës famëkeqe të konflikteve situatën politike dhe çështjen e sigurisë irakiane, që ndonëse disi e përmirësuar nga monitorimi i perëndimorëve, por me një impakt thuajse të pallogaritshëm në statusin socialo-ekonomik të Irakut, të gjithë këto çështje nuk bëjnë tjetër veç përforcojnë imazhin e një rajoni kaotik dhe më shumë se kurrë shpërthyes. 
Duke parë këtë situatë politike të ngarkuar, vetvetiu lind pyetja nëse kemi të bëjmë me një përgjegjësi kolektive apo thjesht një rastësi rrethanash. Pa dyshim që qeveritë e vendeve në fjalë mbajnë mbi supe një përgjegjësi jo pak të neglizhueshme për situatën në rajon, edhe pse secili prej këtyre konteksteve mbart domosdoshmërisht veçoritë e tij. Kjo përgjegjshmëri konstatohet që nga «pamundësia» e izraelitëve për të konsoliduar një vizion që tejkalon konceptet e ndrydhura të sigurisë kombëtare, në radikalizmin politik të iranianëve, etjen për pushtet të Presidentit afgan, Hamid Karzai, ambiciet personale të disa politikanëve pakistaneze, pa lënë mënjanë qeverisjen e çoroditur irakiane, sa të vetëkënaqur nga konsideratat e saj, po aq dhe të distancuar nga realiteti i trishtë i shoqërisë vendase. Kjo panoramë të lë të nënkuptosh se asnjë prej këtyre vendeve nuk duket të ushtrojë vullnetin e mirë për t’i dhënë fund parantezës së dhunës, përkundrazi të jep përshtypjen e ushqyerjes së konflikteve, ndërkohë që më shumë se kurrë këtij rajoni i nevojitet stabilitet.
Jo rrallëherë kohët e fundit, liderët perëndimorë janë shprehur në favor të një politike të re për rajonin në fjalë. Por çfarë presupozon ajo çka ata quajnë “era e ndryshimit”, dhe kur do të nisë të fryjë mbi Lindjen e Afërt e të Mesme? Ndoshta gjërat duhen parë nën efektin e nuancave. Pa dyshim, kursi i qëndrimeve politike të presidentit të ri amerikan Obama si dhe ai i teknokratëve europianë ka ndryshuar. Ky ndryshim pasqyrohet jo vetëm në një politikë me nuanca pozitive në raport me Iranin, në premtimin e presidentit amerikan për pakësimin deri në tërheqje të forcave ushtarake nga Iraku, por dhe në një përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve me Sirinë. Fakt është se këto përpjekje mbeten të pamjaftueshme. Ajo ç’ka i nevojitet këtij rajoni, apo e thënë ndryshe kësaj fuçie baruti, do të ishte ndoshta një qëndrim më i prerë dhe njëkohësisht pragmatik i perëndimorëve në lidhje me konfliktet që zotërojnë aty. Konflikti izraelo-palestinez, që deri në një farë mase gjeneron edhe shumë konflikte të tjera, paraqet një terren të minuar. Që paqja e shumë dëshiruar të vendoset dhe ëndrra e një shteti palestinez të bëhet realitet, kërkon më shumë se kurrë tashmë presionin e perëndimorëve mbi protagonistet e tij, që fatkeqësisht nuk shohin rrugëzgjidhje tjetër veçse ushtrimit të dhunës. Jo më pak e trishtë është tabloja në Pakistan dhe Afganistan, ku vala tronditëse e talebanëve përbën një kërcënim real e eminent për sigurinë në vend. Në këto kushte, duke njohur realitetin e terrenit dhe limitet e negociatave me të ashtuquajturit “talebanë të moderuar”, probabiliteti që këto të fundit të çojnë në arritjen e një stabiliteti është tejet i vakët. Pa përmendur, që historikisht negociatat me perëndimorët shpesh konsiderohen në këto vende si akt tradhtie, gjë që mund t’i diskreditonte udhëheqësit talebanë të “moderuar” apo “radikalë”, qofshin në sytë e masës pashtune. Situata bëhet dhe më paradoksale kur shohim se rrethanat kërkojnë rritjen e forcave ushtarake në Afganistan, aksion ky që i përgjigjet domosdoshmërisë për të minimizuar përpjekjet negativiste të forcave politike që dëshirojnë destabilizimin e proceseve të evolucionit në vend, ndërkohë që kjo strategji ka dëshmuar limitet e veta në zgjidhjen e konflikteve. Pavarësisht nga ç’mund të thuhet apo mendohet, rasti i Irakut është dëshmi e pakundërshtueshme se ndërhyrja ushtarake shpesh është një alternativë e pamjaftueshme për vendosjen e paqes.
Pavarësisht problematikave së tyre, konfliktet në rajon kanë një rezultante të përbashkët; aplikimi i strategjive diplomatike dhe ushtarake të përdorura nga perëndimorët, qofshin këta SHBA, NATO apo BE, kanë zbehur thellësisht legjitimitetin e «shpëtimtarit» në sytë e popullatave vendase. Madje dhe roli i Kombeve të Bashkuara apo vendimet e Këshillit të Sigurimit nuk merret më shumë seriozisht nga ana e opinionit publik.
Vështirësitë që perëndimorët po hasin në përpjekjet për stabilizimin e rajonit, pak nga pak po konfirmojnë hipotezën se ndoshta alternativa e vetme e shpëtimit nga kaosi që minon këto shoqëri, do të ishte strategjia e ndërmjetësimit nga «aktorët» lokalë. Këta mediatorë për të qenë të besueshëm duhet të gëzojnë jo vetëm një stabilitet politiko-ekonomik, por dhe modeli social që përfaqësojnë duhet të jetë një burim inspirimi për popullatat e këtij rajoni. Për rrjedhojë, legjitimiteti i mediatorëve do të sillte efekte jo pak të neglizhueshme në zgjidhjet substanciale për të cilat këto vende kanë nevojë, duke filluar nga inicimi i një bashkëpunimi të forcave politike, konsolidimi i sistemit politik qoftë legjislativ apo ekzekutiv, aplikimi i perspektivave të qëndrueshme ekonomike etj., kushte sine qua non për demokratizimin dhe emancipimin e rajonit.
Parë nga ky këndvështrim, rasti i Turqisë mund të jetë një shembull interesant, kështu ai mund të hulumtohet më së miri në rastin e Afganistanit, po ashtu dhe të Pakistanit. Mos harrojmë se jo shumë kohë më parë, Ankaraja rishqyrtoi tërësinë e politikës së jashtme në lidhje me vendet e botës arabe në përgjithësi, e të Lindjes së Mesme në veçanti. Qëllimi i kësaj politike të re ishte ridimensionimi i rolit të Ankarasë jo vetëm si një mediator i rëndësishëm, por dhe si një faktor stabiliteti në rajon. Dëshmi e saj është dhe implemtimi i “negociatave indirekte” mes Sirisë dhe Izraelit, nën «tutelën» turke, aktualisht të ngrira për shkak të përleshjeve në rripin e Gazës. Siria dhe Izraeli, janë dy shtete në luftë, pavarësisht marrëveshjeve të armëpushimit, për shkak të pushtimit nga Izraeli, në 1967, dhe aneksimit në 1981, të pllajës së Golanit.
Panorama kakofonike që mbizotëron në rajon e më gjerë kërkon më shumë se kurrë zgjidhje. Vështirësitë që has Uashingtoni dhe aleatët e tij perëndimorë imponojnë gjetjen e alternativave paralele.
Në këto rrethana, nuk do t’u mbetej tjetër “perëndimorëve” veçse të inkurajonin mediatorët lokalë. Një sërë skenarësh në pamje të parë paradoksalë, por pas analize, jo kaq të pamundur sa ç’duken, mund të imagjinohen. Kështu, fare mirë Katari mund të influenconte dukshëm në perspektivat arabo-iraniane, Doha dhe Rihadi mund t’i jepnin një shtytje pozitive problemit sudanez, madje pse jo trataktivat mes Arabisë Saudite dhe Iranit mund të sillnin evolucione interesante sa mbi zhvillimet në Pakistan po aq dhe në Irak.
Në të njëjtën kohë, është vështirë të mendohet që pas kaq shumë tentativash diplomatike apo ushtarake, rezultati i të cilave lë për të dëshiruar, të mos bëhen përpjekje për implementim strategjish e taktikash ndoshta të çuditshme në dukje, por shumë të nevojshme, për të mos thënë thuajse të pashmangshme për stabilitet e paqe në rajon.
arshela.arapi@ymail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›