Kolegji Zgjedhor pritet të marrë vendimin për anikimimin e PS-së për Qarkun e Fierit

Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë shqyrtoi sot paradite kërkesën ankimore të Partisë Socialiste "për shpalljen të pavlefshëm të 440 fletëve të votimit në QV 3052 të KZAZ-së nr. 19 Qarku Fier". Trupa gjyqësore, me relatore gjyqtaren Dhurata Haveri, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, është tërhequr rreth orës 13: 15 për të marrë vendim lidhur me administrimin e provave të paraqitura nga ankuesit e kësaj çështje. PS, në cilësinë e palës paditëse, ka paditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendimin e tij të datës 13 korrik, i cili e shpalli të vlefshëm rezultatin e kësaj kutie votimi, duke e nxjerrë PD-në fituese përballë PS-së. Kutia e votimit me nr. 3052 e komunës Ruzhdie të Qarkut Fier, përmbante 440 fletë votimi, të cilat kishin një vulë të vetme, ndërsa Kodi Zgjedhor e parashikon që dokumenti i votimit të ketë dy të tilla. Sipas avokatëve të PS-së që mbrojtën çështjen para anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, në ditën e votimit, përfaqësues të socialistëve janë larguar nga qendra duke marrë me vete edhe vulën, për shkak të një incidenti të krijuar. PS pretendon që këto fletë votimi duhen konsideruar të pavlefshme pasi Kodi kërkon që fleta të ketë dy vula. Por, pala e interesuar në këtë çështje, Partia Demokratike, përmes përfaqësuesve të saj ligjorë, e cilësoi pretendimin e ngritur nga PS si të pambështetur në prova dhe ligj. Sipas tyre, largimi i socialistëve nga QV është bërë me arsyen e vetme, atë të bllokimit të procesit në komunën Ruzhdie, që njihej si zonë e Partisë Demokratike. Partitë politike që janë ankuar zyrtarisht pranë Kolegjit me kërkesat e tyre janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Partia Konservatore. Këto subjekte kontestojnë vendimet e KQZ lidhur me rezultatet e disa KZAZ-ve në Qarqet e Fierit, Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Tetë anëtarët e kësaj trupe gjyqësore e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.
...