Mbledhja e KRTRRSH-së/ Berisha: Investimet në fushën e turizmit dhe industrisë do të kenë prioritet (update)

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi disa vendime të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e integruar ekonomiko-indutrial dhe planin urbanistik të vendit, si dhe një seri lejesh për investime të mëdha në sektorin e ndërtimit, energjisë, infrastrukturës etj. Në përfundim të mbledhjes, Kryeministri Berisha kërkoi nga Sekretaria teknike e KRRTRSH-së që të sjellë me prioritet projekte që lidhen me zhvillimit industrial dhe turistik në vend. Kryeministri kërkoi gjithashtu që projektet të "udhëhiqen" nga parimi për mbrojtjen e ambjentit dhe mjedisit, si dhe ndërtimet në zonat turistike të mbështeten mbi studime të zhvillimit të integruar.
Berisha: Kriter bazë për zhvillimin e zonave turistike do të jetë zhvillimi i integruar i tyre
“Në mbledhjen e kaluar u miratuan rreth katër zona në Gjirin e Lalzit për zhvillim turistik. Së pari, duhet të jetë kusht themelor që ato të zhvillohen në lartësinë dhe mënyrën e shfrytëzimit të përcaktuar për atë zonë që është jo më e lartë se 3 kate dhe në përqindjen e përcaktuar. Së dyti, që është po kaq e rëndësishme, do të jetë vetëm zhvillim i integruar i tyre edhe sikur të jetë tërësisht pronë e një individi. Çdo gjë që vjen këtu dhe që miratohet nga Sekretaria Teknike dhe KRRTRSH-ja do mund të zhvillohet më tej veçse si një investim dhe një zhvillim i integruar. Duhet të zhvillojmë këtë sens në interesin më të mirë të çdo pronari, të çdo individi dhe vendit në tërësi. Ne kemi një shans unik në mbarë Evropën, pasi kemi një vijë bregdetare të paprekur në pothuajse 93-94 për qind të gjatësisë së saj. Do të ishte e pafalshme të ripërsërisnim Durrësin, që ka qenë një ndër plazhet më të bukura të Evropës dhe tani është katandisur në një situatë shumë të rëndë nga ana urbanistike. Nuk mund të them se nuk është dëmtuar edhe Golemi, ndonëse jo në atë shkallë, por pjesa tek Shkëmbi i Kavajës ka dëmtime të thella. Kjo histori nuk do të përsëritet më. Parcelat që miratohen këtu për zhvillim do të zhvillohen në tërësi dhe jo ndryshe. Është pasuri individuale, por turizmi është një problem kombëtar i rëndësisë kryesore. Ndaj, sekretaria teknike nuk do të pranojë asnjë ndryshim mbi planin e përcaktuar, asnjë shfrytëzim jashtë shfrytëzimit të integruar të zonës dhe do të përcaktojë qartë standardet e ndërtimit. Është një shans unik që kemi dhe le t’i zhvillojmë këto zona në standardet më të shkëlqyera. Ne e kemi këtë mundësi dhe nuk duhet të udhëhiqemi nga babëzia, por nga parashikimi i qartë i rëndësisë së madhe që ka një zhvillim i harmonishëm, jashtë betonizimit, të prirë nga fitimi i madh dhe dëmtimi i parikthyeshëm i mjedisit,” u shpreh Kryeministri.
Mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit
“Kriteret e mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit dhe jo anti-globalizmi do të jenë përcaktuese për të gjitha vendimmarrjet e ardhshme. Edhe një herë dua të denoncoj me forcën më të madhe anti-globalizmin si një transfigurim i doktrinës së vjetër marksiste-leniniste, e cila, fatkeqësisht, në Shqipëri është ngulitur dhe mishëruar në një grup të vogël eksponentësh të së majtës shqiptare, të cilët nuk mbrojnë aspak interesa të majta, por mbrojnë kryekëput interesa të mafies. Ky është realiteti, ndaj nuk kam ndërmend të përfill dhe as të dëgjoj anti-globalizmin e tyre, sepse ai, në vetvete, është një armik i mjedisit. Ju e keni të qartë se për kë është fjala. Të nesërmen e mbledhjes së javës së kaluar të KRRTRSH-së, zotëria doli dhe në mënyrën më të papërgjegjshme u deklaroi shqiptarëve se TEC-e me qymyr nuk ndërtohen më kurrkund në Evropë, ndonëse ato janë në rikthim të fuqishëm. Po ndërtohen tre të tillë në Itali, tre në Gjermani dhe për ironi të fatit, ditën që ai deklaronte se këto TEC-e nuk ndërtohen më askund në Evropë, nga Banka Botërore u vendos të ndërtohet një nga TEC-et më të mëdhenj në rajonin e Kosovës. Unë e përshëndes këtë vendim. TEC-e të tillë po ndërtohen në Çeki dhe në Holandë, në vendet ku kryefjala e të gjitha politikave është mbrojtja e mjedisit. Kjo është dhe arsyeja se përse unë nuk dëgjoj zërin e anti-globalistëve, sepse e bazojnë tërësisht në mashtrim. Sa serioze është t’u dalësh dhe t’u deklarosh qytetarëve të tu se në Evropë nuk ndërtohen më TEC-e me qymyr, kur janë në ndërtim e sipër me dhjetëra të tillë? Cila është përgjegjësia ndaj zhvillimit të vendit? Ky është vetëm anti-globalizëm. U detyrova të bëj këtë ekspoze, sepse jam i bindur që nesër me fabrikat e çimentos do të lidhet edhe njohja apo mosnjohja e zgjedhjeve. Kështu e bëri edhe më mbledhjen e mëparshme, ku doli dhe tha se me këto termocentrale nuk i njoh zgjedhjet”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Miratohen sheshe ndërtimi për fabrikash dhe TEC-esh
“Sot, janë një seri çështjesh në rendin e ditës të kësaj mbledhje, ndër të cilat janë edhe sheshet e ndërtimit për fabrika çimentoje, me një investim rreth 1 miliardë euro. Shqipëria është një vend me nevoja në rritje shumë të shpejtë për çimento dhe materiale ndërtimi. Një infrastrukturë e tërë është për t’u ndërtuar, janë për t’u ndërtuar edhe qindra hidrocentrale, vepra të shumta vaditje, mijëra kilometra rrugë dhe vepra arti në çdo kilometër. Në këtë kontekst, nevojat e vendit për çimento janë shumë të mëdha. Ndaj, janë shumë të mirëpritura investimet në industrinë e çimentos dhe industrinë e materialeve të ndërtimit në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se një kriter themelor për këto investime është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. “Ka një kriter themelor, - tha Kryeministri - që është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Meqenëse grupe dhe organizata të shoqërisë civile që merren me problemet e mjedisit kanë shprehur shqetësime për potencialin e mundshëm ndotës të kësaj industrie, ne do t’i miratojmë këto sheshe, por kushti për ndërtimin e tyre dhe për kapacitetet e tyre do të përcaktohet nga rezultati i studimit të efektit kumulativ të saj, e cila shtrihet nga Fushë Kruja në Bushat. Dihet që kodrat bazike të Shqipërisë përbëjnë një material të klasit të parë dhe gurët e tyre gëlqerorë përbëjnë një material të cilësisë të parë për çimento, por do të qartësojmë se cili është efekti kumulativ i tyre në hapësirën e këtij territori. Gjithashtu, do të përcaktohen shumë qartë teknologjitë që do të përdorën, si dhe të gjithë faktorët më të cilët kjo industri ndikon në mjedis.”
Studimi, - vijoi Kryeministri, - duhet të jetë transparent dhe duhet të jetë objekt i një diskutimi të hapur me grupet e interesit, duke përmendur si një shembull pozitiv në këtë drejtim rastin e TEC-it në Vlorë, ku u nënshkruan një marrëveshje me përfaqësuesit e tyre.
“Ky TEC prodhon ndotje sa 500 vetura Mercedez Benz. Pra, ndotja e tij është dy herë më e ulët, sesa ajo që parashikohet në standardet europiane. Unë jam i bindur se është vepruar drejt dhe po kështu do të veprohet edhe me industrinë e çimentos, një industri jetike për vendin tonë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Gjithashtu, KRRTRSH-ja miratoi edhe një seri detyrash projektimi për planin e përgjithshëm rregullues të disa qyteteve të vendit dhe disa studime urbanistike për zonat turistike.
Të gjitha vendimet që u miratuan
“Shesh ndërtimi për fabrikë çimento, me investitor General Cemend Albania, në komunën Balldre, qarku Lezhë”;
“Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Fabrika e Çimentos-Drojë”, në Mamurras, qarku Lezhë”;
“Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për fabrikë çimento, në komunën Bushat, qarku Shkodër”;
“Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Kompleks industrial për prodhimin e çimentos dhe tullave të lehtësuara në Fushë – Krujë dhe Nikël, me investitor GENER2”.
Të gjitha vendimet
Shesh dhe leje ndërtimi për fabrikë çimento, me investitor General Cement Albania (GCA), në qarkun e Lezhës.
2- Studim urbanistik dhe shesh i ndërtimit të objektit “Hidrocentral Rrapun 1 dhe Rrapun 2”, komuna Librazhd – Qendër, qarku Elbasan.
3- Stadium urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Fabrika e Çimentos – Drojë”, Mamurras.
4- Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për fabrikë çimentoje, në Komunën Bushat, qarku Shkodër.
5- Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Kompleks industrial për prodhimin e çimentos dhe tullave të lehtësuara në Fushë - Krujë dhe Nikël”, me investitor “GENER 2”.
6- Studim urbanistik pjesor dhe sheshi i ndërtimit të objektit “Kompleks sportiv”, në Budëll, Bubq, në qarkun Durrës.
7- Plani i përgjithshëm rregullues Voskopojë.
8- Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Cërrikut.
9- Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Përrenjasit.
10- Detyra e projektimit për studimin urbanistik pjesor të kodrës “Krasta e Madhe”, Elbasan.
11- Detyra e projektimit për hartimin e planit të përgjithshëm rregullues të bashkisë Gramsh.
12- Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Librazhdit.
13- Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Belshit.
14- Detyra e projektimit për studimin urbanistik të komunës Bushat në qarkun e Shkodrës. Studimi urbanistik i qendrës së komunës Bushat, zonës industriale gjatë autostradës Tiranë-Shkodër dhe rrugës kryqëzimi Vau i Dejës-Mjedë, si dhe vijat kufizuese të 14 fshatrave të kësaj komune.
15- Detyra e projektimit për hartimin e studimit rajonal dhe mjedisor të rajonit që përfshin bashkinë Vorë, komunën Prezë dhe komunën Bërxull.
16- Masterplani i bashkisë Vorë, detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të bashkisë Vorë, plani rregullues i bashkisë Vorë.
17- Studimi urbanistik përgjatë rrugës së Rinasit, me sipërfaqe të përgjithshme 234.40 ha.
18- Studim urbanistik i zonës turistike të Gjirit të Lalzit.
19- Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 74.3 ha, në jugperëndim të Liqenit të Farkës (pjesë e studimit Rajonal Mjedisor).
20- Leje për shesh ndërtimi për objektin “Zonë Shërbimesh” (pikë karburanti, zyra, hotel, godinë polifunksionale, etj), me sipërfaqe 1.4 ha, brenda studimit përgjatë rrugës së Rinasit.
21- Leje sheshi dhe leje ndërtimi për “Godinë 4 kate”, në zbatim të studimit pjesor.
...