E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet nuk i humbi PS, por Edi Rama

Eva Allushi* 

Pse erdhi Rama në krye të PS? Dorëheqja e Fatos Nanos, liderit historik të PS-së pas humbjes së zgjedhjeve solli nevojën imediate për t’u ringritur, për t’iu dhënë shpresë të gjithë atyre që të shokuar u gjendën në aktin e fundit të dramës që solli përçarja e të majtës. Edi Rama e kapi momentin dhe në fakt ishte momenti i tij. Kur Edi Rama u vendos në krye të Partisë Socialiste, pakkush e mendonte këtë fund. Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, udhëheqësia e Partisë Socialiste ishte munduar ta mbante larg. Pse?
Imazhi i përçuar prej Ramës nuk premtonte një ngjizje të natyrshme të tij me Partinë Socialiste. Dhe këto vite dëshmuan në fakt se frika nuk ishte pa baza. Po kështu, oratoria e tij e shkëlqyer, punët e dukshme publike në Tiranë, armiqësia e hershme me Sali Berishën; as të gjitha këto të marra së bashku, nuk e bënin dot entuziaste bazën socialiste për vendosjen e Edi Ramës në krye të PS-së. Por, ai erdhi në krye të PS-së me një kusht, të vendosur nga të gjitha palët: Të çonte pas katër vitesh PS-në në pushtet. Ky ishte basti i tij, kjo ishte gara e tij…
Si e drejtoi Edi Rama
PS në katër vite?
Përballë përpjekjes pozitive të socialistëve për t’ia njohur e mirëkuptuar kryetarit natyrën e tij të vështirë, e cila ndikonte në ndërtimin e lidhjeve konstruktive me njerëzit, pra, pavarësisht vullnetit pozitiv të të gjithë socialistëve për t’i kapërcyer këto “vogëlsira”, Rama nuk arriti dot, përkundrazi u kondicionua nga komplekset e veta që lidheshin me mosvlerësimin e militantëve të partisë, idenë fikse se në PS kishte njerëz të paaftë, mungesën e dëshirën për të bashkëpunuar me njerëz që “për fatin e tyre të keq” ishin mbi pesëdhjetë vjeç, lodhja dhe dëshira për t’i ndërruar e zëvendësuar njerëzit etj. Po a duhen parë këto elementë me një sy shumë kritik? Unë do të thosha jo, nëse bëhej fjalë për një qytetar të zakonshëm, por sa i takon kryetarit të një partie si PS dhe synimeve që ajo kishte, kostoja ishte e lartë. Rezultati: Kryetari u shkëput nga realiteti, dëgjonte çfarë pëlqente dhe lundronte në delirin e sondazheve që i flisnin për fitore të sigurt.
Ne të tjerët padyshim e ndienim ftohtësinë, pasigurinë, shterpësinë e qëndrimit opozitar, por për shumë shkaqe…, askush nuk preferonte t’i prishte gëzimin e fitores së thellë kryetarit, e fitores vetëm dhe pa LSI. Këtu është momenti të nënvizoj edhe përgjegjësinë time individuale, si anëtare e kësaj kryesie, por dhe si një nga mbështetëset e Edi Ramës, në rrugën e tij në krye të Partisë Socialiste. Pa dyshim në kryesi kishte syresh që i besonin fasadës, por shumë të tjerë e shikonin me mosbesim çorbën që Edi Rama po gatuante me stafin e vet 20-vjeçar.
Në këtë sfond të pikturuar me realizëm, përpos të tjerash nuk mund të mos vë në dukje edhe hapat pozitivë që ndërmori Edi Rama.
Padyshim që ai punoi fort për sfidën që e shikonte si personale, iniciativat e tij si “Dialog me Shqipërinë”, ngritja e Fondacionit “Qemal Stafa”, apo dhe përpjekjet për të ndërtuar një program serioz e ambicioz për zhvillimin e vendit ishin për t’u përshëndetur si një risi në jetën politike shqiptare dhe në jetën e PS-së veçanërisht.
Por gjithçka mbeti në nivelin e konstatimit. Edi Ramës i mungonte përvoja personale në nivele të larta qeverisëse, veçanërisht në fusha si ekonomia apo politika e jashtme dhe padyshim në tërësi nuk ndërtoi stafet e duhura që do të bënin të mundur arritjen e një pikësynimi: një ofertë të re e të qartë për shqiptarët. Importimi i një strategjie të gatshme gjatë fushatës nuk solli asgjë të mirë për PS-në, pasi ishte larg realitetit të vendit dhe mentalitetit të shqiptarëve. Rama ndërkohë, mbeti rob i frikërave të kota që e lidhnin me të kaluarën, obsesioni i tij për të mohuar gjithçka që shqiptarët kishin ndërtuar me mund e me djersë në 18 vjet me një qeveri apo me një tjetër, vetëm sa krijoi moskuptim e pakënaqësi tek opinioni. Askush nuk përmendi asnjëherë, me porosinë e tij të veçantë, asnjë nga arritjet e qeverisë socialiste në tetë vite.
Teoria e tij përtej të majtës e të djathtës, nuk gjeti terren në Shqipëri, tingëlloi e pavend, e stisur dhe që nuk prodhoi asgjë. Vetidealizimi i figurës së tij duke shënjestruar klasën politike dhe duke u vetëpërjashtuar prej saj, tingëlloi jo e besueshme dhe nuk e shpëtoi nga përgjegjësitë. Insistimi deri në fobi për të kapakosur historinë e PSSH dhe mohimi i kontributit të pararendësit të tij Fatos Nano, e bënë sërish të pabesueshëm dhe të vogël. Dëshira për të materializuar mohimin e kontributeve, përmes prurjeve të reja, të cilat padyshim që janë të domosdoshme për çdo parti, por që në rastin konkret, u morën përtej gardhit, madje edhe nga gardhi përballë… dhe që në disa raste nuk reflektonin asnjë kontribut profesional, publik apo politik, kjo lëvizje pra thjesht sa uli nivelin e besimit dhe të marrjes me seriozitet të alternativës sonë nga votuesit shqiptarë. Personalizimi i luftës politike dhe mungesa e zërave të tjerë në PS e jetën publike e politike të vendit krijoi monotoni e varfëri qëndrimesh. Distancimi nga anëtarësia e PS-së dhe përdorimi i tezave se PS-ja është thjesht një instrument në duart e qytetarëve, jo vetëm që nuk motivoi këta të fundit, por shkurajoi dhe anëtarët e partisë, të cilët e ndienin veten jashtë vëmendjes së qëllimtë të kryetarit të tyre. Strategjia e përcjelljes së një mesazhi të njëjtë, përqendrimi i vakët dhe vetëm në pak çështje të njohura korruptive, rezultoi një blof për shkak të fasadës dhe boshllëkut në qëndrime.
Dialogbërësit e Ramës nuk ngjallën në më të shumtën e herëve besim dhe nuk përcollën qartë thelbin e ofertës sonë politike dhe kjo jo vetëm për faj të tyre, apo të hallit se po na i vjedh zgjidhjet në sirtar Berisha, por edhe të mendësisë së pavlerë të liderit që mendonte të përçonte me çuna e goca, atë që shqiptarët nuk e besuan, politikën e re, në emër të së cilës, Rama nuk linte rast pa shprehur faktin se ai ishte jo një politikan, por një qytetar i angazhuar në politikë. Madje, në emër të kësaj teze, Edi Rama kishte mendimin të sfumonte rolin e gazetës së PS-së “Zëri i Popullit” dhe ta çonte atë drejt mbylljes. Kjo dekurajoi dhe çorientoi opinionin në tërësi dhe përkrahësit e PS-së në veçanti, të cilët kishin nevojë të shikonin një lider të vendosur dhe të qartë në rrugën dhe misionin e tij politik. Dhe e gjithë kjo histori 4-vjeçare u mbyll me listat e kandidatëve, ku padyshim ka plot figura për të cilat Partia Socialiste ia vlen të krenohet.
Ndërkohë që kemi dhe anën tjetër të medaljes, në lista, brenda një nate, në emër të shoqërisë dhe miqësisë, u futën njerëz pa asnjë lidhje apo kontribut për PS, pa asnjë kontribut për shoqërinë, por me një lidhje të fortë, para të cilës askush nuk bëri zë, me Edi Ramën. Në lista u renditën në mënyrë qesharake çuna e goca që nuk kishin asnjë spaletë për të tundur në supet e tyre. Pra, lideri i socialistëve ndërtoi shpurën e tij të njerëzve, që në kushtet kur nuk e dinin se ku binte godina e PS-së, për një mandat të fituar në kurriz të kontributit të dhjetëra mijë socialistëve, do t’i mbeten mirënjohës mirëbërësit të tyre personal. Situata bëhej edhe më paradoksale kur nga ana tjetër u lanë jashtë listave disa figura të PS, ku më bujë bëri përjashtimi i Fatos Nanos, ish-kryetari i PS-së, një figurë historike dhe themeluese e saj.
Pse humbi Rama?
E para, duhet të nënvizoj qartë se kjo humbje nuk është si gjithë të tjerat. Sot Partia Socialiste dhe e majta shqiptare ndodhet në një moment dramatik. Nga urrejtja që u mboll dje midis vedit, na duhet të përballemi sot me një konfiguracion të ri politik në historinë e pluralizmit shqiptar.
Pasojat do vijojmë t’i shohim në vazhdimësi. Por fillimisht le të ndalemi tek disa prej shkaqeve: Edi Rama nuk ringriti shpirtërisht Partinë Socialiste. U distancua prej atyre që ai i quan militantë, kur thjesht këta burra e gra, punëtorë, mësues, mjekë apo profesorë përkrahin pa rezerva e interes PS-në.
Tulati demokracinë e brendshme në PS. Nuk bëri opozitë të qëndrueshme dhe konsekuente. Disa herë bashkëpunoi për interesa të ngushta e të momentit në mënyrë jo luajale me PD, në Parlament. Nuk ishte i qëndrueshëm në linjat politike. Vetëm në këmbim të Kodit, pranoi të kalonte në Kuvend ligjin “Për Prokurorinë” bashkë me PD, kur më parë po PS kish vënë alarmin për dy nene famëkeqe që zhduknin pavarësinë e këtij institucioni. Dështoi në të gjithë tezat e tij. Dështoi teoria e tij “Përtej të majtës e të djathtës”. Kishte boshllëk idesh dhe rutinë në gjithë sa u trumbetua. Të rinjtë që dilnin në emër të PS-së, i tregonin elektoratit shportën e ushqimeve dhe krizën që i kishte mbërthyer hallemëdhenjtë, po zgjidhjet mungonin, ato kaloheshin vetëm me buzëqeshje fëminore, naive me sharmin e politikës së re. Dështoi në përzgjedhjen e një stafi të aftë, ata që u përzgjodhën dhe që u lançuan në heshtje në publik si stafi i mundshëm kryeministror ndërtuan një program anemik, i cili nuk u pa kurrë, madje as nga kryesia e PS-së. Nuk bashkoi të majtën, e cila mbeti e përçarë për shkak të një karrigeje. Nuk bashkëpunoi në mënyrë të sinqertë me aleatët e vegjël. Për shkak të mungesës së plotë të luajalitetit dhe të një bashkëpunimi konstruktiv e të përgjegjshëm, sot mbeten jashtë Parlamentit figura të spikatura e të rëndësishme të politikbërjes në vend, si Skënder Gjinushi e Paskal Milo etj.
Kandidatët për deputetë të panjohur për elektoratin nuk i shtuan asnjë votë PS-së, ky i fundit u çorientua edhe më shumë nga fakti se në ballë të betejës nuk i printe lideri i vet, por shoqëria civile.
Pse duhet të ikë Edi Rama
Së pari, duhet të zbatojë statutin dhe nenin përkatës që e propozoi vetë. Së dyti, ekziston një precedent serioz, dorëheqja e Nanos, të cilën ai nuk mund ta shmangë. Së treti, sepse ai dështoi në një pikë të rëndësishme, që ishte dhe misioni i tij në politikë: ai nuk i mori dot votat e uraganit, bashkimit të madh të qytetarëve “Përtej të majtës e të djathtës”, sepse nuk ngjalli besim. Dhe ky fakt bëhet akoma më i rëndë kur përballë Edi Ramës, konkurronte një 66-vjeçar i politikës së vjetër, mbi kurrizin e eksperiencës politike 20-vjeçare të të cilit rëndojnë ngjarje që kanë tronditur Shqipërinë dhe opinionin mbarë botëror. Politika e re dhe paqësore deri në dyshim e liderit socialist nuk u aprovua nga përkrahësit e të majtës, të cilët për shkak të qeverisjes megakorruptive të Sali Berishës shikonin arsye të forta për një opozitarizëm të fuqishëm dhe pa ekuivok, i cili asnjëherë nuk u performua si i tillë. Së katërti, sepse në emër të ambicies personale, nuk gjeti kurajon dhe vizionin e atij që duhet të jetë lider për të bashkuar, e jo për të shtypur me këmbë të vegjlit në politikë, që siç rezultoi, ta hanë kokën një ditë. Së pesti, sepse dështoi politika personale e Unit. Dhe së fundi, e mbi të gjitha, Edi Rama e ka humbur tashmë mandatin e tij, është detyrë e forumeve drejtuese të PS-së t’i hapë rrugë ofertës së re në PS, për një të majtë të bashkuar drejt shumë betejash të vështira, por që socialistët dinë t’i fitojnë. Tezat se nuk kemi humbur, por u vodhëm, i rëndojnë edhe më keq në kurriz Ramës, sepse Berisha vjedh, por unë si pjesëmarrëse direkte në mbi një dekadë në fushatat e PS-së, di që ne kemi fituar në të gjitha referendumet e zgjedhjet pas 2000, dhe në të mëparshmet e majta e bashkuar sërish ishte fituese. Mbi të gjitha duhet treguar pak përgjegjshmëri dhe ndaj socialistëve, mirë që i zhgënjyem, por të paktën mos t’i tallim me tezat e Ramës e ndonjë deputeti që e ka marrë e do vazhdojë të marrë pagën edhe katër vjet të tjera nga puna e komisionerëve socialistë, duke thënë se kemi dalë forcë e parë. Atëherë le t’i urojmë socialistët se paskemi fituar dhe të gëzojmë të gjithë së bashku se jemi forcë e parë, ndërkohë që sot socialistët janë më të papunë se dje, më të pashpresë se dje, më të shpërdoruar se dje. Këto qëndrime të sapoardhurve mund t’iu lejohen, por jo të vjetërve në PS, sepse Partia Socialiste ka qenë gjithmonë forcë e parë, dhe këto zgjedhje treguan se PS-ja mori votat e saj tradicionale, por ndërkohë goditën shpresat e Edi Ramës në dy momente: në tërheqjen e votës së të rinjve, të cilët nuk e votuan alternativën e tij dhe, së dyti, në thithjen e votave të qytetarëve përtej të majtës e të djathtës, të cilët nuk i pamë, të paktën tek votat socialiste. Është fatkeqësi e madhe të dëgjosh nga lideri i politikës së re artikulimin e frazës se nuk do t’i njohim zgjedhjet dhe nuk do të hyjmë në Parlament, vetëm pse ai nuk do të njohë një humbje, të cilës ia kreu vetë gjithë shërbimet. Kjo deklaratë dhe ashpërsimi i gjuhës së Ramës, i cili natyrisht që i harroi predikimet për politikë të re larg mllefit të politikës së vjetër, është një rrugë e rrezikshme për PS-në, dhe e dëmshme për Shqipërinë dhe për aspiratat e saj për integrimin në BE. Sot PS-së i duhet jo politika e fasadës, por një përpjekje e të gjithëve për t’i bashkuar socialistët e të majtët, përmes një mesazhi të ri. Partia Socialiste kurrë nuk ka vuajtur për figura dhe potenciale, për më tepër që tashmë duhet t’i ndahemi liderit me germa të mëdha, si një reminishencë që e trashëgojmë nga imazhet e komunizmit. Na duhet dikush që të çojë para një kauzë që e humbën socialistët jo për faj të tyre. Jemi mësuar të kërkojmë nën hijen e Enver Hoxhës një LIDER karizmatik etj., etj. I patëm dhe e dimë dhe rezultatin. Na duhet një drejtues jo interesant, jo i vetëkënaqur, jo i përkëdhelur, jo ironik, jo modern, jo i vogël, jo i ngushtë, jo mosbesues. Na duhet një Njeri, një socialist që respekton e beson thjesht tek njerëzit dhe tek kjo alternativë dhe do ia dalim në krye.
Do ia dalim duke u bërë promotorë të riformësimit të një të majte mbi bazë parimesh e principesh, me të cilat do të na duhet t’i drejtohemi elektoratit shqiptar. Kështu do të na besojnë nesër edhe qytetarët. Dikush duhet ta ulë kokën dhe të ndiejë  përgjegjësinë e faktit, që sot e për katër vjet të tjerë do të na udhëheqë Sali Berisha. Kjo nuk duhet të ishte koha e Berishës. Të fshihesh sot pas vjedhjes së votës është një taktikë e pavlerë dhe e zbuluar në dritë të diellit. Ai që bëri Gërdecin, nuk mund të garantojë dot standard zgjedhjesh. Por ne zgjodhëm të heshtnim që dje..!?

* Anëtare e kryesisë së PS, ish-kryeredaktore e “Zëri i Popullit”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›