Gërdeci, pezull padia e Mediut për Ina Ramën
TIRANE – Kallëzimi penal i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu mbeti pezull këtë javë në Prokurorinë e Tiranës, e cila ende nuk ka filluar procedurat me këtë padi. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se kallëzimi penal i firmosur nga ish-ministri Mediu është dorëzuar në zyrën e regjistrit në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas ka kaluar në tavolinën e kryeprokurorit të rrethit Genti Xholi. Pasi të analizojë materialet e ndodhura në kallëzim ky i fundit pritej t’ia kalonte padinë një prokurori për të kryer verifikimet paraprake me qëllim verifikimin e elementëve të veprës penale. Edhe pse padia është bërë një javë më parë, kallëzimi mësohet se është ende në zyrën e kryeprokurorit të Tiranës, ndërsa pritet që pas shqyrtimit materiali t’i kalojë një prokurori, që do të ngarkohet me procedurat e mëtejshme. Padia pritet t’i nënshtrohet një verifikimi paraprak që ka për qëllim të shikojë bazueshmërinë e pretendimeve të Fatmir Mediut, konkretisht hetimin nëse kryeprokurorja Ina Rama ka kryer vepër penale. Në varësi të përfundimeve që do të arrihen gjatë verifikimeve për materialin e kallëzimit Prokuroria mund të vendosë më pas regjistrimin e procedimit penal çka e kthen automatikisht kryeprokuroren në person në hetim. Në të kundërt, nëse gjykon se provat mungojnë apo se objekti i padisë nuk ekziston, Prokuroria sipas ligjit parashikohet të vendosë mosfillimin e hetimit çka liron Ina Ramën nga çdo pretendim i ngritur ndaj saj. Vepra penale të cilës i referohet padia e ish-ministrit Mediu, është “nxjerrja e sekretit” dhe “shpërdorimi i detyrës”. Ngjarja për të cilën pretendohet se prokurorja e Përgjithshme ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ka ndodhur më 25 prill 2008 kur Ina Rama dhe grupi i prokurorëve të Gërdecit, bënë publike në Prokurorinë e Përgjithshme, kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu dhe nisjen e hetimeve ndaj tij për tragjedinë e Gërdecit. Në kërkesën e prokurorisë drejtuar Kuvendit, e cila atë ditë iu shpërnda edhe mediave, ndodheshin fakte nga hetimi i tragjedisë, kurse publikimi i tyre sipas ish-ministrit Mediu dhe avokatëve të tij, përbën nxjerrje të sekretit të hetimit. tr.so