E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laze pranë lirimit nga akuza e trafikut

 

Trazhgim Sokolaj

Presidenti i klubit të futbollit “Elbasani”, Arben Laze, duket se do të lirohet nga akuza për “trafikim të lëndëve narkotike” ndërsa të njëjtin fat duket se do të kenë edhe pasuritë e tij të “ngrira” nga Prokuroria. Tre muaj pas arrestimit të personazhit të njohur në fushën e sportit dhe biznesit, kur dosja penale ndaj tij është drejt fundit, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bën shqyrtimin tërësor të provave të mbledhura gjatë procedimit penal. Në këtë dosje u akuzuan katër persona të arrestuar më 24 dhjetor 2008. I pari që ra në pranga ishte Shkëlqim Hyzmo. Ai u kap në Lushnjë, pasi në makinën me të cilën po lëvizte u gjet 1 kilogram heroinë. Policia ishte në ndjekje të rastit, duke ecur në linjën e personave që kishin kryer shit-blerjen e drogës. Sipas hetimeve, rezultoi se transportuesi i heroinës, Shkëlqim Hyzmo, ishte porositur nga Arben Prifti, banues në Fier, për marrjen e drogës në dorëzim. Nga ana e tij, Arben Prifti kishte komunikuar me presidentin e Elbasanit Arben Laze dhe ky i fundit kishte rënë dakord për shitjen e heroinës. Dorëzimi i saj është bërë nga vëllai i Arben Lazes, Fajtoni. Ky i fundit mësohet se e ka dorëzuar heroinën tek Shkëlqim Hyzmo, i cili u ndoq nga policia derisa droga u gjet dhe u bllokua në makinën e tij tip “Mercedes-Benz” në Lushnjë pranë zonës së Divjakës. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, presidenti i klubit të Elbasanit Arben Laze, mund të dërgohet në gjykatë vetëm për akuzën e “mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike”, i liruar nga akuza fillestare me të cilën u arrestua për “trafikim ndërkombëtar të narkotikëve”. Prokuroria ka shqyrtuar provat dhe faktet dhe duket se ka qenë para një rasti të vështirë për kualifikimin e akuzës në adresë të biznesmenit Arben Laze, sponsor kryesor i ekipit të futbollit të Elbasanit. Megjithatë në analizën përfundimtare të provave të administruara në dosje, nuk del qartë fakti që biznesmeni Arben Laze të ketë marrë në Maqedoni sasinë e drogës dhe ta ketë tranzituar në drejtim të Shqipërisë. Sipas hetimit, droga rezulton se ka ardhur nga Maqedonia por provat e gjetura nuk hedhin dritë mbi personat që e kanë sjellë atë. “Në kushtet kur nuk provohet se i pandehuri e ka sjellë lëndën narkotike nga Maqedonia, duke e tranzituar në kufi, atëherë akuza e trafikimit bie. Kjo akuzë sipas ligjit ngrihet ndaj personave, të cilët provohet se e kanë lëvizur drogën nga një shtet në një tjetër”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, provohet se Arben Laze ka qenë në dijeni të lëvizjes së drogës nga Shqipëria, ai madje ka marrë porosinë nga blerësi i heroinës Arben Prifti nga Fieri, por asnjë provë në dosje nuk tregon se Presidenti i Elbasanit e ka trafikuar lëndën narkotike nga Maqedonia. Prokuroria dyshon gjithsesi se transportimi i drogës nga Maqedonia deri në Elbasan është bërë nga persona të tjerë që kanë vepruar për llogari të grupit. Prokuroria tha se mund të klasifikojë akuzën ndaj Lazes për mbajtje dhe shitje droge, çka në fakt liron automatikisht nga sekuestroja pasurinë e tij, 3 apartamente në Elbasan dhe një kredi mbi 350 mijë euro, si dhe aksionet që i arrestuari zotëron te sport-klubi i futbollit Elbasani.

Biznesmeni udhëtim në Maqedoni për pagesën   
TIRANE – Arrestimi i Arben Lazes është bërë nga policia në kohën që presidenti i klubit të futbollit po vinte me makinën e tij nga Maqedonia. Laze kishte vetëm pak minuta që kishte kaluar pikën kufitare, kur u vendos në pranga nga policia. Sipas hetimeve të Prokurorisë, rezulton se në kohën që droga e kërkuar është dorëzuar prej vëllait të tij, Arben Laze ndodhej në një udhëtim në Maqedoni, ku ka paguar, te persona ende të pa identifikuar, një shumë 10 mijë euro. Sipas hetimit dyshohet se kjo shumë ka qenë pagesa që vetë Laze ka bërë për heroinën e kapur në Lushnjë, e cila kishte mbërritur më parë nga Maqedonia e pas porosisë së Arben Priftit nga Fieri, i ishte shitur korrierit të saj Shkëlzim Hyzmo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›