Masat kundër trafiqeve në kufi, bregdeti me kamera të lëvizshme
TIRANE - Bregdeti shqiptar së shpejti do të blindohet nga kamerat e vëzhgimit të hapësirës kufitare. Projekti i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit ka nisur zbatimin fillimisht në hapësirën detare të Vlorës dhe më pas do të shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga Konispoli e deri në Shkodër. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se ky projekt ka nisur për të shmangur trafiqet e paligjshme, që mund të kalojnë nga deti në drejtim të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Fillimisht është zgjedhur bregdeti i Vlorës, pasi është një vend strategjik që mund të përdoret nga trafikantët. Kjo nismë synon kontrollin e vijës bregdetare përmes kamerave të lëvizshme, që do të jenë një mbështetje e fuqishme në ndihmë të operacioneve të policisë dhe një barrierë tjetër në funksion të bllokimit të trafiqeve ilegale. Projekti, që tashmë ka nisur, mbështetet përveç policisë shqiptare edhe nga ekspertë italianë. Instalimi i një sistemi të sofistikuar kamerash termike në hapësirën e gjirit detar të Vlorës do të krijojë kushtet për të mbajtur nën kontroll të plotë të gjithë këtë zonë, lëvizjen e mjeteve lundruese, duke përfshirë dhe plazhet. E njëjta gjë pritet të vihet në zbatim edhe në zonat e tjera bregdetare, por më e përqendruar do të jetë në gjire. Edhe pse statistikat e policisë shqiptare vitet e fundit flasin për një minimizim, apo edhe bllokim të trafiqeve të paligjshme që kalojnë nga bregdeti shqiptar, përsëri situata duhet të jetë më e sigurt, kjo nisur edhe nga kërkesat e ekspertëve të Bashkimit Evropian, të cilët monitoruan kufirin shqiptar. Siguria e kufijve është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave dhe një nga kriteret që përcaktuan ekspertët evropian që mbërritën në Shqipëri disa ditë më parë. Projekti, është pjesë e një sistemi më të gjerë të kontrollit të gjithë hapësirës detare, që realizohet përmes radarëve. Por, në ndryshim nga këta, kamerat termike ofrojnë pamje të detajuara vizive multifunksionale. Puna pritet të përfundojë brenda pak javësh dhe fillimisht projekti do të funksionojë vetëm në hapësirën detare të gjirit të Vlorës. Ai është pjesë e strategjisë dhe e programit të qeverisë, për menaxhimin e integruar të kufijve. Pohimi i parë i ekspertëve të Komisionit Evropian, sapo kanë ardhur në Shqipëri ka qenë se heqja e regjimit të vizave duket një gjë mjaft e vështirë. Në qershor të vitit të kaluar Shqipërisë iu dorëzua udhërrëfyesi i procesit të liberalizimit, 42 kërkesa që duhet të plotësonin autoritetet shqiptare. Kushtet që kanë paraqitur ekspertët e Komisionit Evropian, kanë të bëjnë me realizimin e disa reformave por më së shumti me përmbushjen e një numri çështjesh teknike, që nga dokumentet e identitetit dhe ato të udhëtimit e deri të kontrolli i kufijve, sistemet online, lidhjet në rrjet dhe mundësia e aksesit me rrjetet e Europolit e Interpolit, forcimi i kapaciteteve teknike e teknologjike, si dhe ngritja e strukturave të reja. Shqipëria deri tani ka dorëzuar disa raporte në Bruksel për nivelin e realizimit të detyrave. Ndërkohë kushtet që kanë paraqitur ekspertët e BE-së, do të vihen në zbatim në formën e një reforme në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. Tashmë reforma pothuajse ka nisur dhe ka gjetur zbatim në bregdet, ku çdo lëvizje që do të ndodhë përgjatë vijës bregdetare, do të jetë nën fokusin e kamerave që do të instalohen, për të shmangur çdo trafik të paligjshëm. et.de