Shpresa, e dënuar nga pika e bardhë
Në një “Ruzhdi Bizhuta” thuajse pa shikues, Shqipëria U-21 humbi minimalisht 0-1 me Skocinë e kësaj moshe, në ndeshjen e parë të vlefshme për grupin 10 eliminator të Kampionatit Europian U-21 2011.
Shqipëria përgjithësisht e dominoi takimin, pavarësisht se nuk pati raste të pastra për të shënuar, por u ndëshkua nga skocezët me një penallti të shndërruar në gol nga zëvendësuesi Kristofer Mekguajër në minutën e 86-të.
Ndeshje midis dy kundërshtarëve tërësisht të panjohur për njeri-tjetrin kishte më shumë nuanca taktike nga të dy trajnerit, për të mos humbur në ballafaqimin e parë historik midis tyre në nivel U-21, por që në përfundim të 90 minutave pa fitues miqtë nga Skocia.
Topin e parë dhe goditjen e parë nga këndi e realizoi Skocia, por në minutën e 3-të ishte Shqipëria ajo që rrezikoi për herë të parë seriozisht, teksa portieri Alan Martin ishte në pozicion.
Gjashtëmbëdhjetë sekonda më pas, Sabien Lilaj i Tiranës sërish e ngacmoi portën skoceze, por pa rezultat. Në minutën e 6-të Erando Karabeci i Partizanit ekzekutoi një goditje këndi, por pa rrezik për kundërshtarët britanikë.
Në minutën e 10-të, një aksion i bukur i kapitenit të Shpresave, Enco Malindi, nga e djathta e sulmit tonë. Sulmuesi i Spartak Varnës në kampionatin bullgar, harkoi ëmbëlsisht brenda zonës së vogël skoceze dhe aty mbrojtësi i Belasica Petric, po në Bullgari, Ditmar Bici, i ardhur nga thellësia e mbrojtjes sonë, goditi fuqishëm me kokë, duke e detyruar portierin kundërshtar të reagojë në mënyrë spektakolare e ta devijojë topin në goditje këndi.
Në minutën e 11-të ishte portieri i talentuar i Flamurtarit, Shpëtim Moçka, i cili me një ndërhyrje me këmbë shmangu një gol të sigurt kur Golduill ishte shumë pranë topit e portës.
Në minutën e 14-të, një top i gjatë nga thellësia e mesfushës sonë i jep mundësinë Hykës të kryejë një manovër të bukur brenda zonës, teksa arrin të kontrollojë topin, por harkimi mbi portierin ishte i gabuar. Një rast i mirë për gol.
Talenti Moçka, i vëzhguar në këtë takim nga skauterët e grupit “Vata Vision Football Management” u tregua disa herë i gatshëm për të bllokuar gjuajtjet e skocezëve, veçanërisht e David Golduillit, lojtarit të Dandi Junaitid në kampionatin skocez.
Në të 25’, Endrju Shini pati mundësinë më të mirë për të shënuar pas një goditjeje të lirë. Mesfushori i Dandi Junaitid ishte i pambuluar as nga Malota e as nga Bici, por për fat topi përfundoi jashtë.
Hyka krosoi rrezikshëm në minutën e 30-të, por mbrojtësi i Falkirkurt, Kris Mitçëll, me ndërhyrjen e tij e shpëtoi portën e tij. Sabien Lilaj gaboi në pasim, Xhemi Mërfi përfitoi duke rrezikuar seriozisht portën tonë në minutën e 38-të. Në fundin e pjesës së parë, mesfushori i Maincit, Jahmir Hyka, goditi nga larg, por Martin e devijoi në goditje këndi.
Edhe në pjesën e dytë ishte Skocia ajo që realizoi goditjen e parë nga këndi në minutën e 50-të, madje dy të tilla resht në harkun e pak sekondave.
Tomas Skobi shkaktoi një faull në dëm të Jahmir Hykës, në afërsi të zonës (rreth 20 metra, ballore) në minutën e 57-të, por Hyka goditi në mënyrë tërësisht të gabuar, duke humbur një mundësi të mirë.
Në minutën e 60-të, Golduilli, brenda zonës, mashtroi Bicin, goditi fuqishëm, por Moçka reagoi mirë, duke e devijuar atë në goditje këndi. Reflekse të jashtëzakonshme të portierit të Flamurtarit, një ndër më të mirët në fushë për Shqipërinë.
Në të 61’, Jonuzi goditi brenda zonës në formë voleji rrafsh me tokën, por portieri skocez Alan Martin reagoi mirë.
Trajneri Artan Bushati, në minutën e 65-të, hodhi në fushë mesfushorin e avancuar të Ravenës, Brian Filipi, në vend Renato Malotës e dy minuta më pas edhe tekniku skocez, Billi Stark, zëvendësoi Mërfin me Mekguajërin të Aberdinit.
Sulmuesi i Teutës, Emiljano Vila, tentoi me një goditje të fuqishme me të majtën, në minutën e 72-të, por sfera kaloi shumë mbi traun horizontal të portës skoceze.
Trajneri Bushati, në të 75’ hodhi në fushë mesfushorin e Angers në Francë, Semiran Çela, në vend të Sabien Lilës, i dëmtuar.
Në minutën e 78-të Bici nuk e mbylli shpejt korridorin brenda zonës, a aty pranë Hanlon goditi vertikalisht me kokë, por Moçka rishfaqi sërish vlerat e tij.
Në të 80’ Hyka goditi nga një distancë prej më shumë se 25 metrash, por gjuajtja e tij ishte e lehtë dhe e parrezikshme.
Tekniku Bushati luajti edhe kartën e fundit në dispozicion, duke hedhur vlonjatin Ardit Shehaj në vend të kapitenit Enco Malindi, në minutën e 83-të.
Kur duheshin edhe pesë minuta nga përfundimi Skocia shënoi edhe golin e fitores, të realizuar me penallti. Moçka pengoi brenda zonës zëvendësuesin Kristofer Mekguajër dhe gjyqtari rumun akordoi pa hezitim 11-metërsh, të cilën e shndërroi në gol.
Në minutën e 89-të Arbri krosoi në zonë, por goditja me kokë e Jonuzit ishte e pasaktë, duke humbur një mundësi të mirë për të barazuar.
Shqipëria e nisi me një humbje aventurën në eliminatoret e Kampionatit Europian, ndërkohë që katër ditë më pas, më 1 prill, në Falkirk, do të ritakohemi për herë të dytë me Skocinë.
U-21, SHQIPËRI-SKOCI 0-1
Shënues: Mekguajër 86’ (p)
Eliminatoret e Kampionatit Europian, Grupi 10
E shtunë, 28 mars, ora 15:30
Stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasan
SHQIPËRIA: Moçka, Arbri, Malota, Bici, Veliu, Lilaj (75’ Çela), Karabeci (65’ Filipi), Vila, Malindi (83’ Shehaj), Hyka, Jonuzi. Trajner Artan Bushati
SKOCIA: Martin, Paul, Skobi, Mitçëll, Kadis, Hanlon, Banan (90’ Loj), Mërfi (67’ Mekguajër), Shini, Mekdonald, Golduilli. Trajner Billi Stark
Gjyqtarë: Bogaçiu (Rumani)
Kartonë të verdhë: Malota, Filipi
30 Mars 2009