Biznesmeni i kërkuar i shpëtoi policisë
Trazhgim Sokolaj
Sipërmarrësi i rremë Indrit Aliu i denoncuar gjashtë herë për vjedhje të shumave të mëdha me anë të mashtrimit ndaj disa biznesmenëve, është arratisur nga Shqipëria në një moment deçiziv për policinë. Kjo e fundit nuk ka arritur të kuptojë se më 16 mars 2009, vijën kufitare të Shqipërisë po e kalonte një person i kërkuar për “mashtrim me pasoja të rënda”. Rasti duket një koincidencë nga ato që fati nuk i kishte kursyer “biznesmenit” Indrit Aliu, i cili brenda një viti akuzohet se ka përvetësuar pa shumë mund 3 milionë euro nga kompani dhe biznesmenë të cilëve u merrte paratë, u premtonte tenderë dhe aktivitet të përbashkët e më pas zhdukej pa gjurmë. Largimi i “sipërmarrësit” të kërkuar jo vetëm nga Prokuroria, por edhe nga pesë persona VIP dhe një kompani e madhe biznesi, ka ndodhur më 16 mars 2009 në drejtim të Turqisë. Në këtë kohë, të paktën katër denoncime ishin bërë në policinë e Tiranës ndaj personit, që kur kaloi kufirin shqiptar nuk pati asnjë pengesë. Mosveprimi i policisë në fakt shpjegohet me faktin se atë ditë, kur Indrit Aliu u arratis nga Shqipëria, rrjeti i menaxhimit total të informacionit, pra sistemi TIMS, ishte jashtë funksionit. Shkak për mosfunksionimin e këtij sistemi që përmban fotot dhe listën e të kërkuarve u bë një mosmarrëveshje mes policisë shqiptare dhe palës italiane që ofron sinjalin. Disa ditë më vonë sistemi u rikthye në gjendjen e punës pasi palët gjetën marrëveshje për pagesën, por kësaj here ishte shumë vonë për zbulimin e Indrit Aliut dhe kapjen e tij para se të largohej nga Shqipëria. Sipas të dhënave të mbledhura nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton gjashtë denoncimet për vjedhje me anë të mashtrimit nga Indrit Aliu, ai është larguar nga vendi mesditën e 16 marsit 2009 nga pika e kalimit kufitar në Qafë-Thanë. Policët e shërbimit kanë parë pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit e më pas kanë lejuar largimin e “biznesmenit”, pasi nuk punonte sistemi që mund të sinjalizonte faktin se personi ishte në kërkim. Indrit Aliu është nisur drejt Turqisë, ndërsa policët e kufirit kanë mbajtur shënimet përkatëse në regjistrin e vjetër. Një lëvizje e tillë e të kërkuarit është dokumentuar, por ende nuk është e qartë nëse e gjitha kjo ishte një rastësi apo një veprim i Indrit Aliut, pasi ai ishte informuar për “lehtësirat” që do të kishte në kufi edhe pse ishte denoncuar për vjedhjen e 3 milionë eurove. Pak ditë më parë, burime zyrtare nga hetimi, thanë se tablatet telefonike dhe disa dëshmi të mbledhura, tregojnë se biznesmeni Indrit Aliu ka qenë në kontakt me disa zyrtarë të lartë policie. Ai madje kishte marrë pjesë në disa aktivitete publike të zhvilluara nga policia e shtetit dhe në mesin e vitit 2008, ishte ofruar vullnetarisht të sponsorizonte me 13 milionë euro, projektin për uniformën e re të policisë së shtetit. Një projekt i cili filloi, madje u bë publik dhe po vazhdon ende në letër bazuar në këtë financim të papërmbushur asnjëherë nga i kërkuari për mashtrim Indrit Aliu.
I kërkuari kishte vizë për në Turqi
TIRANE – Zotërimi i një vize për qëndrim në Turqi si dhe lidhjete hershme me këtë vend duket se e kanë ndihmuar Indrit Aliun të largohej nga Shqipëria pa rënë në prangat e policisë. Mësohet se biznesmeni është arsimuar në një kolegj turk në Tiranë ku kishte marrë edhe leksione për besime fetare ndërsa vazhdimisht gjatë aktivitetit të tij u pohonte biznesmenëve të mashtruar se kompanitë e tij në Shqipëri ishin filiale të firmave të mëdha me qendër në Turqi. Mësohet se biznesmeni i kërkuar vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2009 ka kryer tri udhëtime në drejtim të Turqisë. Tre udhëtimet janë bërë me avion ndërsa në rastin e katërt, kur i arratis Indrit Aliu ka lëvizur në rrugë tokësore për të shmangur kontrollet e forta të Rinasit.