Gërdeci, pranohet dorëheqja e gjyqtarit Kreshnik Omari
TIRANË- Gjykata e Tiranës pranoi sot kërkesën e gjyqtarit Kreshnik Omari për dorëheqjen e tij nga trupi gjykues i çështjes "Gërdeci".
Omari refuzoi pjesëmarrjen në këtë trup gjykues për shkak të konfliktit të interesit që ka me çështjen, për shkak se bashkëshortja e tij është avokate në një studio që mbron interesat e një prej të pandehurve të Gerdecit, Ilmi Lacaj.
Kreshnik Omari u zgjedh si drejtues i trupit gjykues të çështjes "Gërdeci", nëpërmjet shortit elektronik të organizuar në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë.
Pritet që Gjykata të ribëjë ditët e ardhshme shortin për caktimin e trupit gjykues për të nisur më pas shqyrtimin e çështjes, e cila ka 28 persona të pandehur, pjesa më e madhe e të cilëve ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Shqiptare.
Të pandehurit dyshohen si përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit të vitit 2008 në fshatin Gërdec, kur si pasojë e një shpërthimi në ish -fabrikën e demontimit të municioneve, humbën jetën 26 persona, ndërsa mbetën të plagosur dhjetra të tjerë. Si i pandehur në këtë ngjarje është edhe ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ndryshe nga të tjerët, është në procedimin e Gjykatës së Lartë, për shkak të imunitetit.
(e.n/BalkanWeb)