E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, prokurorët kryejnë hetime në tatime dhe dogana

Prokurorët që marrin pjesë në grupin hetimor për tragjedinë e Gërdecit kanë shtrirë hetimet për zbardhjen e kontratave të firmës "Albademil" me pronar Mihal Delijorgjin në zyrat e tatimeve dhe doganave. "Albademil" figuron se është regjistruar pranë gjykatës në 28 dhjetor të vitit 2006, me objekt të veprimtarisë së saj "eksport të armatimeve të të gjitha llojeve", në një kohë që ligji ndalonte në mënyrë kategorike këtë aktivitet nga subjektet private, duke ia njohur këtë detyrim vetëm ndërmarrjes "Meico" në Ministrinë e Mbrojtjes. Një tjetër verifikim i grupit hetimor janë ortakët e Demiljorgjit, të cilët janë regjistruar në tatime. Hetuesit e çështjes thanë se do të bashkëpunojnë me zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, me qëllim marrjen e informacioneve se sa municione ka trafikuar i arrestuari si shkaktar i tragjedisë së Gërdecit. Nga ana tjetër mësohet se grupi hetimor do të kryejë një studim të të gjitha materialeve dhe më pas do të nxjerrë konkluzione nëse firma "Albademil" ka kryer ose jo një trafik të mundshëm të municioneve. Por të dhënat do të ballafaqohen me provat e prokurorit Kostaq Beluri, i cili po verifikon rolin e kompanisë së Delijorgjit në trafikun e municioneve. Ndërkaq, pritet të sekuestrohen evidencat e municioneve të ardhura në fabrikën e Gërdecit dhe sa fishekë kanë dalë prej saj. Në dosjet për trafik armësh do të bashkëngjiten edhe disa letra apo përgjime të kryera nga disa përfaqësues të një firme amerikane. Gjatë ditëve të fundit, objekt hetimi janë bërë dokumentet dhe evidencat e transportimit të fishekëve, me kërkesë të MEICO-s dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dërguar firmës "Albademil" për çmontime në Gërdec, pasi dyshohet se firma në fjalë i ka trafikuar një pjesë të tyre në vende të ndryshme të Lindjes. Sipas burimeve nga akuza, për këtë dyshim po kryhet verifikimi dhe ballafaqimi i dokumenteve të sekuestruara në Shtabin e Përgjithshëm, pranë zyrave të MEICO-s, pranë doganave dhe firmës "Albademil".

Nga ana tjetër, prokurori i Task-Forcës, Gentian Xholi, i cili është emëruar së fundmi në grupin hetimor për tragjedinë e Gërdecit, po verifikon rolin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes nën akuzat e shpërdorimit të detyrës. Provat më të forta të organit të akuzës janë dëshmitë dhe provat e servirura nga ushtarakët e lartë të Forcave të Armatosura, të cilat ua hodhën "fajin" zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë, grupi hetimor, i kryesuar nga zv/prokurori i Tiranës Genci Qano, ka vijuar me marrjen në pyetje të zyrtarëve të ushtrisë e ministrisë, ndërkohë një prokuror tjetër po verifikon kraterin e shpërthimit, ndërsa ka sekuestruar dhjetëra dokumente të gjetura në kasafortën e firmës "Albademil".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›