E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci "qelb" dynjanë

Gerdec 2008

Ajri ne Vore dhe ne gjithe zonen perreth dhjete dite pas shperthimit vazhdon te ruaje eren e rende te barutit dhe municioneve. Autoritetet thone se ndotja vazhdon te jete e rende ne gjithe zonen. Ajri 40% me i ndotur

TIRANË - Pas tragjedisë së Gërdecit, ajri në zonën e Vorës dhe përgjatë autostradës Tiranë-Durrës është rreth 40 për qind më i ndotur se norma. Instituti i Shëndetit Publik bëri matjet për nivelin e ndotjes së ujit dhe ajrit në zonën e Vorës, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ku shpërthyen dhe u shpërbënë në lëndë e mbetje kimike tonelata municione. Vendi në të cilin janë bërë matjet është zona e autostradës, pasi zona në të cilin ka ndodhur shpërthimi është e izoluar dhe konsiderohet zonë e rrezikshme, sepse mund të ketë lëndë eksplozive akoma të paplasura. Kjo është bërë e ditur nga shefi i Laboratorit të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit në Institutin e Shëndetit Publik, Agron Deliu, gjatë një interviste që ai dha dje për “Korrierin”. “Deri tani janë bërë matjet e nivelit të ndotjes së ajrit dhe ujit”, tha Deliu. Sipas tij, aty janë bërë matjet e pluhurit të respirueshëm ose grimcave të imëta që identifikohen me blozën nga shpërthimi, oksidit të karbonit ose monoksidit të karbonit, që është helm i cili krijohet nga shpërthimet; bioksidit të azotit që krijohet nga shpërthimet që kanë lëndë me azot dhe bioksidit të squfurit, pasi eksplozivët kanë përbërje squfuri. “Duke e krahasuar me normat e lejuara për ajrin atmosferik në Evropë, me përjashtim të monoaksidit të karbonit, të tjerat kanë dalë mbi normë”, tha Deliu gjatë intervistës. “Por ky nuk është ndonjë tejkalim i jashtëzakonshëm, pasi bëhet fjalë për një tejkalim rreth 30 deri 40 për qind mbi normën”, ka sqaruar ai. Sipas tij, në Tiranë ky pluhur i respirueshëm është 2 deri 3 herë më i lartë se norma e lejuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa tek “21 Dhjetori”, “Zogu i zi” dhe tek qendra e Tiranës është 5 deri 6 herë më i lartë. Ndërsa për sa i përket ndotjes së ujit, ai tha se pas bërjes së analizave të para që u bënë tek ujësjellësi dhe vëzhgimeve për ndonjë dëmtim të mundshëm të tubave që mund të ishte bërë nga shpërthimi, u konstatua se nuk kishte asnjë dëmtim dhe uji i depos së ujësjellësit është i pijshëm. “Pasi bëmë matjet e dyta, pamë se ajri tani ka shkuar drejt përmirësimit dhe këtu kanë ndikuar fenomenet atmosferikë, si shiu dhe era. Ndërsa për sa i përket ujit, akoma nuk dihet, pa parë rezultatet e analizave të cilat akoma nuk kanë dalë”, ka shtuar Deliu, duke thënë se edhe për ujin nuk pret ndonjë rezultat negativ. Deliu u shpreh se ISHP-ja tani ka filluar të bëjë edhe matjet e tokës, të cilat sipas tij janë më të rëndësishmet, pasi është toka ajo që i mban helmet dhe substancat e rrezikshme. Pyetjes se cilat janë zonat më të ndotura, Deliu iu përgjigj se kjo do të vërtetohet pasi të hapet zona dhe të bëhen edhe një herë matjet, sidomos për tokën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›