E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen dyshimet për trafik

Në kraterin e fabrikës së Gërdecit u gjetën 30 fishekë të pashpërthyer, ndërkohë që kontrata e dytë e çmontimit ishte për predha dhe aty duhej të kishte vetëm të tilla

TIRANË - Shtohen dyshimet se fabrika e Gërdecit mund të ketë shërbyer edhe si vend për paketimin e fishekëve. Provat dhe faktet e ditëve të fundit nxisin më tej dyshimin e prokurorisë, se ambientet e administruara nga Mihal Delijorgji përveç procesit të demontimit të predhave, mund të jenë përdorur edhe për qëllime të tjera, një ndër të cilët dhe ambalazhimi i municioneve me kalibër të vogël, për të cilën kompania amerikane “AEY” dhe ndërmarrja shtetërore “Meico” kishin një kontratë shitjeje. Disa nga provat më të forta në dorën e prokurorisë janë dëshmitë e punonjësve, nafta që dyshohet të jetë përdorur për larjen e municioneve dhe, së fundmi, fishekët e kalibrit të vogël që janë gjetur në vendngjarje. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës bëjnë me dije, se gjatë kërkimeve të ditëve të fundit në vendin e shpërthimit, grupi hetimor i çështjes ka hasur në një sasi municionesh të kalibrit të vogël, të cilat çuditërisht i kanë “mbijetuar” shpërthimit. Bëhet fjalë për rreth 30 fishekë të kalibrit të vogël, të cilët janë gjendur nga grupi hetimor, ndërkohë që në kontratën e dytë mes firmës “Meico” dhe kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc”, ishte parashikuar demontimi i predhave të kalibrave të mëdhenj, që nisnin nga 20 mm deri në 152 mm. Ndërsa municionet e gjetura në vendin e shpërthimit, sipas ekspertizës, rezultojnë të jenë të predha të kalibrit të vogël, të cilat ishin parashikuar të demontoheshin brenda kontratës së parë. Megjithatë, gjetja e këtyre predhave në vendin e shpërthimit ende është në fazën e dyshimit nga ana e prokurorisë, e cila paralelisht po verifikon dhe dëshminë e njërit prej punonjësve, i cili ka deklaruar se në fabrikën e Gërdecit veç demontimit, kryhej edhe paketimi i predhave. Akoma më të besueshëm këtë variant e bëjnë deklaratat e ushtarakëve të Forcave Ajrore, të cilët jozyrtarisht pak ditë më parë i thanë “Korrierit”, se në atë bazë bëhej vetëm transporti i “mallit” që paketohej në Gërdec. Një tjetër provë që shton dyshimet e prokurorisë është edhe nafta. Në fabrikën tashmë të kthyer në rrënoja, sipas dëshmitarëve ekzistonin disa vaska me nafte, ku bëhej larja e predhave, të cilat më pas paketoheshin në kuti kartoni. Ndërsa Mihal Delijorgji, administrator i firmës “Albademil”, e cila kryente procesin e demontimit, ka mohuar çdo lidhje të kompanisë së tij me procesin e paketimit të municioneve. Gjatë deklaratave dhënë para hetuesve, Delijorgji është shprehur se në këtë fabrikë kryhej vetëm demontimi i predhave dhe asgjë tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›