Ndoka: Rama, të sigurt fitoren në 2009-ën
FIER - Për herë të parë, pas tre vitesh në pushtet, një parti e djathtë, paralajmëron fitoren e së majtës, në rast se mandati i 2009-ës, do të përfundojë me Berishën kryeministër. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar dje, gjatë një takimi të zhvilluar në Mallakastër se, kryeministri Sali Berisha, po e çon të djathtën drejt humbjes. “Kemi kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, sepse mendojmë dhe gjykojmë se, gjatë qeverisjes së tij, sidomos në kohët e fundit, ka bërë shumë gabime, që mund t’i kushtojnë shtrenjtë të djathtës, por edhe reformave dhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike”, - tha Ndoka. Kryetari i PDK-së ka argumentuar se, kërkesa e tyre për dorëheqje, nuk lidhet me largimin e PDK-së nga qeverisja, por për garantimin e fitores të së djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për këtë arsye, Kryetari i PDK-së tha se: “Nëse mazhoranca do të ecë me këto ritme, nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të fundosë veten, sepse, pikërisht këtë moment, po e shfrytëzon në mënyrën më të mirë të mundshme, kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili, nisur nga situata politike në vend, e ka të sigurt një rotacion politik në zgjedhjet e 2009-ës”.Ndoka tha se Partia Demokristiane, vendosi të kërkojë publikisht dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, pasi PDK-ja, e konsideron kryeministrin e vendit si “përgjegjësin kryesor për gjendjen e krijuar dhe një pengesë serioze për vazhdimin e qeverisjes demokratike dhe, rrjedhimisht, edhe për fitoren në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit të djathtë”. “Më 3 korrik 2005, qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, na mbështetën për rikthimin e shpresës, për qeverisje me moral të pastër, për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas tre vitesh qeverisjeje, këto motive politike e qytetare, janë vënë në dyshim, për shkak dhe përgjegjësi direkte të politikave dhe qëndrimeve të ndjekura nga kryeministri dhe klane brenda PD-së”, - tha ai. Kryetari i demokristianëve, shtoi edhe njëherë se, skandalet e Gërdecit dhe Fazlliçit, nuk janë skandale të mazhorancës, por janë nominale me emra dhe përgjegjës konkretë.