E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Reshje të bollshme, por nuk japin garanci

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është treguar realist në deklaratën se, prurjet e mëdha në hidrocentralet e vendit kanë rritur ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë elektrike, por kjo nuk mjafton për të qenë më të sigurt me furnizimin. "Ndërtimi i Termocentralit në Vlorë do të shmangte përfundimisht krizën energjetike në vend", deklaroi dje ministri. Ndërsa ndërtimi i linjës të interkoneksionit, Elbasan - Podgoricë, 400 kv, do të krijonte garanci të importit në nivele maksimale. Kreu i METE-s ka njohur dje mediat me situatën hidrike në veri pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, të cilat kanë dhënë ndikim në situatën hidroenergjetike. Kështu, prurjet hyrëse të ujërave në liqenin e Fierzës arritën në 1600 m3/sek ditën dhe 700 m3/sek në liqenin e Komanit. Nisur nga situata, ministria duhet të tregohet e kujdesshme për menaxhimin e prurjeve në liqenet e HEC-ve me qëllim, që të mos ketë derdhje dhe të mos rrezikohen nga përmbytjet zonat nën kaskadën e HEC-eve mbi Drin. Lidhur me këtë pikë, kreu i KESH ka deklaruar po dje nga Vau i Dejës se, "nuk do lejohet hapja e portave për të derdhur ujin në liqene, por do menaxhohet në atë mënyrë që mundëson rritjen e prodhimit, ku energjia elektrike shtesë të dërgohet për depozitim në Kosovë, si rezervë për raste krizash".

Situata

Prodhimi vendas i energjisë elektrike është rritur këto ditë reshjesh, duke i dhënë mundësi KESH-it të ulë importet ditore. Kështu, prodhimi vendas ka arritur në 10,6 milionë kWh/ditë, ndërsa importi është ulur dhe ka arritur në kuotën 7,5 milionë kWh/ditë, nga 8.5 milionë që ka qenë. Lidhur me furnizimin e mëtejshëm me energji elektrike, ministri Ruli u shpreh se, "Kemi një situatë mjaft optimiste krahasuar me vitin e kaluar për vetë kuotat me të cilat do hyjmë në muajin prill në kaskadë. KESH do të sigurojë energji nga prodhimi vendas dhe nga importi aq sa do t‘i duhet ekonomisë dhe popullatës këtë vit". Sipas tij, KESH nuk ka programuar këtë vit zërin "ndërprerje të energjisë", si dhe nuk do të aplikojë skenarë të ndërprerjes së energjisë elektrike për të pasur importe sa më të ulëta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›