E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, “sherr” për paratë e buxhetit

• Tragjedia e Gërdecit ka shkaktuar dje debate të ashpra në Komisionin e Ekonomisë.

 Qeveria ka vendosur që të ndihmojë financiarisht familjet që u dëmtuan nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, por këto para do të merren nga buxheti i shtetit dhe konkretisht nga fondi i kontigjencës. Bëhet fjalë për 630 milionë lekë. Pikërisht kjo ka ndezur debatet në komision. Sipas deputetëve socialistë, qeveria nuk duhet të prekë paratë e kontigjencës, por të rishikojë buxhetin në mënyrë që të shkurtojë fondin e shpenzimeve operative. Por nuk ka ndarë të njëjtin mendim me ta ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas tij, këto para janë në buxhet dhe janë pa destinacion, kështu që fare mirë mund të përdoren për të ndihmuar të dëmtuarit nga shpërthimi në Gërdec. Një tjetër arsye që financat kanë vendosur të marrin para nga fondi i kontigjencës është edhe fakti që këtë vit nuk rrezikohemi nga kriza energjetike. Gjatë debateve të djeshme, deputeti socialist Arben Malaj ka akuzuar ministrin Bode për procedura jotransparente. Sipas tij, qeveria nuk ka një kosto përfundimtare për tragjedinë e ndodhur dy javë më parë në Gërdec. Madje, ai ka theksuar edhe faktin se qeveria nuk duhet të prekë kontributet e dhëna nga qytetarët.
Fondi
Ministria e Financave ka paraqitur dje në Komision e Ekonomisë aktin normativ “Për një ndryshim në ligjin nr. 9836, datë 26.11.2007 ‘Për buxhetin e shtetit të vitit 2008’”. Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh gjatë kësaj seance se projekt-akti normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2008 është përgatitur në kuadër të masave urgjente që qeveria shqiptare ka marrë dhe po ndërmerr për t’i ardhur në ndihmë popullatës së zonave të prekura nga shpërthimi i municioneve në fabrikën e çaktivizimit në fshatin Gërdec të bashkisë së Vorës. Sipas ministrit Bode, “vlera totale që merret vetëm për këto elementë, për ndërtimin, riparimin e shtëpive, për pajisjet dhe zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara arrin në rreth 1.6 miliardë lekë. Rreth 800 milionë lekë do të merren nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, rreth 150 milionë lekë nga ndihmat e dhëna për të njëjtin qëllim për rindërtimin dhe pajisjen e shtëpive dhe rreth 630 milionë lekë nga kontigjenca”.
Rindërtimi
“Të gjitha familjet që konsiderojnë se shuma e dhënë nuk është e mjaftueshme, atëherë riparimi dhe ndërtimi i shtëpive të tyre do të bëhet përmes strukturave qeveritare. Ndërsa ato që konsiderojnë se shuma e dhënë është e mjaftueshme për riparimet e duhura, do të fillojnë ta bëjnë vetë”, tha Bode. Kostoja e kompensimit të ndërtimeve të shkatërruara nga shpërthimi në Gërdec është e barabartë me atë të Tiranës. Kështu të gjithë shtëpitë e prishura që do të kompensohen financiarisht nga shteti, do të vlerësohen njësoj sikur të ishin të ndërtuara në kryeqytet. Për çdo metër katror banorët e shtëpive të rrënuara do të përfitojnë 25 mijë lekë. Kjo është e barabartë me koston e ndërtimit të rënë dakord me ndërtuesin për kryeqytetin. Në të përfshihen edhe kosto e pagimit të punëtorëve që kryejnë ndërtimin, sigurimet e tyre, transporti i mallrave që duhen për ndërtim, kostot e tjera shtesë të dritave apo energjisë që duhet si dhe pagesa e punës. Nga shpërthimi tragjik i municioneve janë shkatërruar rreth 400 shtëpi, të cilat duhet të rindërtohen nga e para. Ndërkohë shumë të tjera janë dëmtuar pjesërisht. Por nga shpërthimi tragjik i municioneve nuk janë dëmtuar vetëm banorët, por edhe bizneset që operonin në këtë zonë. Shpërthimi i municioneve është më tragjiku i ndodhur ndonjëherë në vendin tonë, ku si pasojë kanë humbur jetën mbi 25 persona.

Ndihmat

1.6 miliardë lekë vlera totale e dëmit

800 milionë lekë do të merren nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave

630 milionë lekë do të merren nga fondi i kontigjencës në buxhet

150 milionë lekë nga ndihmat e dhëna nga qytetarët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›