E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakënaqësi për shumat e dëmshpërblimit, banorët zhvillojnë protestë në Vorë

• TIRANE – Banorët e Vorës, Gërdecit dhe disa fshatrave të kësaj zone dolën edhe ditën e djeshme në protestë, duke pohuar se nuk janë dakord me masën e dëmshpërblimit

 financiar për dëmet që u janë shkaktuar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të predhave e municioneve luftarake. Banorët e zonës kërkuar që për një pjesë rreth 10 për qind të të dëmtuarve, grupet e posaçme të bëjnë rivlerësimin e dëmeve që u janë shkaktuar pasi shumat financiare që u janë dhënë deri më tani për dëmshpërblimin nuk përkojnë me masën e dëmit që u është shkaktuar si pasojë e tragjedisë. Me pankarta në duar dhe duke bërë thirrje për zyrtarët e pushtetit lokal dhe institucioneve qendrore të shtetit, banorët e zonës qëndruan të mbledhur në qendër të Vorës për më tepër se një orë. Ata kërkuan rivlerësimin e dëmeve që u janë shkaktuar duke thënë se një pjesë e rasteve të dëmshpërblyera janë të padrejta. Disa prej pjesëmarrësve në protestë, thonë se u janë shkatërruar shtëpi 3-katëshe dhe kanë marrë më pak dëmshpërblim financiar se persona të tjerë të cilëve tragjedia u shkatërroi banesa 1-katëshe. Pjesëmarrësit në protestë lajmëruan se do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme reagimin dhe kërkesat e tyre derisa organet e pushtetit vendor dhe Qeveria të marrin në konsideratë kërkesat e tyre dhe të caktojnë shumat e dëmshpërblimit sipas dëmeve reale të shkaktuara prej tragjedisë. Gjatë protestës së djeshme e cila u ndoq nga afër prej shërbimeve të policisë nuk është regjistruar ndonjë incident apo thyerje e rendit. Pjesëmarrësit janë shpërndarë në mënyrë paqësore duke pohuar se do të vazhdojnë protestat derisa të dëmshpërblehen sipas tyre, në mënyrë të drejtë për dëmin që u shkaktoi tragjedia e ndodhur në Gërdec mesditën e 15 marsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›