Gërdeci, shtyhet për herë të 3-të
TIRANE - Gjykata e Tiranës shtyu dje për të tretën herë radhazi seancën gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve të dosjes "Gërdeci". Ndryshe nga dy seancat e mëparshme, që u shtynë për mungesa në radhët e avokatëve, dje seanca dështoi për shkak të mungesës së një prej gjyqtarëve të çështjes. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, relatoi përpara palëve se seanca nuk mund të vazhdonte për shkak të mungesës së anëtares së trupës, gjyqtares Fatmira Hajdari. Sipas kryesuesit, gjyqtarja Hajdari kishte paraqitur para kreut të gjykatës arsye objektive për mungesën e saj. Dështimi i seancës së djeshme çoi në tre numrin e seancave të njëpasnjëshme të dështuara, për gjykimin e të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Në seancat pararendëse, avokatët mbrojtës kanë pretenduar para gjykatës se, për shkak të volumit të madh të kësaj dosjeje, e kanë të pamundur zhvillimin e saj dy herë në javë. Dje ishin paraqitur para gjykatës shtatë dëshmitarë, të cilët nuk mundën të dëshmojnë për shkak të dështimit të seancës. Në seancën e djeshme, të pranishëm në sallë ishin të pranishëm dy nga katër të pandehurit e arrestuar të dosjes "Gërdeci", Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci. ar.ba