E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe e nis ku e la Bariç



Leonard Karaj

është caktuar dje në Luksemburg kalendari i Grupit D, për kualifikimet e EURO 2012 ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e parë në transfertë ndaj Rumanisë. Praktikisht e nisin aty ku mbaruan kualifikimet e fundit për kampionatin evropian. Ndryshon data. Ndryshojë disi përbërjet e skuadrave. Ndryshojnë trajnerët, por jo vendi dhe as kompeticioni për të cilin konkurojmë. Kthehemi në Rumani, aty ku tri vite më parë, ekzaktësisht më 21 nëntor 2007 Shqipëria nën drejtimin e Oto Bariç luante ndeshjen e fundit për kualifikimet e evropianit austro-zviceran të 2008-ës. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë gjatë kësaj kohe, për kualifikimet e evropianit të radhës rikthehemi tek vendi i “mëkatit”, aty ku skuadra jonë përfaqësuese kapitulloi në mënyrën më të keqe të mundshme. Humbëm 6-1, përfunduam takimin me 9 lojtarë pas daljes me të kuq të dy lojtarëve, Debatik Curri e Nevil Dede, imponuam indirekt largimin e trajnerit Oto Bariç dhe më e keqja, Kombëtarja “u mbyt” në një det akuzash për shitje ndeshjesh të ardhura as më shumë dhe as më pak sesa nga kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Por si për ironi të fatit, kalendari ka programuar si ndeshje të parë të kuqezinjve pikërisht atë ndaj rumunëve në transfertë. Takimi do të luhet më 4 shtator 2010 ndërkohë që një ditë më parë, po në këtë grup do të luhen Luksemburg-Bosnjë dhe Francë-Bjellorusi. Vlen të theksohet se për kualifikimet e këtij evropiani kalendari është “i përçarë”, çka do të thotë se thuajse në asnjë datë të programuar nga UEFA takimet e këtij grupi nuk do të luhen në një ditë. Ndërkohë që katër ditë më vonë kuqezinjtë do të kenë një takim të lehtë në “Qemal Stafa” ndaj Luksemburgut, skuadrës më të dobët në teori të këtij grupi.
Kuzhe pati kërkuar Francën ose Bosnjën, pra dy ekipe më të forta se skuadra e tij, ra Rumania, gjithsesi një ekip elitar. Problemi i vetëm përsa i përket parashikimit të bërë nga trajneri ynë është fakti se ndeshjen e parë do ta luajmë jashtë ashtu sikundër kemi bërë edhe në 15 kompeticione të tjera në kualifikime të evropianëve dhe botërorëve. Edhe në kualifikimet e EURO 2008 Shqipëria luajti në transfertë ndeshjen e parë, ndaj Bjellorusisë duke marrë një rezultat të mirë (2-2). Por nëse në takimin e dytë luanin në Shqipëri ndaj Rumanisë, këtë herë kemi Luksemburgun, pra në pak fjalë teorikisht pas dy ndeshjeve të shtatorit, 9 tetori i Shqipëri-Bosnjë mund ti gjejë kuqezinjtë të paktën me tri pikë në grumbulluara. Madje duke parë se rivalët tanë direkt në këtë grup, Bjellorusia do luajnë dy ndeshjet e para ndaj Francës dhe Rumanisë, parashikohet që pas takimeve të para ti lëmë pas në renditje duke provuar më pas forcën tonë në ndeshjen direkte me ta më 12 tetor, në Minsk (Bjellorusi-Shqipëri).

EURO 2012 - Kalendari/Grupi D

3 Shtator 2010
Luksemburg-Bosnjë
Francë-Bjellorusi
4 shtator 2010
Rumani–Shqipëri
7 Shtator 2010
Bosnjë-Francë
Bjellorusi-Rumani
8 Shtator 2010
Shqipëri–Luksemburg
8 Tetor 2010
Luksemburg-Bjellorusi
9 Tetor 2010
Shqipëri–Bosnjë
Francë-Rumani
12 Tetor 2010
Francë-Luksemburg
Bjellorusi-Shqipëri
25 Mars 2011
Bosnjë-Rumani
Luksemburg-Francë
26 mars 2011
Shqipëri–Bjellorusi
29 Mars 2011
Rumani-Luksemburg

3 Qershor 2011
Bjellorusi-Francë
4 Qershor 2011
Rumani-Bosnjë
7 Qershor 2011
Bjellorusi-Luksemburg
8 Qershor 2011
Bosnjë–Shqipëri
2 Shtator 2011
Luksemburg-Rumani
3 Shtator 2011
Shqipëri–Francë
Bjellorusi-Bosnjë
7 Shtator 2011
Rumani-Francë
Luksemburg–Shqipëri
8 Shtator 2011
Bosnjë-Bjellorusi
7 Tetor 2011
Bosnjë-Luksemburg
Rumani-Bjellorusi
8 Tetor 2011
Francë–Shqipëri
11 Tetor 2011
Francë-Bosnjë
12 Tetor 2011
Shqipëri–Rumani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›