E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimi i deputetit të PS, gjurmët e autorëve në Tiranë



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Prokuroria ende nuk ka përcaktuar një pistë të vetme hetimi në lidhje me kërcënimin me lëndë shpërthyese të kryetarit të Partisë Socialiste të Vlorës dhe deputetit Eltar Deda. Hetimet janë përqendruar në mbledhjen e të dhënave, në lidhje me ndonjë lëvizje të dyshimtë ditët e ngjarjes, para se deputeti socialist të zbulonte në mjetin e tij praninë e lëndës shpërthyese. Ai doli të enjten herët në mëngjes për të çuar djalin 11-vjeçar në shkollë, kur vuri re në mjetin e tij "Volksëagen" me targë VL 5900 C një shishe benzinë. Pasi e ka hedhur atë, deputeti ka tentuar të vijojë rrugën, por sapo është nisur, zbuloi një tjetër shishe poshtë mjetit, e cila ishte e mbushur me benzinë dhe ishte e lidhur me një fitil si dhe një detonator. Pas evidentimit të lëndës që do të hidhte në erë mjetin, kreu i socialistëve të Vlorës sinjalizoi policinë. Kjo e fundit dhe Prokuroria janë duke hetuar intensivisht ngjarjen, por momentalisht sipas burimeve, ende nuk ka pista të përcaktuara apo detaje që do t'i paraprijnë zbardhjes dhe zbulimit të autorëve. E vetmja provë që disponon grupi i hetimit janë gjurmët e lëna shkujdesur nga keqbërësit në shishet që do të shkaktonin shpërthimin. Kjo lë dyshime se autorët nuk janë profesionistë, gjithsesi sipas specialistëve që po merren me hetimin është ende herët për të dalë në konkluzione të sakta. Burimet nuk saktësojnë nëse lënda është vendosur vetëm për të kërcënuar deputetin apo keqbërësit kanë pasur synime për shpërthimin e mjetit në momentet kur brenda tij të ishte vetë kreu i socialistëve të Vlorës. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se shenjat e gishtave të administruara në vendin e ngjarjes i kanë kaluar laboratorit të Kriminalistikës në Tiranë. Tashmë pritet përgjigja e këtij laboratori, e cila edhe do të japë konfirmimin nëse autorët kanë precedentë të mëparshëm. Nëse ata janë kontingjente të policisë, atëherë ka shumë gjasa që identifikimi të kryhet shumë shpejt dhe blutë të vijojnë ndonjë operacion për lokalizimin e vendndodhjes dhe më pas arrestimin e autorëve, të cilët dyshohet se mund të jenë më shumë se një. Blutë kanë shoqëruar deri më tani 6 persona, të dyshuar se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Po dje në lidhje me këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar edhe dy selitë e partive. "Partia Socialiste dhe të zgjedhurit e saj në qytetin e Vlorës janë plotësisht të angazhuar për një ambient politik sa më të qetë dhe për një ballafaqim politik konkurrues, pa nxitur tensione ndërpartiake. Këtë klimë të qetë dhe bashkëpunimi e prishi Sali Berisha me deklaratat e tij kërcënuese dhe kriminale, për shkulje dhëmbësh dhe nofullash, të bëra në Parlamentin shqiptar", thuhej në deklaratën e PS-së së Vlorës. Ndërkohë, kësaj deklarate i është përgjigjur selia e PD-së, e cila e dënoi aktin dhe inkurajoi organet e rendit për zbardhjen sa më shpejtë të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›