E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, shtyhet seanca e tretë radhazi

Janë kthyer në një telenovelë seancat e një prej çështjeve më të rëndësishme në Shqipëri, asaj të “Gërdecit”. Për të tretën herë radhazi është shtyrë seanca e radhës në Gjykatën e Tiranës. Këtë radhë, shkak është bërë mungesa e anëtares së trupit gjykues Fatmira Hajdari. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Ridvan Hado, Hajdari mungonte për arsye objektive dhe familjare. Në mungesë të Fatmira Hajdarit seanca nuk mund të vazhdonte, në këtë mënyrë kryetari i seancës vendosi që seanca të mos zhvillohet, duke u shtyrë për një datë tjetër. Seanca e radhës u vendos të zhvillohet ditën e hënë, ora 9:30. Gërdeci është një nga çështjet më të mëdha të gjykuara ndonjëherë në Shqipëri. Për këtë proces prokuroria ka thirrur 28 të pandehur. Por zhvillimi normal i këtij proces ka filluar të hasë vështirësitë e para. Tre seancat e fundit janë shtyrë dhe nuk janë zhvilluar disa herë për shkak të mungesës së avokatëve, ndërsa dje për shkak të mungesës së një anëtari të trupit gjykues.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›