E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken përfituesit e Shërbimit të Provës

Policia nuk gjen adresat. Kërkesa për prokurorinë: Riformuloni të të dhënat e sakta

Shteti shqiptar e ka shumë të vështirë të kontrollojë personat me precedentë kriminalë, që hetohen dhe gjykohen në gjendje të lirë, të cilët kanë përfituar nga Shërbimi i Provës, një institucion që kontrollon këtë kategori personash. Megjithatë, ende pa u mbushur një vit nga ky lloj shërbimi, konstatohen parregullsitë e para, pasi policia e ka të pamundur t’i kontrollojë, duke i kërkuar Prokurorisë dhe Shërbimit të Provës, në veçanti, që të jepen të dhëna të sakta. Gazeta “Shqip” ka siguruar një kërkesë “konfidenciale” që drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës, në lidhje me “njoftimet e të dënuarve në Shërbimin e Provës”. Dokumenti mban numrin e protokollit 71 dhe i është drejtuar Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Sipas dokumentit konfidencial, policia e ka të pamundur të kontrollojë këtë grup personash të dënuar në liri, pasi nuk janë të përpiluara të dhënat e sakta, si emrat dhe vendbanimet.

Dokumenti

Policia e Shtetit ka dërguar në prokurori shkresën për njoftimin e të dënuarve në Shërbimin e Provës. Kërkesa është protokolluar në muajin janar të këtij viti në Prokurorinë e Tiranës dhe pas verifikimeve të drejtuesit të prokurorisë, Genti Xholi, janë vërejtur disa parregullsi. Për këto arsye, një dokument i plotë i është shpërndarë të gjithë prokurorëve dhe hetuesve të Prokurorisë së Tiranës, duke verifikuar emrat dhe adresat e sakta të personave që kanë fituar nga Shërbimi i Provës. “Duke filluar nga muaji nëntor i vitit 2009, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës kanë ardhur njoftimet për të dënuarit me kusht që ndiqen nga Shërbimi i Provës. Nisur nga detyrimet që kemi për zbatimin e urdhrave të Prokurorisë dhe Gjykatës jemi përpjekur që të kryejmë me saktësi edhe këtë detyrë, por gjatë zbatimit të saj na kanë dalë disa probleme, ku më kryesori është ai i adresave të të dënuarve”, thuhet në dokumentin që ka mbërritur në prokurori. Sipas tyre, në vendimet për këta të pandehur nuk pasqyrohen të dhënat e sakta. “Në kërkesat e dërguara nga ana juaj (prokuroria dhe gjykata) nuk pasqyrohen adresa të sakta dhe çfarë është më problematikja nuk kemi gjeneralitetet e plota të të dënuarve, të cilat janë ndihmesa kryesore e strukturave tona në terren për gjetjen e adresave nëpërmjet regjistrave të gjendjes civile” thuhet në kërkesën konfidenciale të Policisë së Tiranës.

Bashkëpunimi

Policia fton dy institucionet, atë të prokurorisë dhe të Shërbimit të Provës, që të bashkëpunojnë për “kontrollin” e të pandehurve që përfitojnë nga ky lloj shërbimi, që është futur prej një viti në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, nga Shërbimi i Provës kanë përfituar rreth 700 persona, të cilët janë nën hetim, gjykim dhe janë të dënuar nga shkallët e ndryshme të gjyqësorit. Për të përfituar duhet të plotësohen disa kushte, megjithatë kryesorja është që personi i dënuar të ketë kryer ¾ e dënimit. Ndërkohë që ka kushte lehtësuese edhe për të pandehurit që do të hetohen në gjendje të lirë. Megjithatë, këta persona duhet të paraqiten te Shërbimi i Provës si dhe në polici. Nisur nga shqetësimet e fundit për “zhdukjen” dhe mosgjetjen e adresave të këtyre personave, policia thotë se duhet një bashkëpunim ndërinstitucional. “Për sa sipër, kërkojmë që nga ana juaj të merrem masa që në urdhrat që do të na dërgohen në vijimësi të vendosen gjeneralitetet e plota të personave, të cilët duhet të paraqiten pranë zyrave të shërbimit të provës”, përfundon Policia e Tiranës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›